1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Asociacioni i Komunave Serbe është çështje e kryer, pritet vetëm akti solemn

Rekomandime

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se tema e Asociacionit është e mbyllur.

- Advertisement -

Por, kështu nuk mendon edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas përfundimit të vizitës në Kosovë, ai ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi pa Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar se Kosova në vitin 2013 e ka marrë përsipër çështjen e Asociacionit dhe duhet ta implementojë marrëveshjen e nënshkruar.

E për këtë, ai ka thënë se ka marrë konfirmimin se Kosova do t’u përmbahet zotimeve që ka bërë, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit.

- Advertisement -

“Nëse nuk ka vullnet për marrëveshje, nuk do të ketë marrëveshje. Nëse nuk ka marrëveshje, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacion. Kosova e ka marrë përsipër zotimin, e ka nënshkruar marrëveshjen, Kuvendi e ka ratifikuar, andaj Kosova duhet ta implementojë marrëveshjen dhe është pjesë procesit, është pjesë e negociatave, është pjesë e dialogut. Kur disa politikanë thonë se tema është mbyllur ata nuk duan ta rihapin tekstin, dhe ne nuk kërkojmë ta rihapim tekstin, vetëm kërkojmë të implementojnë atë çka është nënshkruar. Kjo është shumë me rëndësi, gjithçka çka është dakorduar duhet të implementohet. Nuk e kam takuar asnjë partnerë gjatë këtyre tre ditëve që ka ndonjë problem me këtë çështje, implementimi do të vijë me marrëveshjen. Kompromisi është parim mirë i njohur në çdo negocim. Nëse dua të marrë diçka duhet të jem i gatshëm edhe të japë diçka”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se tema e Asociacionit është e kryer, që i ka marrë vërejtjet e duhura nga Kushtetuesja dhe se sipas tij, procedurat janë kryer, tani ka mbetur vetëm akti i përurimit final.

- Advertisement -

“Çështja e Asociacionit të Komunave Serbe është çështje e kryer, sepse, është obligim nga Marrëveshja e Ahtisarit, që është pranuar dhe nënshkruar nga udhëheqësit më të lartë të vendit, që i ka marrë vërejtjet e duhura nga Gjykata Kushtetuese dhe, sipas vendimit të Gjykatës janë eliminuar të gjitha mospërputhjet kushtetuese, prandaj ka mbetur vetëm akti solemn i formalizimit të Asociacionit. Kjo është punë e një dite! Punë që bëhet jo pse dikush kërkon, por sepse është obligim që Kosova e ka pranuar, pastaj edhe i ka kryer të gjitha procedurat e duhura parapara, dhe tash ka mbetur vetëm akti i përurimit final, që nuk ka qare as ilaç pa u realizua”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, Hoti dhe të gjithë e dinë se kjo çështje është e kryer dhe qëndrimi i tij është i denjë dhe përkatës me zhvillimet konkrete.

“Prandaj, Kryeministri Hoti, për të gjithë ata që dinë të dëgjojnë dhe t’i kuptojnë këto çështje, po e thotë qartë dhe saktë: Asociacioni është punë e kryer! Hoti po e shpreh qëndrimin e duhur, sepse po e vë spikamë vullnetin e plotë për veprim të Kosovës, duke lënë të kuptohet reciprociteti i domosdoshëm i përmbushjes së marrëveshjeve që janë arritur por Serbia nuk i ka realizuar! Hoti nuk po refuzon, por po jep dëshmi konkrete duke dëshmuar se, arritja e marrëveshjes përfundimtare, është çelësi i implementimit të të gjitha marrëveshjeve të mëhershme “teknike”, e të tashme politike e diplomatike. Ky është një kushtëzim shumë skofiar politik dhe diplomatik, që përfaqësuesi i posaçëm i BE-s, Miroslav Lajçak e ka të qartë, por është duke e mbajtur nën gjuhë, derisa “vekshit t’ia gjej vegën!” Qëndrimi i Kryeministrit Hoti është shumë i denjë dhe përkatës me zhvillimet konkrete”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit