Gjatë natës së mbrëmshme, në Bruksel, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka takuar liderët e vendeve të Ballkanit, përveç kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Në pamjet e publikuara shihet që teksa Mogherini përshëndet liderët e Ballkanit, e në këtë rast presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, bën një koment jo aq të përshtatshëm për përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini.
E në ndërkohë, teksa Mogherini përshëndet të pranishmit, kur i afrohet Thaçit të cilin e përqafon dhe e puth në faqe, dëgjohet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq teksa thotë në gjuhën serbe: “Hashim, Federica më së shumti ka dëshirë të puthet me ty”, kurse Thaçi nuk dëgjohet ta komentojë atë në këtë rast, por Vuçiqi vazhdon: “Mos u bëj sikur nuk e di serbishten, sepse merr vesh shumë mirë”.
Mirëpo, a e mori vesh Mogherini se çfarë po thoshte Vuçiq prapa shpinës së saj? Përgjigja për këtë sipas të gjitha gjasave është jo, ngase Mogherini vazhdon të qëndrojë e buzëqeshur para Vuçiqit, pasi përshëndet liderët e tjerë.