2.5 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Çka premtuan Vitia dhe Rama nëse fitojnë garën në Prishtinë

Rekomandime

Më 14 nëntor në Kosovë do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale 2021. Garë e ashpër pritet të zhvillohet në komunat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe Prishtinën, ku për të parin e kryeqytetit garojnë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Të dy kandidatët në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, kanë folur për projektet dhe synimet që kanë nëse arrijnë të fitojnë mandatin për të udhëhequr kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

- Advertisement -

Premtimet për zgjidhjen e problemeve në komunikacion:

Arben Vitia, LVV

Sa i përket kaosit në komunikacion, Vitia premtoi se do të investojnë shumë në trafik.

- Advertisement -

“Do të përmirësohen edhe trotuaret, ku ecja nuk do të jetë më vetëm aktivitet i zorit por edhe i qejfit. Transportit publik do t’i shtohet autobusët e rinj, ku numri i tyre pritet të arrij në 160. Me këtë flotë të autobusëve qytetarëve do t’iu lehtësohet trafiku dhe nuk do të kenë nevojë të marrin makinën për punët e tyre”, pohoi ai.

Vitia thotë se edhe “Rruga A” do të lehtësojë shumë komunikacionin në kryeqytet.

- Advertisement -

“Do të ketë një qasje të re për në autostradë dhe qytetarët nuk do të kenë nevojë të futen në këto nyje problematike”.

Përparim Rama, LDK

Investime në trafik u zotua se do të bëjë edhe kandidati I LDK-së, Përparim Rama.

Rama ka deklaruar se tashmë e kanë një plan se si do të zgjidhin problemin e trafikut.

“Neve na mungon infrastruktura, neve na mungon Rruga “A”, Rruga “B”, ato mungojnë, ku banorët e Prishtinës së re, në vijnë nga pjesa e Veternikut duhet të hyjnë nga qendra për të shkuar në këto zona. Këto nuk ekzistojnë. E kemi në plan që ajo në të njëjtën kohë e zgjidh përveç problemin e trafikut edhe kundërmimit, kanalizimit. Është edhe pasiguri e madhe për fëmijët që rriten nëpër këto lagje. Me krijimin e Rrugës “A”, e zgjidhim një problem të madh dhe kur e lidhim me Rrugën “B”, të gjitha këto zona do të kenë mundësi në qasje të drejtpërdrejtë me magjistralen”, është shprehur Rama.

Premtimet për investime në shkolla:

Arben Vitia, LVV

Kandidati i LVV-së thotë se investimet në shkolla do të jenë të barabarta për secilën lagje.

“Prishtina do të jetë qytet policentrik, por unik. Në veçanti janë disa lagje ku kemi problem me shkolla. Është lagjja “Prishtina e re” që ka një ekspansion të madh të qytetarëve që nga paslufta dhe ende nuk kemi ndonjë shkollë. Kemi lagjen “Mati 1” që poashtu kemi ekspansion të jashtëzakonshëm të ardhjeve dhe kemi vetëm shkollën “Pavarësia” që as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e lagjes… I njëjti problem është edhe në lagjen “Kalabaria”. Edhe në lagjen “Sofalia” poashtu mungon një shkollë dhe problemi i njëjtë është edhe në lagjen “Arbëria”.

“Për shkak të distancës gjeografike, rrezikohen fëmijët që kalojnë nga një lagje në lagjen tjetër, dhe nga ana tjetër mbingarkohen shkollat e lagjeve tjera…Këto pesë shkolla do të fillojnë menjëherë të ndërtohen dhe do të përfundohen brenda mandatit”, tha ndër të tjera Arben Vitia.

Përparim Rama, LDK

Kandidati i LDK-së, ka premtuar ndërtimin e shtatë shkollave si dhe nga 70 euro për fëmijët e familjeve me të ardhura të ulëta.

“Kemi paraparë shtatë shkolla brenda mandatit 4-vjeçar. Tri do të ndërtohen dy viteve, derisa tjerat gjatë dy viteve tjera të mandatit. Do të ndërtohen shkolla që i shërbejnë Qëndresës, Matit, Sofalisë, Kalabrisë, Kodrës së Trimave dhe Përroit të Njelmët. Janë këto shkolla që do të ndërtohen në mandatin tonë 4-vjeçar”.

“Ne kemi 8 çerdhe publike dhe tetë të tjera të lidhura me komunitet. Kemi njëkohësisht edhe 100 çerdhe tjera private. Pra nuk kemi problem me objektet fizike, problem është se familjet nuk kanë mundësi të paguajnë çerdhet që shkojnë 120 euro e më tepër”.

“Ne kemi zgjidhje për këtë. Familjet që marrin më pak 500 euro ne do t’i subvencionojmë me nga 70 euro për çdo fëmijë që dërgojnë në çerdhe. Kjo na del më lirë se të ndërtojmë çerdhe të reja dhe njëkohësisht mbështesim sektorin privat”, deklaroi ndër të tjera Rama.

Premtimet për zhvillimin ekonomik:

Arben Vitia, LVV

Kandidati i LVV-së thotë se do të ndihmohet rinia përmes subvencionimit të start-up bizneseve.

“Në sektorin e IT-së kemi një rini që ka potencial të madh. Sot isha në ICK ku ishin mbi 550 biznese që kishin punësuar të rinj kryesisht në sektorin e IT-së. “Kemi pjesën e vjetër të kryeqytetit ku për shkak të mos investime për një kohë të gjatë, shpeshherë qytetarët i shmangen asaj zone dhe nuk dëshirojnë të kalojnë andej dhe bizneset e vuajnë këtë. Ne kemi plane për rivatalizimin e zonës së vjetër qoftë edhe estetik, duke riaktivizuar shumë profesione artizanale që tashmë kanë vështirësi në ushtrimin e aktivitetit të tyre”.

Përparim Rama, LDK

Kandidati i LVV-së thotë se zhvillimi ekonomik e kryeqytetit do të lidhet me rivitalizimin e objekteve ikonike siç është Pallati i Rinisë por edhe fuqizimin e sektorit të IT-së.

“Kemi sektorin e Teknologjisë Informative. Kemi 500 kompani me 5 mijë inxhinierë të punësuar në mbarë botën. Ne do ta fuqizojmë këtë sektorë përmes hapësirave që do t’iu krijojmë. Por do ta rivitalizojmë edhe Pallatin e Rinisë ku do të ketë hapësira për start-up të rinj”, tha ai.

“Por do të fuqizojmë edhe zonat rurale edhe përmes turizmit malorë. Zona e Gollakut ka një natyrë fantastike. Ka fshatra që janë të fokusuara në sport, çiklizëm, hiking do t’iu mundësojmë rrugët. Ka fshatra tjerë që janë të fiksuar në kultivimin e frutave”, deklaroi ndër të tjera Përparim Rama.

Qeverisja në Prishtinë, koalicionet e mundshme:

Arben Vitia, LVV

Vitia ka thënë se nëse fiton garën, do ta ketë një ekip të jashtëzakonshëm profesionistësh në qeverisje.

“Ekip i jashtëzakonshëm me integritet të jashtëzakonshëm të dëshmuar në profesionet e tyre për shumë vite. Sot nuk mund t’i përmendi emrat e tyre pasi jemi dakorduar të mos behën publike emrat derisa të fillojmë punën. Janë kandidatë të jashtëzakonshëm në profesionet e tyre. Prej dy vitesh kam filluar diskutimet me ta. Ende nuk kemi diskutuar për koalicione. Natyrisht se në Lëvizjen Vetëvendosje koalicionet bëhen me miratimin e Këshillit të Përgjithshëm. Ne kemi qenë shumë të zënë në takime me qindra qytetarë. Kemi pasur takime me kategori të caktuara sociale, biznesore e jo vetëm dhe akoma nuk e kemi diskutuar këtë çështje. Besojmë se do të diskutohet kur t’i vjen radha”, deklaroi ndër të tjera Vitia.

Përparim Rama, LDK

“Gjatë gjithë kohës ne jemi duke negociuar me qytetarin. Me qytetarin e Prishtinës pa dallim”, tha ai.

“Ne i kemi idetë dhe programet që janë të lidhura drejtpërdrejtë me jetën e banorëve të Prishtinës dhe tashmë e kemi fituar besimin e tyre me projektet konkrete”.
Nëse fiton garën Rama thotë se do të ketë një ekip profesionistësh.

“CV-ja e ekipit tim do të ketë rëndësi të madhe. Ekipi do të jetë i bazuar në profesionistë dhe menaxher të mirë. Nuk ka rëndësi se nga cila parti janë apo janë të pavarur. E rëndësishme është që ata të jenë menaxher të mirë sepse na duhen që ta shndërrojmë Prishtinën në qytet për të mirën e qytetarëve”, deklaroi tutje Rama.

Ndryshe, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 17 tetor, Arben Vitia ishte radhitur i pari me 42,54% të votave, apo 36 mijë e 818 vota.

Kurse, Përparim Rama ishte radhitur i dyti më 29,17%, apo 25 mijë e 252 vota.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit