13 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

BE reagon për deklaratën e Lajçakut: Edhe Serbia duhet ta bëjë

Rekomandime

BE: Lajçak u keqinterpretua, ndryshimet kushtetuese vlejnë edhe për Beogradin
Brukseli vlerëson se deklarata e përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për ndryshimet e nevojshme kushtetuese është keqinterpretuar.

- Advertisement -

Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se duhet bërë dallimi mes asaj që është “percepcion dhe keqinformim, me realitetin e shpjeguar nga zoti Lajçak”.

“Në këtë rast, është thënë ajo çka është e qartë – dhe zoti Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse je duke e negociuar një marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”, tha Stano.

Të enjten, më 15 tetor, në konferencën për media në Beograd, Lajçak kishte thënë se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”.

- Advertisement -

Një deklaratë e tillë ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, kryesisht kundër çdo mundësie për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Kur bëhet fjalë tek Asociacioni, brenga kryesore është te kompetencat të këtij organi.

Por, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano thotë se qëndrimi i BE-së për Asociacionin nuk ka ndryshuar.

- Advertisement -

Ai iu referua fjalimit të ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini në Parlamentin e Kosovës më 2016, ku ajo kishte hedhur poshtë mundësinë që Asociacioni të jetë pushtet i ndarë në Kosovë.

“Ky Asociacion nuk do të jetë qeveri paralele brenda Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca legjislative. Do të formohet brenda kornizës ligjore dhe qeverisëse të Kosovës”, pati thënë Mogherini më 6 maj, 2016 në Kuvendin e Kosovës. Sipas Stanos, ky vazhdon të jetë qëndrim zyrtar i BE-së.

Mogherini poashtu atëbotë pati thënë se Asociacioni “do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ofron udhëzime që të sigurohemi se statuti i Asociacionit do të reflektojë ligjet e Kosovës kur të përpilohet”.

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit të tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Kjo temë ka ndikuar në shtyrjen e dialogut në Bruksel, pasi Serbia po insiston që të diskutohet sërish për Asociacionin e Kosova po konsideron si çështje të mbyllur, e cila do të zbatohet pas arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanica, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj./REL

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit