0.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Çfarë do të thotë dhe sa zgjat garancia e shteteve për të akuzuarit e Speciales?

Rekomandime

Ish-gjenerali Hisen Berisha ka deklaruar së fundmi se sipas informacioneve, Kroacia, Sllovenia dhe Austria kanë ofruar garancë për mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

- Advertisement -

Në një prononcim për lajmi.net, njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, ka thënë se garanca nga një shtet ofrohet për të siguruar Gjykatën se të dyshuarit nuk do t’i ikin drejtësisë përderisa janë duke u mbrojtur në liri.

“Duke u nisë prej praktikës të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës dhe rastet që lidhen me krimet e luftës, zakonisht tentimi i institucionit në këtë rast presidentit apo kryeministrit për një shtet siç është Haga, më shumë ndërlidhet me faktin që do të sigurojnë se të njëjtit nuk do t’i bishtënojnë drejtësisë, të njëjtit do t’i përgjigjen ftesave të gjykatës në të ardhmen dhe të njëjtit nuk do t’i shkelin urdhrat që gjykata mund t’i japë në raport me atë që ndërlidhen me sjelljet e tyre në liri”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka thënë se këtë garancë shteti e ofron duke i siguruar të pandehurit përmes policisë apo organeve shtetërore në një farë mënyrë t’i respektojnë urdhrat që i jep Gjykata e Hagës.

- Advertisement -

Tutje, Miftaraj folur edhe për kohëzgjatjen e garancës që mund të ofrojnë institucionet e një shteti.

“E para, në bazë të asaj që pritet të kemi një proces gjyqësor së paku deri në 5 vite, në bazë të praktikave të mëhershme dhe në bazë të asaj që Gjykata Speciale në Hagë është e obliguar të zbatojë praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pothuajse do të jetë e pamundur për çdo të akuzuar që po qëndron në Hagë, të qëndrojë më shumë se një vit në paraburgim. Andaj, në këtë rast gjyqtarët e Gjykatës Speciale duhet të gjejnë forma dhe mundësi që të sigurohen që pandehurve të mos ju shkelen liritë e tyre në mënyrë që të ketë proces gjyqësor të drejtë. Në anën tjetër ata duhet të marrin garanca, të sigurohen që të pandehurit do t’i përgjigjen Gjykatës në të ardhmen, që nënkupton që në momentin kur fillon shqyrtimi gjyqësor, ka mundësi që të pandehurit të rrinë me muaj të tërë në Hagë për të marrë pjesë në seanca gjyqësore por që gjatë vikendeve mund të kthehen në Kosovë që të jenë afër familjeve të tyre”, ka thënë Miftaraj për lajmi.net.

- Advertisement -

Në fund, ai ka thënë se Policia e Kosovës nuk do të mund të ofrojë një garancë të tillë për shkak se sipas tij, të pandehurit dhe Policia e Kosovës do të ishin në ‘konflikt interesi’.

“E para Policia e Kosovës kishte ofruar garanca të tilla, por Policia e Kosovës është në një lloj ‘konflikt interesi’ në raport me të pandehurit, sepse Policia e Kosovës do të duhej që në të ardhmen të zbatojë urdhrat e Gjykatës Speciale në raport me të pandehurit. Duhet ta përsëris që në momentin kur një shtet ofron garanca, natyrisht që palët dhe shteti mundohen që t’i dalin zot fjalëve të veta”, ka thënë Miftaraj.

Kujtojmë se pas raportimit se presidenti kroat ka ofruar garancë për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, ka pasur reagime edhe nga opozita në Kosovë, të cilët kanë kërkuar nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti që të ofrojnë garancë në emër të shtetit për të akuzuarit që po mbahen në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga Gjykata Speciale, janë duke u mbajtur në Hagë që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit