Pasioni, dashuria për fanellën dhe loja me zemër vlerësohen prej tipareve kryesore të Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Edhe kur Kosova nuk shfaq cilësinë të cilën e presin tifozët, angazhimi në fushë shpesh kompenson paraqitjen e lojtarëve në fushën e lojës.
Futbollistët e Çekisë janë bindur për pasionin e madh te Kosova dhe tifozët e saj, në pasditen e 7 shtatorit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Çekia ishte shfaqur më shumë në pjesën e parë të asaj ndeshjeje, por në fund pësoi me shifrat 2:1. Pasoi festë e madhe për atë fitore që vlerësohet me shumë peshë në rrugëtimin e “dardanëve” që shpresohet se si pikëndalje do ta ketë Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.
Kosova do të zhvillojë garë të fortë me Çekinë deri në fund të ciklit kualifkues për vendin e dytë në grup, që dërgon në Evropian. Me shumë peshë, madje vendimtare, vlerësohet ndeshja e 14 nëntorit në Plzen të Çekisë.
Në atë ndeshje kyç, Çekia do të luajë në “kartën” e Kosovës. Me lojë me zemër, me përkrahje të zjarrtë nga tribunat do të mundohet ta mposhtë Kosovën dhe kështu të bëjë hapin vendimtar drejt Evropianit.