2.7 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

A kishin të drejtë prokurorët që i bënë publike akuzat ndaj Thaçit?

Rekomandime

Autor: Dean B. Pineles

- Advertisement -

Njoftimi se ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ishin ngritur akuza për krime lufte shkaktoi një stuhi politike, por vazhdojnë pyetjet nëse prokurorët në Hagë ishin të justifikuar që i bënë publike këto akuza.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë lëshoi bëri një deklaratë për shtyp bombë që jehoi në të gjithë Ballkanin Perëndimor, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

A ishte e autorizuar Zyra e Prokurorit të Specializuar ta bënte këtë? Dhe cili ishte qëllimi?

- Advertisement -

Njoftimi për shtyp citoi se më 24 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti një aktakuzë prej dhjetë pikash pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, me të cilat akuzonin Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerë pa emër për një sërë krimesh të tmerrshme: krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë rreth 100 vrasje, zhdukje me forcë, përndjekje dhe tortura, të gjitha këto përfshinin qindra viktima të njohura.

Deklarata përmendi se aktakuza është vetëm një akuzë, por megjithatë pasqyronte vendosmërinë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se mund të vërtetojë akuzat përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake aktualisht po shqyrton aktakuzën për të vendosur nëse do të konfirmojë akuzat (dhe ka gjashtë muaj kohë për të marrë një vendim).

- Advertisement -

Teksti më pas ofronte arsyetimin për këtë manovër të jashtëzakonshme dhe të pashembullt të prokurorisë.

“Prokurori i Specializuar e ka konsideruar të nevojshme që të bëhet ky njoftim publik i akuzave për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për të penguar dhe minuar punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhej në të.

“Zoti Thaçi dhe zoti Veseli besohet se kanë realizuar një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin që krijoi gjykatën dhe duke penguar kështu punën e gjykatës në përpjekje për të siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë. Duke ndërmarrë këto veprime, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vendosur interesat e tyre personale përpara viktimave të krimeve të tyre, sundimit të ligjit dhe të gjithë popullit të Kosovës.”

Thaçi, sigurisht, është presidenti aktual i Kosovës, dhe Veseli është një figurë e shquar politike dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës. Të dy janë ish-komandantë të rangut të lartë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që kanë qenë në radarin e krimeve të luftës për të paktën një dekadë, por ata kanë mohuar vazhdimisht çdo përgjegjësi penale, siç bëri Thaçi përsëri para se të fillonte marrja e tij në pyetje nga prokurorët e Hagës të hënën.

Për fat të keq, njoftimi për shtyp ngre më shumë pyetje sesa përgjigjet dhe çon në spekulime të mëdha.

Pyetja e parë është: nën cilin autoritet ligjor u bë kjo deklaratë për shtyp titanike? Në deklaratë nuk thuhej.

Është e dobishme në këtë drejtim të rishikoni dispozitat përkatëse të Rregullores së Procedurës dhe Provave që rregullojnë procedurat përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe Kodin e Sjelljes Profesionale të Dhomave që rregullojnë mënyrën sesi prokurorët duhet të kryejnë punën e tyre zyrtare në mënyrë etike.

Neni 86 i Rregullores së Procedurës thotë: “Prokurori i Specializuar duhet ta paraqesë aktakuzën me konfidencialitet (theksohet kjo pikë)… para se gjykatësi i procedurës paraprake të marrë një vendim” nëse do të konfirmojë akuzat.

Neni 88 parashikon që aktakuza konfidenciale të bëhet publike vetëm “pas konfirmimit nga gjykatësi i procedurës paraprake”. Megjithatë, “Prokurori i Specializuar mund t’ua zbulojë një aktakuzë ose një pjesë të saj autoriteteve të një shteti të tretë ose të një entiteti tjetër, nëse kjo vlerësohet si e nevojshme për qëllimet e një hetimi ose ndjekjeje penale”.

Kështu, për shembull, kjo dispozitë do të duket se mbulon një situatë në të cilën një person i përmendur në një aktakuzë po banon ose fshihet në një vend tjetër, dhe ai vend njoftohet zyrtarisht përmes kanaleve gjyqësore ose diplomatike. Ai gjithashtu do të mbulonte një situatë në të cilën prokurori kontakton një entitet të tillë si Interpoli për një urdhër arresti ndërkombëtar.

Në këtë nen nuk përmendet që ndonjë autoritet mund të bëjë një deklaratë për shtyp për popullatën e përgjithshme para se aktakuza të konfirmohet dhe të bëhet publike.

Zbulohet informacion konfidencial

Prokurori i spezializuar Jack Smith nënshkruan deklaratën para kryesekretares se Dhomave te Specializuara te Kosoves Fidelma Donlon pasi mori postin e tij ne shtator 2018. Foto: Dhomat e Specializuara te Kosoves.

Duke iu referuar Kodit të Sjelljes Profesionale, sipas nenit 11, prokurorët “do të respektojnë dhe do të kujdesen për mbrojtjen e konfidencialitetit të informacionit” dhe “nuk do të zbulojnë asnjë informacion të klasifikuar si konfidencial”. Kjo, sigurisht, përfshin aktakuza.

Për më tepër, neni 13 thotë se “Këshilltari dhe Prokurorët nuk duhet me vetëdije: a. të bëjë deklarata në mediat sociale, për shtypin ose publikun, të cilat… zbulojnë informacione konfidenciale, përfshirë personat e përfshirë në procedurë; ose b. publikojnë… çdo material që ka të bëjë me procedurat para Dhomave të Specializuara, i cili… zbulon çdo informacion konfidencial, përfshirë personat e përfshirë në procedurë.”

Dhe sipas nenit 33, prokurorët “kryejnë shkelje nëse me vetëdije shkelin ose përpiqen të shkelin ndonjë detyrë thelbësore etike ose profesionale të imponuar nga … ky Kod”.

Duke pasur parasysh këto dispozita, do të dukej se njoftimi për shtyp shpalos qartë informacione konfidenciale, siç është natyra e akuzave penale, por ajo që është më e rëndësishme, identitetin e dy prej personave të përfshirë në proces, Thaçit dhe Veselit, dhe përpjekjet e tyre për të minuar gjykatën, të gjitha këto përpara se aktakuza të konfirmohet dhe të bëhet publike.

Edhe nëse ekziston një argument legjitim që deklarata për shtyp të ketë qenë autorizuar si duhet, në bazë të nenit 30 të Kodit, prokurorët duhet të “respektojnë plotësisht prezumimin e pafajësisë kur bëjnë komente publike ose flasin para mediave për meritat e rasteve të veçanta”.

Thaçi dhe Veseli tani janë identifikuar zyrtarisht si persona të akuzuar për krime lufte përfshirë vrasje të urryeshme, të cilët dyshohet se po përpiqen të minojnë gjykatën për të mbrojtur veten e tyre.

Tjetër gjë është të përmenden si të dyshuar në hetime, siç ka ndodhur më parë me këta dy burra. Por është dukshëm shumë ndryshe që të përmenden zyrtarisht si persona të akuzuar zyrtarisht për krime, por para konfirmimit të akuzave dhe zbulimit të ndonjë prove. Dhe këtu, përveç kësaj, prokurori pretendon se ai mund të provojë akuzat përtej çdo dyshimi të arsyeshëm – niveli i lartë i provës që kërkohet për një dënim penal.

Edhe njerëzit e famshëm dhe të fuqishëm që akuzohen për krime të tmerrshme e kanë të drejtën e këtij prezumimi: është një parim themelor i jurisprudencës kriminale perëndimore. Dhe kjo është me siguri një nga arsyet pse aktakuzat janë konfidenciale përpara se të konfirmohen nga një gjykatës neutral dhe i pavarur.

Dhe konfirmimi i një aktakuze nuk është diçka që bëhet në mënyrë automatike. Gjyqtari i procedurës paraprake mund të hedhë poshtë një ose më shumë nga akuzat, një ose më shumë nga të pandehurit ose të gjithë aktakuzën; ose mund t’ia kthejë aktakuzën prokurorit për hetime të mëtejshme.

Në fakt, në në çështjen e trafikimit të organeve të klinikës Medicus në Kosovë, në të cilën mora pjesë si anëtar i trupit gjykues me tre gjyqtarë, gjykatësi i procedurës paraprake nuk pranoi të konfirmonte aktakuzën për shkak të një kërkimi të pretenduar të paligjshëm të policisë për prova. (Ky vendim u rrëzua më pas dhe çështja kaloi në gjykim.)

Fjalë për një marrëveshje amnistie

I derguari i Donald Trump’ per dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në Beograd në janar. Foto: EPA-EFE/ANDREJ CUKI.

Edhe nëse Prokurori i Specializuar do të mund të justifikohej nga aspekti ligjor, pyetjet themelore mbeten: Pse ishte “e nevojshme”? Pse në këtë moment të dyshimtë? Dhe çfarë shpresonte të arrinte ai duke bërë këtë deklaratë shpërthyese?

Ndoshta njoftimi për shtyp synonte thjesht që vëmendja të binte tek këta dy të pandehur të përmendur me emër, për t’i dekurajuar ata dhe shumë nga bashkëpunëtorët e tyre nga ndjekja e një komploti sekret për të shfuqizuar ligjin për krijimin e gjykatës ose për të penguar ndryshe punën e saj.

Dhe mund të ketë pasur shumë urgjencë të madhe në përhapjen e këtij informacioni, mesazhi i të cilës ishte: “Ne e dimë se çfarë po bëni ju dhe miqtë tuaj dhe ky është një paralajmërim për t’i dhënë fund kësaj tani.”

Po pse me 24 qershor? Mos ndoshta kjo datë synonte të paralajmëronte amerikanët për statusin e pasigurt ligjor të Thaçit para takimit shumë të pritur në Uashington ku Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç kishin planifikuar të merrnin pjesë më 27 qershor, vetëm tre ditë më vonë?

Prokurori mund të ketë besuar se Thaçi do të përpiqej të negocionte një marrëveshje amnistie për veten e tij, një thashethem që ka qarkulluar prej kohësh. Por kjo nuk ka kuptim.

Në nenin 18 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të nënshkruar, si për ironi, nga Kadri Vesili si kryetar i parlamentit në vitin 2015, thuhet se “çdo amnisti që i jepet çdo personi për një krim ndërkombëtar … nuk do të jetë pengesë për ndjekjen penale ose dënimin” nga Dhomat e Specializuara.

Ndoshta prokurori ishte i shqetësuar se presidenti Donald Trump do të lavdëronte publikisht Thaçin dhe do të kritikonte Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Takimi ishte organizuar nga Richard Grenell, i dërguari special i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, në një përpjekje për të bërë që të dy palët të flasin përsëri dhe, me shpresë, të arrinin një marrëveshje reciproke, veçanërisht për çështjet ekonomike, duke i hapur kështu rrugën një marrëveshje më gjithëpërfshirëse që do të vinte më pas.

Por Thaçi u tërhoq nga takimi pasi erdhi lajmi për aktakuzën, edhe pse ishte rrugës për atje. Kryeministri Hoti gjithashtu u tërhoq dhe Grenell e anuloi mbledhjen e cila nuk është planifikuar ende se kur do të mbahet përsëri.

Kështu, për shkak të njoftimit për shtyp, perspektivat për një marrëveshje dhe ngrohje të marrëdhënies midis Kosovës dhe Serbisë u prishën.

Koha kur u bë publike kjo aktakuzë bëri që William Walker, ish-ambasadori amerikan dhe kreu i Misionit të Verifikimit të OSBE-së në Kosovë, të thoshte në një intervistë për RTK në Kosovë më 9 korrik se ai ishte “shumë i zhgënjyer nga koha kur prokurori e bëri atë deklaratë”.

“Tani edhe unë e vë në dyshim kohën e deklaratës sepse presidenti Thaçi po udhëtonte për në Uashington për të marrë pjesë në samitin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë, si pjesë e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje përfundimtare. Koha e deklaratës dhe përmbajtja e akuzave, unë mendoj se ngre pikëpyetje për motivin e vërtetë që fshihet pas saj”, shtoi Walker.

Por si do të kishte shkuar kjo situatë nëse takimi do të ishte mbajtur? SHBA-ja, natyrisht, nuk ka asnjë autoritet të rrëzojë ligjin e Kosovës që krijoi gjykatën ose të japë amnisti për shtetasit e huaj. Por presidenti Trump ka një post që i jep mundësinë të flasë për një çështje të caktuar.

Thaçi ka qenë gjithmonë një i preferuar në Uashington dhe Trump mund të bindej të bënte një deklaratë të fortë publike që mbështeste Thaçin dhe kritikonte gjykatën, sidomos nëse do të ishte arritur një marrëveshje thelbësore. Kjo zor se do të ishte e pazakontë pasi Trump shpesh kritikon gjykatat dhe gjykatësit amerikanë dhe bën atë që mundet për të mbështetur miqtë e tij që janë në rrezik ligjor.

Shtetet e Bashkuara admirohen në Kosovë dhe çdo deklaratë kritikuese nga Trump për gjykatën do të mund të kishte pasur efekt në prishjen e mëtejshme të legjitimitetit të saj midis qytetarëve të Kosovës, të cilët tashmë janë skeptikë për shkak të mandatit të saj të njëanshëm.

Por pyes veten nëse një Prokuror i Specializuar amerikan, tepër i respektuar dhe me shumë përvojë, me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, do të kishte guxim të përfshihej në makinacione kaq të larta.

Gjithsesi, kjo deklaratë e papritur, dramatike dhe jo ortodokse për shtyp meriton të sqarohet në interes të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Gjykatësi Dean B. Pineles është diplomuar në Brown University, Boston University Law School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Ai ka qenë gjykatës ndërkombëtar me EULEX-in nga viti 2011 deri në vitin 2013. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit