1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Dëgjoi se gjyshja s’e kishte kujdesin e duhur, nipi vishet si mjek dhe futet në spital

Rekomandime

Kur Sergei Samborsky dëgjoi nga një pacient në një spital për sëmundje ngjitëse në qytetin siberian, Tomsk, se gjyshja e tij 84-vjeçare, paciente me sëmundjen Alzheimer, që po trajtohej në një repart të izoluar për Covid-19, nuk po ushqehej dhe nuk e kishte kujdesin e duhur, u dëshpërua fort.

Ai iu lut punëtorëve të spitalit që ta lejonin që të përkujdesej vetë për gjyshen, por ata refuzuan që ta pranonin në zonën e kufizuar, që e quajnë edhe zonë të kuqe, shkruan Radio Free Europe.

- Advertisement -

Kështu, ai e bëri gjënë e vetme që i ra në mend për ta ndihmuar gruan që e kishte rritur nga fëmijëria: u vesh si mjek me pajisje mbrojtëse dhe shkoi për ta parë gjyshen e vet, Yulia Yemelyashina.

Nën rrobat mbrojtëse, ai fshehu pelena për të rritur, rroba të veçanta kundër plagëve që shkaktohen nga qëndrimi i gjatë shtrirë në shtrat dhe lëndë ushqyese që mund të jepeshin në mënyrë intravenoze. Sergei u fut befasisht lehtë në zonën e mbyllur. “Nuk kishte sigurim”, tha ai. Megjithatë, ajo që pa brenda e tmerroi.

Yulia Yemelyashina, e shtrirë në spital (Pamjet: REL)

“U futa në repart dhe pyeta se ku ishte pacientja. Duke u thënë se isha terapist nga një repart tjetër, hyra brenda. Gjyshja ime ishte shtrirë në një pellg me urinë e jashtëqitje. Kishte të vjella në gojë dhe maskën e oksigjenit e kishte në ballë”, rrëfen nipi i saj.

- Advertisement -

Më vonë, Sergei publikoi një video të tmerrshme të incidentit në rrjetet sociale, duke e shfaqur gjyshen pa vetëdije, me mavijosje e varrë në trup, të shtrirë në një dyshek të njollosur me urinë.

Në hyrjen e tij të tretë në zonën e kuqe, një mjek filloi që ta merrte në pyetje nga afër të riun, që e zbuloi dhe e dëboi. Atij iu duk se i ka mbetur vetëm edhe një rrugë për veprim.

- Advertisement -

“E dita menjëherë se më duhej që të shkoja në Moskë, nëse doja që ta shpëtoja gjyshen time. Nuk kishte kuptim që të shkoja te prokurorët në Tomsk”, tha Sergei.

“Shpresa ime e vetme ishin prokurorët federalë. Doja që të shkoja edhe te presidenti (Putin). Raportova në Komitetin e Hetimeve për shkeljet në punën e spitalit”, shtoi ai.

Sergei Samborsky, nipi që e bëri veprimin e veçantë për gjyshen e vet (Pamjet: REL)

Drejtori i Spitalit për Sëmundje Ngjitëse në Tomsk, Aleksandr Kholopov, është figurë e njohur në atë rajon dhe dikur ka shërbyer si shef i Departamentit të Shëndetësisë. “Ata (prokurorët) të gjithë e njohin Kholopovin dhe përsëri do ta mbulonin çështjen për të”, tha nipi i dëshpëruar.

Sergei u kthye nga Moska në Tomsk më 29 tetor, por nuk pati mundësi që ta vizitonte gjyshen. Në vend të kësaj, administratorët e spitalit kërkuan nga ai që ta merrte gjyshen dhe të nënshkruante një deklaratë për refuzim të kujdesit, ndonëse ajo ende po trajtohej për pneumoni dhe kishte temperaturë të lartë. Nipi i saj refuzoi.

Një ditë më pas, gjendja shëndetësore e zonjës së moshuar u përkeqësua. Ajo u dërgua në repartin e kujdesit intensiv dhe u vendos në ventilator. Ajo vdiq më vonë atë ditë nga koronavirusi, pneumonia dhe dështimi akut i zemrës dhe i mushkërive, sipas një raporti të spitalit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit