Gazetari Baton Haxhiu, në emisionin Pressing të T7, ka folur për zgjedhjet e brendshme në PDK që do të mbahen së shpejti.
Në një betejë në mes të Vlora Çitakut, Enver Hoxhajt dhe Memli Krasniqit, sipas Haxhiut, ky i fundit do të ishte kryetari ideal.
Por, sipas tij, Memli zgjidhet vetëm nëse PDK’ja do të donte një lider të ardhshëm të cilin nuk do ta dënonte për humbjet e dy palë zgjedhjeve të fundit.
Haxhiu tha se vetëm Krasniqi meriton të jetë kryetar i PDK’së, e madje tha se vetëm ky mund të fitojë kundër kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhikut dhe atij të VV’së, Albin Kurtit.
“Nëse PDK’ja e do një lider të ardhshëm, por nuk e dënon për shkak të humbjeve, i vetmi që e meriton është Memli Krasniqi. Të tjerët nuk e meritojnë. Nëse PDK’ja ndërton parime dhe ndërton ekipin për të ardhmen, atëherë duhet ta flijojë Enver Hoxhajn”, është shprehur Haxhiu.
“Por, si lider, i cili mund ta fitojë betejën me secilin, edhe me Lumirin edhe me Albinin është Memli Krasniqi. Ka ashpërsi, ka diskurs, është trim dhe është pak mysliman dorën në zemër”, shtoi Haxhiu.
PDK ka deklaruar se zgjedhjet e brendshme do t’i mbajë pas zgjedhjeve të nivelit lokal në Kosovë. Deri tash, zyrtarisht ende askush nuk është paraqitur si kandidat për kryetar.