1.2 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Biden njofton 800 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

Rekomandime

Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten një ndihmë ushtarake shtesë prej 800 milionë dollarësh për të ndihmuar Ukrainën të luftojë kundër agresionit rus. Presidenti paralajmëroi se Kongresit do t’i duhet ta miratojë ndihmën shtesë.

- Advertisement -

Paketa e re ushtarake përfshin artileri të rëndë shumë të nevojshme, 144,000 fishekë municionesh dhe dronë për forcat ukrainase në betejën e përshkallëzuar për rajonin Donbas në Ukrainën lindore. Kjo i shtohet ndihmës në rreth 2.6 miliardë dollarë që presidenti Biden kishte miratuar më parë.

Ai gjithashtu njoftoi se të gjitha anijet e lidhura me Rusinë do të ndalohen të hyjnë në portet amerikane.

Presidenti Biden tha se 13.6 miliardë dollarë të miratuar muajin e kaluar nga Kongresi për ndihmë ushtarake dhe humanitare kishin “pothuajse shteruar”.

- Advertisement -

“Javën e ardhshme, do të më duhet t’i dërgoj Kongresit një kërkesë buxhetore shtesë për të furnizuar pa ndërprerje armët dhe municionet”, tha presidenti Biden. Kongresi ka sinjalizuar se është i hapur ndaj kërkesave të mëtejshme dhe ka pritur që të kërkohej ndihmë e mëtejshme për ukrainasit.

Presidenti Biden nuk dha hollësi se sa fonde shtesë do të kërkonte.

- Advertisement -

Presidenti Biden foli për ndihmën e re, dhe më gjerësisht për situatën në Ukrainë, disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli fitoren në qytetin strategjik të Mariupolit. Presidenti Putin, megjithatë, urdhëroi trupat e tij të mos rrezikojnë më shumë humbje duke sulmuar xhepin e fundit të rezistencës ukrainase.

Forcat ruse kanë shkatërruar pjesën më të madhe të qytetit port juglindor, i cili ka përjetuar disa nga luftimet më të ashpra. Sipas vlerësimeve ruse, rreth 2,000 forca ukrainase mbeten të ngujuara në një fabrikë çeliku, edhe pse forcat ruse vazhdojnë ta godasin zonën industriale dhe të lëshojnë vazhdimisht ultimatume për dorëzimin e forcave ukrainase.

Trupat ruse e kanë rrethuar qytetin port që në ditët e para të konfliktit dhe e kanë kthyer atë në gërmadhë.

Në një shkëmbim të shkurtër me gazetarët pas komenteve të tij, presidenti Biden e quajti pretendimin e Rusisë për Mariupolin “të dyshimtë”.

Më herët këtë javë, kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se vendi i tij do të dërgojë artileri të rëndë në Ukrainë.

Kryeministri holandez Mark Rutte i tha presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy se Holanda do të dërgojë më shumë armë të rënda, përfshirë automjete të blinduara.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se trajnimi i personelit ukrainas për raketahedhëset amerikane 155 milimetërshe ka filluar në një vend evropian pranë Ukrainës.

Presidenti Biden lavdëroi të mërkurën zyrtarët ushtarakë amerikanë për punën “e jashtëzakonshme” në armatosjen e Ukrainës ndërsa zyrtarët e ushtrisë u mblodhën për takimin e tyre të parë fizik në Shtëpinë e Bardhë pas pandemisë.

Sulmi gati dy-mujor i Rusisë në Ukrainë ishte në qendër të bisedimeve të gjera me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, zëvendës Sekretaren e Mbrojtjes Kathleen Hicks, shefat e Shtabit të Përbashkët dhe komandantët luftarakë.

Një mbledhje e tillë u mbajt për herë të fundit në tetor 2019. Donald Trump ishte president në atë kohë dhe po përballej me një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve që u përqëndrua në pretendimet se ai nuk kishte dhënë ndihmën ushtarake për Ukrainën, si pjesë e një përpjekjeje për të ushtruar presion ndaj Presidentit Zelenskyy për të hedhur baltë mbi marrëdhëniet e biznesit të djalit të Presidentit Bidenit në Ukrainë./VOA

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit