Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se testet e para serologjike në Prishtinë tregojnë se tek pacientët që kanë qenë të infektuar me Sars-Cov2, koronavirusi që e shkakton sëmundjen COVID-19, ka antitrupa që e luftojnë virusin, disa prej tyre madje me nivele të larta të antitrupave.
Ahmeti thotë se duke u nisur nga praktika në shtetet e tjera të cilat në mungesë të trajtimeve farmaceutike, po provojnë trajtimin me transfuzion të gjakut (plasma) nga ata që e kanë kaluar në ata që janë gjendje të rëndë, andaj propozon që e njëjta mënyrë e kurimit të COVID-19 të përdoret në Kosovë.
“Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, 143 spitale po marrin pjesë në provën e transfuzionit të Plasmes. 115 mijë njerëz kanë ofruar gjak ndërsa deri tani janë mbledhur mbi 15 mijë njësi të plasmes nga njerëz që kanë pas virusin dhe kanë imunitet. Sipas IKSHPK-së, kemi mijëra të shëruar. Testet serologjike tregojnë imunitet. Sugjeroj Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në të mbledhin ekspertët shëndetësorë për ta vlerësuar këtë metodologji dhe të kërkojë edhe ndihmën e OBSH”, ka shkruar Ahmeti.
Ai thotë se në Maqedoni të Veriut është duke u provuar ky trajtim, mirëpo vetëm deri në gjetjen e trajtimeve tjera, siç janë vaksina apo zgjidhje tjetër farmaceutike.