1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Adem Hoxha: Gjendja e goranëve e vështirë, institucionet të reflektojnë

Rekomandime

Përfaqësuesi i komunitetit të goranëve në Kuvendin e Kosovës, deputeti Adem Hoxha, sot me rastin e ditës së goranëve para ligjvënësëve tha se institucionet e vendit duhet të reflektojnë mbi gjendjen në të cilën gjenden bashkëqytetarët e tij.

- Advertisement -

Ai tha se mungesa totale e perpektivës ekonomike, të cilën e rëndon edhe infrastruktura jashtëzakonisht e dobët, si rrugore dhe energjetike, ashtu edhe ajo e shërbimeve komunale, bën që gyrbeti të jetë zgjidhja e çdo gorani posa të arrijë moshën e punës.

Deputeti Hoxha tha se pret që goranët të trajtohen të barabartë, të kenë mundësi punësimi pa u paragjykuar, të kenë përfaqësimin e duhur në administratë publike dhe në institucione.

Fjalimi i tij i plotë në Kuvendin e Kosovës:

- Advertisement -

I nderuar Kryetar i Kuvendit z.Konjufca
I nderuar Kryeministër z.Kurti
Të nderuar ministra
Të nderuar kolegë deputet

Është kënaqësi të drejtohem sot para jush, në këtë ditë shumë të rëndësishme për Komunitetin Goran. 6 Maji – Dita e Goranëve, sot është ditë feste për Goranët, ditë shënimi e rëndësishme për kulturën dhe identitetin tonë, por Dita e Goranëve është gjithashtu një ditë kur institucionet e Kosovës duhet të reflektojnë mbi pozitën e vështirë mbi të gjitha ekonomike nëpër të cilën po kalon Komuniteti Goran.

- Advertisement -

Jam i vetëdijshëm se gjendja sociale dhe ekonomike në Kosovë nuk është më e mira dhe ky është fat i gjithë popullsisë së Kosovës, por pozita e Goranëve është shumë më e rëndë se kaq. Sot ka shumëfish më shumë goranë në diasporë sesa në vendbanimet e Gorës. Mungesa totale e perpektivës ekonomike, të cilën e rëndon edhe infrastruktura jashtëzakonisht e dobët, si rrugore dhe energjetike, ashtu edhe ajo e shërbimeve komunale, bën që gyrbeti të jetë zgjidhja e çdo gorani posa të arrijë moshën e punës. Kjo është një zgjidhje e hidhur dhe përplot dhimbje, e cila po i zbrazë shtëpitë dhe fshatrat tona.

Dëshiroj të bësoj dhe besoj fuqishëm, se institucionet kanë vullnetin që aty ku u takon, të krijojnë kushtet që jeta e Goranëvë të përmirësohet. Ministritë përkatëse i lus që secila në domenin e saj, t’i japin përgjigje kërkesave që përfaqësuesit goran i kanë shtruar vazhdimisht, sidomos kur bëhet fjalë për infrastrukturë e zhvillim ekonomik.

E di që sot në Kosovë ka shumë probleme, por edhe zgjidhja e problemeve dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve, duhet të shkojë më njëtrajtshëm dhe të gjithë pavarësisht se ku banojnë apo cilit komunitet i takojnë, të shijojnë rezultatet e zhvillimit. Sot kur lulëzon teknologjia e komunikimit, asnjëri nga ne nuk mund të pretendojë se ka qenë i privuar të dijë gjendjen reale të qytetarëve tonë. Juve kolegë deputet ju ftoj që të vizitoni fshatrat tona dhe të bindeni se jeta e përditshme e një gorani sot është jashtëzakonisht e vështirë.

Si përfaqësues i zgjedhur i popullit goran, ju siguroj që Goranët janë të përkushtuar drejt një shoqërie të vlerave të larta demokratike në Kosovë, ku secili do të trajtohet i barabartë, pavarësisht identitetit të tij. Prandaj goranët presin të trajtohen të barabartë, të kenë mundësi punësimi pa u paragjykuar, të kenë përfaqësimin e duhur në administratë publike dhe në institucione. Demokracia dhe liritë njerëzore kanë kuptim të plotë, vetëm aty ku ka vullnet politik e shoqëror për të larguar çfarëdo lloj diskriminimi.

Ju faleminderit!

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit