0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Blegtorja në Shtupel të Klinës që kujdeset për 80 dhi (VIDEO)

Rekomandime

Të bardha, të zeza, me e pa brinjë, janë 80 krerë dhi që dalin nga dera prej druri e një ferme në fshatin Shtupel të Komunës së Klinës. Për to kujdeset fermerja Suzana Temaj.

Këtë veprimtari, ajo e nisi para 3 vitesh.

- Advertisement -

Nën shoqërinë e dy qenve ajo thotë për Sot të KTV-së se dhitë i lëshon për të kullotur çdo ditë në pjesën malore të fshatit. Sipas saj, koha e kullotjes dallon në bazë të stinëve të vitit. Përveç barit, gjetheve e sanës, Suzana thotë se mbjell edhe grurë për t’u siguruar bagëtive ushqim sa më kualitativ.

Cilësia e ushqimit, sipas Temajt, ndikon në sasinë e qumështit.

Makinën mjelëse, blegtorja nga Shtupeli, e përdor në të gjitha dhitë qumështore.

- Advertisement -

Kështu ajo siguron edhe kosin, djathin e gjizën. Me këto ajo plotëson nevojat ushqimore të familjes por edhe i shet ato në mënyrë që të fitojë financiarisht.

Shkaku i hapësirës së ngushtë në stallë, përveç si fermere, ka edhe raste kur Suzana kryen punët e një veterinareje. Ndonëse brenda i ka klasifikuar në grupe, sipas blegtores, kafshët e imëta nuk dinë të mbrohen nga rreziqet që u kanosen.

- Advertisement -

Deri para pak ditësh, ajo thotë se i duhej të bënte disa kilometra për ta siguruar ujin, kurse tani, Komuna e Klinës, pas një kërkese, i siguroi asaj një bunar.

Në planet e saj është zgjerimi dhe shtimi i numri të këtyre kafshëve. Por, për këtë, Temaj thotë se i duhet më shumë ndihmë nga shteti.

Ndërsa, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përveç ndihmave në trajtë subvencionesh, ndihmë duhet të ketë edhe nga komunat.

“Fermerët aplikues mbështeten për investimet e realizuara në ferma (grantet pa kthim), nga 60–65% të investimit të realizuar.

Investimet përfshijnë: ngritjen e stallave, infrastrukturës në fermë, pajisje dhe mekanizëm sipas llojit të veprimtarisë. Nga Plani për zhvillim rural përfitojnë edhe industria përpunuese për të gjitha llojet e prodhimeve blegtorale: qumështi, mishi dhe mjalti.

Edhe industria përpunuese e prodhimeve blegtorale mbështetet (granti pa kthim), me 60% të kostos së investimeve. Investimet përfshijnë: ngritjen e objekteve, renovimin dhe zgjerimin e kapaciteteve aktuale të objekteve, kompletimin e linjave teknologjike dhe implementimin e standardeve të sigurisë së ushqimit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në kuadër të investimeve, sipas Planit për zhvillim rural, industria përpunuese mund të përfitojë edhe për promovim dhe marketing. Përmes Programit për pagesa direkte (subvencionet) përfitojnë fermerët të cilët plotësojnë kriteret sipas legjislacionit. Pagesa direkte bëhen për njësi krerë kafshë blegtorale, njësi litër dhe kg. të prodhuar, familje bletësh dhe pulë vojse”, ka thënë Ministria e Bujqësisë.

Në përgjithësi, Komuna e Klinës është e njohur për blegtori, ku edhe dominojnë stallat me dhi.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit