1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Çfarë e solli rënien e Zaevit

Rekomandime

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut e kanë rrëzuar kryeministrin Zoran Zaev. Pas humbjes së konsiderueshme të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) në raundin e dytë të zgjedhjeve, Zaev njoftoi dorëheqjen duke marrë përgjegjësinë për rezultatin.

“Përgjegjësia për këtë rezultat është e imja dhe unë jap dorëheqje si kryeministër dhe si udhëheqës i LSDM-së”, tha Zaev.

- Advertisement -

LSDM-ja e humbi mbështetjen në një numër komunash kryesore karshi partisë opozitare nacionaliste të krahut të djathtë, VMRO-DPMNE.

Rezultatet zyrtare nuk ishin shpallur ende, por Zaev pranoi humbjen edhe në garën më të rëndësishme – atë për kryetar të kryeqytetit.

Kryetari aktual i Shkupit, Petre Shilegov humbi nga kandidatja e pavarur, Danela Arsovska, e mbështetur nga VMRO-DPMNE. Ajo është kryetarja e parë grua e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.

- Advertisement -

Zaev e uroi Arsovskën, ndërsa u zotua se do të qëndrojë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Ai hodhi poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kandidatët e mbështetur nga partia kryesore opozitare, VMRO-DPMNE kanë fituar mbi gjysmën e komunave të vendit (80 janë në total), me LSDM-në që ka fituar në më pak se 20 prej tyre.

- Advertisement -

Përveç Shkupit, LSDM-ja humbi postet e kryetarëve të komunave në Kumanovë dhe Manastir, ndërsa partneri i saj i koalicionit dhe partia më e madhe shqiptare, BDI-ja, e humbi Tetovën. Këto janë qytetet më të mëdha të Maqedonisë së Veriut.

Rezultatin e bën krejt të papritur fakti që në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017, LSDM-ja kishte fituar në 57 komuna, ndërsa VMRO-DPMNE kishte fituar vetëm në 5 prej tyre.

Ndërkohë, mbështetësit e VMRO-DPMNE-së festuan të dielën vonë para selisë së partisë nën tingujt e ‘Bella Ciao’, një këngë antifashiste italiane që u bë sinonim i protestave dhe mitingjeve të organizuara nga kundërshtarët e tyre, LSDM.

Rezultatet zyrtare priten të bëhen të ditura sot më vonë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Partia qeverisëse tani është delegjitimuar dhe ky është një realitet i ri. Zgjidhja më e mirë tani janë zgjedhjet e parakohshme”, tha Mickoski, pasi shpalli fitoren në zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën në korrik të vitit 2020.

Koalicioni qeverisës ka një shumicë të vogël, me 62 vende në Parlament prej 120 vendesh sa janë gjithsej – 46 nga koalicioni “Ne mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja me 23 parti të tjera, 15 vende i përkasin BDI-së dhe një Partisë Demokratike të Shqiptarëve.

VMRO-DPMNE kryeson koalicionin “Ripërtëritje” të partive të vogla aleate, i cili ka 44 vende në Parlament, ndërsa Aleanca e Shqiptarëve ka 12 dhe partia e majtë ekstreme dhe e majta nacionaliste dy ulëse.

Nëse Parlamenti e pranon dorëheqjen e Zaev, negociatat do të fillojnë për të formuar një kabinet të ri qeveritar nën udhëheqjen e LSDM-së. Kjo mund të marrë pak kohë.

Dje ishte hera e parë në historinë 30-vjeçare të Maqedonisë së Veriut që një kryeministër jep dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet lokale.

Gjatë mandatit të tij të parë, nga viti 2017 deri në vitin 2020, Zaev zgjidhi mosmarrëveshjen e gjatë me Greqinë për emrin e vendit duke nënshkruar Marrëveshjen e Prespës në vitin 2018.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit