3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Bizneset në hall, kur pritet të dalin nga 170 euro për punëtorë dhe kategoritë sociale

Rekomandime

As javën e ardhshme punëtorët nuk do të mund t’i marrin nga 170 euro të parapara me paketën tashmë të “famshme” emergjente fiskale.

Kjo për faktin se amendamentimi i Projektligjit për rishikim të buxhetit pas miratimit në lexim të parë nuk do të bëhet deri në javën e ardhshme nga Komisioni parlamentar për buxhet dhe transfere.

- Advertisement -

Ndërsa, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 është paraparë në seancën e Kuvendit të Kosovës më 23 korrik, nëse Komisioni për buxhet dhe transfere arrin të kryejë punën e tij.

Kryetari i Komisionit për financa dhe transfere, Hekuran Murati, ka thënë se marrë parasysh situatën aktuale me pandemi dhe urgjencën, në komision është arritur konsensus që të mbahet një mbledhje javën e ardhshme, qoftë nevoja edhe për dy ditë, për t’i shqyrtuar amendamentet e Projektligjit për rishikim të buxhetit.

“Pra, jo në këtë javë, por javën e ardhshme pritet që të mbahet mbledhja e komisionit në mënyrë që t’i shqyrtojmë amendamentet dhe t’i procedojmë pastaj për lexim të dytë”, thotë Murati.

- Advertisement -

Sa i përket Rregullores së punës, ai thekson se nuk ka pasur shmangie dhe shton se shqyrtimi i rishikimit bëhet me procedura të rregullta si zakonisht.

Deputeti nga VV-ja, Murati po ashtu pohon se për këtë projektligj kanë pasur vërejtje të shumta për defektet dhe për mënyrën dhe praktikat, që janë aplikuar në këtë projektligj, duke filluar prej një “çek blanko” që kërkohet nga Kuvendi në vlerë prej 300 milionë euro pa adresë.

- Advertisement -

“Kjo është brenga jonë, ndalimi i keqpërdorimit, meqenëse do të jetë e vështirë do të shohim nëse do të mund të rregullohen me amendamente deri në afatin e caktuar dhe të shohim sesi do të veprojmë”, thotë ai.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj, thotë se janë duke pritur që prej marsit mbështetjen e shtetit për biznese dhe punëtorë të afektuar nga pandemia.

“Ne jemi në korrik, ndërsa pagat e prillit ose pagat e dyta ende nuk janë ekzekutuar. Është pastaj pjesa e qirave që ende nuk është ekzekutuar ose pjesërisht është ekzekutuar. Përderisa paraja e gatshme nuk futet në funksion atëherë secili biznes do të ketë problem të mbijetesës pasi nuk jemi duke folur për fitim sepse ky vit nuk besohet që do të ketë fitim”, tha ajo.

Edhe kryetari i Bordit të Odës së Afarizmi të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi shprehet se vonesat e zbatimit të këtyre masave emergjente tashmë kanë humbur edhe efektin kësaj mbështetjeje të vonuar për bizneset dhe punëtorët.

Madje, Krasniqi përveç që po konsideron se pagat nga 170 euro janë mjaft minimale, ai po kërkon që mbështetja për bizneset dhe punëtorët të vazhdojë të paketën deri në shtator, për të mos u larguar punëtorët nga puna dhe falimentuar bizneset.

“Për këta tre muaj e gjysmë ende nuk janë ekzekutuar as edhe për një muaj, edhe ajo t’i thuhet pagë minimale që është shumë e vogël në krahasim me kërkesat dhe nevojat që i kanë qytetarët dhe punëtorët. Kemi pagën e dytë që as që ka filluar të diskutohet, janë qiratë dhe nevoja shumë e madhe është që të vazhdohet edhe për muajin qershor, korrik, gusht ndoshta edhe shtator në mënyrë që bizneset gjatë kësaj kohe të kenë një përkrahje për t’i mbajtur punëtorët në punë dhe të mos falimentojnë”, thotë ai.

Në anën tjetër Ministria e Financave në këtë kohë pandemie ka zgjedhur heshtjen, megjithatë duke hedhur fajin tek deputetët. Ndërsa, mijëra biznese dhe qytetarë të kategorisë sociale presin parat nga masat “3b” dhe masa e 15 e Pakos Emergjente Fiskale.

Vlen të theksohet se janë rreth 20 mijë familje të varfra që nuk kanë pasur asnjë të hyrë financiare me muaj të tërë as nga sektori publik e as privat. Kjo ka rënduar edhe më tej ekzistencën e tyre me vonesën e zbatimit të Pakos Emergjente.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit