-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Beteja e Lutfi Hazirit me Avdullah Hotin – Isa Mustafa ka një rekomandim për kryetarin e Gjilanit

Rekomandime

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është duke vazhduar kundërshtimet e tij karshi Qeverisë në krye me Avdullah Hotin, që kishin nisur prej kur ai shprehu ambiciet për t’u nonimuar si kryeministër. Derisa fillimisht tha se nuk i beson kësaj Qeverie, Haziri dje e ka kritikuar kreun e ekzekutivit për marrje të vendimeve antikushtetuese. I pari i Gjilanit nuk ka folur deri më tani nëse kjo parti ka probleme të brendshme. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ndërkaq thotë se cilëndo vërejtje Haziri mund ta diskutojë me Armend Zemajn, ministrin e MSH-së, raporton Gazeta Express.

- Advertisement -

Lutfi Haziri, si shef i shtabit, kishte qenë krah i djathtë i Vjosa Osmanit në fushatën për zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Me të njëjtin disponim karshi zgjedhjes së kryeministrit nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri, nuk u pa edhe kur partia vendosi që Avdullah Hoti ta zëvendësojë Albin Kurtin në Qeveri.

Me tone të ashpra, numri dy në Lidhjen Demokratike tha se nuk i beson qeverisë në krye me Hotin. Kjo deklaratë e Hazirit, erdhi vetëm pak pasi që ai e kishte konfirmuar për Gazetën Express se ka ambicie për t’u zgjedhur shef qeverie, mirëpo, kishte folur për disa kushte.

- Advertisement -

“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, kishte deklaruar Haziri.

Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga Haziri, nëse ka probleme të brendshme brenda LDK-së. Sidoqoftë, deri në momentin e publikimit të lajmit, kreu i Gjilanit nuk ka kthyer përgjigje.

- Advertisement -

Shefi i LDK-së në anën tjetër thotë se cilëndo vërejtje që mund ta ketë Haziri, mund ta adresojë te kreu i MSH-së, Armend Zemaj.

Në një përgjigje për Gazetën Express, kreu i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ka thënë se masat që i ka marrë qeveria nuk janë vendime apo qëndrime partiake, e se është i informuar se kryeministri Hoti ka komunikuar me kryetarët e komunave për implementimin e tyre.

“Masat, të cilat i ka ndërmarrë Qeveria, nuk janë vendime apo qëndrime partiake. Kryeministri Hoti, sa jam i informuar, ka komunikuar me të gjithë kryetarët e komunave për implementimin e tyre. Z. Haziri mund të ketë vërejtje, të cilat është mirë t’i diskutojë me ministrin e Shëndetësisë, sepse komunat kanë krijuar një përvojë të mirë në betejën kundër Covid-19”, thotë ai.

Sipas Mustafës, ani pse LDK-ja udhëheq qeverinë, partia nuk preferon që të përfshihet në çështje menaxheriale.

“Edhe pse LDK-ja e drejton Qeverinë, unë nuk preferoj që të involvohemi si parti në çështjet menaxheriale, sepse ato para së gjithash janë çështje ligjore dhe kushtetuese, për të cilat besoj se Qeveria ka pasur kujdes”, ka thënë ai për Express.

Megjithatë, takimi i Hotit me kryetarët e komunave, për të cilin flet Mustafa, nuk i ka takuar Hazirin dhe kreun e Qeverisë, pasi që i njëjti ka vendosur që në këtë takim virtual Gjilanin ta përfaqësojë nënkryetari Arbër Ismajli.

Nuk dihet nëse pakënaqësitë e brendshme janë arsyeja pse Haziri nuk mori pjesë në këtë takim, por, që po me kaq tone të ashpra ai vendosi që të deklarohet edhe dje përmes Facebook-ut.

“Ora policore në mënyrë selektive dhe antikushtetuese, mbyllja e gastronomisë në tanë territorin e Kosovës, moslejimi i dasmave dhe ahengjeve me më shume se 50 persona, janë vendime në panik. Qeveria nuk guxon me vendos në mënyrë të tillë. IKSHP dhe Qeveria duhet te ecin me masa që fillon me një koordinim ndër-institucional më të mirë. Mundemi me i identifiku burimet e infeksioneve dhe me ngulfat përhapjen. Por, vetëm koordinim më i mirë, ndarje e drejtë e përgjegjësive dhe mbikëqyrje rigoroze”, shkroi dje Haziri, duke dhënë edhe disa rekomandime për ekzekutivin.

LDK-ja ka mbajtur një mbledhje të partisë të dielën, por nuk është konfirmuar nëse aty janë diskutuar edhe këto deklarata publike të Hazirit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit