3.9 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Amerika i kërkoi edhe njëherë sot Shqipërisë të qendrojë larg Kinës.

Rekomandime

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar edhe njëherë sot Shqipërisë të qendrojë larg Kinës. Gjenerali amerikan Michael Barbero ka paralajmëruar vendin tonë të mos joshet nga investimet kineze, dike e cilësuar këtë të fundit si kërcënimin dhe armikun më të madh vendeve të NATO-s. Sipas tij, Kina është tigri që do të hajë “shumë nga kokat” e aleatëve të SHBA-së dhe aleancës Veri-Atlantike.

- Advertisement -

Duke folur në një konferencë në Tiranë për tensionet në Lindjen e Mesme, Barbero u ndal gjatë tek Kina, duke deklaruar se investimet kineze përbënin një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit.

“Unë i thashë ministrit se ju keni një zgjedhje për të bërë ose aleat me SHBA e perëndimin ose me Kinën e ai më tha s’ka problem ne mund t’ia dalim me Kinën. Prandaj po ju tregoj historinë e gruas, e cila i buzëqeshi tigrit dhe ai e hëngri. Ju mendoni se mund t’ia dilni mbanë Kinës tani, por Kina është tigri dhe do të hajë shumë nga miqtë tanë”, tha Barbedo.

Ai i bëri thirrje Shqipërisë të tregonte kujdes sidomos teknologjia 5G e ofruar nga Kina.

- Advertisement -

“Investimet e Kinës mund të duken mjaft të favorshme tani, por nëse i shohim në një prizëm afatgjatë janë dëmtuese për vendin. Momentalisht kemi problem terrorizmin, por në plane afatgjate janë investimet kineze, një problem kryesor. Vendi juaj ka avantazhe të jashtëzakonshme, në forcat e punës. Të gjithë jemi të interesuar ta çojmë këtë vend përpara. Nëse sjellim bizneset amerikane këtu, forcojmë demokracinë e Shqipërisë”, u shpreh Barbero.

Edhe pse nuk përmendi emra, gjenerali tha se disa vende në rajon duhet të vendosim nëse janë në anën e Kinës, apo atë të SHBA-së. Sipas tij, Shqipëria duhet të përqendrohet tek thithja e investimeve perëndimore.

- Advertisement -

“Ju kërkoj të mendoni për çështje mjaft të rëndësishme. A i ka marrë Shqipëria të gjitha hapat e duhur për të tërhequr investimet perëndimore, a i ka marrë të gjitha hapat për të luftuar krimin, a ofroni ju garanci ligjore për investitorët e huaj? Duhet t’i mendoni të gjitha këto çështje, çfarë mund të përmirësoni. E di që po kaloni një periudhë mjaft sfiduese të reformës në sistemin gjyqësor, por ju i keni të gjitha kapacitetet për të ecur përpara”, shtoi gjenerali.

Të njëjtin shqetësim ka ngritur disa javë më parë edhe një gjenerali amerikan James Jones, i cili tha në një konferencë se shqetësimi kryesor për Shqipërinë është Kina dhe tentativa e saj për të kontrolluar të dhënat globale përmes teknologjisë 5G.

“Teknologjia 5G do të jetë sistemi që mbërthen sensorët, do të bëjë që të gjithë të jenë më funksionalë dhe më të zgjuar. Vendet që do të rrokullisen të parët do të përfitojnë avantazhet e lëvizjes, do të krijojë begati për të përmbushur angazhimet ndaj miqve dhe aleatëve”, u shpreh ai.

Sipas gjeneralit Jonës, Rusia është në fuqi në rënie por rritja e Kinës, është një shqetësim për vendin tonë. “Kina e shikon përdorimin e pajisjeve 5G si platforma tregtare inteligjente që vendosen në zemër të sistemeve të kombeve në të gjithë botën. Ato i japin në dorë një lak shumë të fuqishëm. Kalimi në 5G i ofron miqve të SHBA një mundësi të artë për të ndërtuar një siguri më të madhe kibernetike për të përmirësuar sigurinë e rrjeteve tona. Diskutimet për 5G po bëhen gjithnjë e më serioze. Shqipëria ka treguar qartë se është pjesë e luftës dhe tani është koha e duhur për të bërë më shumë” tha ai.

Këto paralajmërime nga të dërguarit e SHBA-së në Tiranë vijnë pasi për herë të parë në historinë e Aleancës Veri-Atlantike, udhëheqësit e NATO-s e cilësuan Kinën si një kërcënim të jashtëzakonshëm.

“Ne e pranojmë që ndikimi në rritje i Kinës dhe politikat ndërkombëtare paraqesin një sfidë që duhet ta adresojmë së bashku si aleancë,” thanë udhëheqësit e NATO-s në deklaratën e përbashkët pas samitit të Londrës, i cili shënoi edhe 60 vjetorin e aleancës.

Por çfarë rreziku paraqet Kina për vendet anëtare të NATO-s?

“Kina, duke pasur ushtrinë e dytë më të madhe në të gjithë botën, ka shfaqur gjithnjë e më shumë aftësi të reja moderne, duke përfshirë ndërtimin e raketave me rreze të gjata të afta për të goditur të gjithë Europën dhe SHBA-në”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai deklaroi se liderët e NATO-s janë të alarmuar për faktin se Pekini po investonte shumë në infrastrukturën europiane dhe hapësirën kibernetike.

“Kjo nuk ka të bëjë me zhvendosjen e NATO-s në Detin e Kinës Jugore, por ka të bëjë me faktin se Kina po afrohet pranë nesh, duke investuar shumë në infrastrukturën tonë në Europë dhe në hapësirën tonë kibernetike,” i tha Stoltenberg të martën.

Sipas zyrtarëve të lartë të NATO-s, rreziku kryesor për vendet anëtare është futja e teknologjisë 5G të prodhuar nga Kina. Ekspertët po e krahasojnë garën në fushën kibernetike mes SHBA-së dhe Kinës me garën e armëve të Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar që mbizotërimi në rrjetin 5G do t’i jepte një konkurrenti global siç është Kina një avantazh që Uashingtoni nuk është i gatshëm ta pranojë.

Gjatë samitit të NATO-s, presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të ndalojnë përdorimin e pajisjeve të telekomunikacionit të prodhuara nga Huawei. Trump tha se kompania kineze e telekomunikacionit ishte një rrezik për sigurinë e NATO-s.

“Unë mendoj se Huawei paraqet një rrezik të lartë për sigurinë e NATO-s,” tha Presidenti amerikan Donald Trump duke iu referuar Huawei.

“Unë fola me kryeministrin italian Xhupeze Konte dhe Italia nuk do të çojë përpara bashkëpunimin me Huawin. Unë fola me vendet e tjera anëtare të aleancës dhe më lejoni t’ju them se edhe ata kanë dyshime” u tha Trump ai gazetarëve në Londër.

Mediat britanike shkruanin se gjatë samitit në Londër, se Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendet anëtarë të NATO-s të qëndrojnë larg përdorimit të pajisjeve të prodhuara nga Huawei, duke thënë se ato mund të përdoren nga Kina për spiunazh.

Duke folur për “Reuters”, një zyrtar i lartë amerikan tha se Kina paraqet sfidën më të madhe për NATO-n dhe dëshiron të minojë rendin ndërkombëtar.

“Kina po përpiqet të ketë një prani të madhe dhe më shumë ndikim në të gjithë globin, përfshirë këtu edhe vendet anëtare të NATO-s,” tha zyrtari.(SI)

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit