1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Deklarata e Ministrit Rakiq mund të mos përbejë çështje për Kryeministrin Kurti, por për Prokurorinë Speciale po

Rekomandime

Deklarata e fundit e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq, mund të mos përbëjë çështje për Kryeministrin e vendit Albin Kurti, por për Prokurorinë Speciale po.

Kështu të paktën pohon ish-kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net. Ndërkohë që opozita e shoqëria civile kanë kërkuar shkarkimin e Ministrit serb të Qeverisë së Kosovës për paraqitjen e së mërkurës, njohësit e ligjit po thonë se Rakiq konsumoi edhe vepër penale me deklarimin e tij. Atë të nxitjes së urrejtjes, përçarjes e mosdurimit racor, e dënueshme deri në 10 vite burgim, maksimumi, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

- Advertisement -

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Kurti, Goran Rakiq, aksionin e së mërkurës anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës në veri të vendit e ka krahasuar me “Natën e Kristaltë” në Gjermani, duke thënë se “Kjo është çështje jete a vdekjeje për të gjithë serbët dhe kjo është ‘Nata e Kristaltit për ne. Është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, njëherësh profesor i së Drejtës Penale, Fejzullah Hasani, ka thënë për Gazetën Reporteri.net se me këtë deklaratë, Ministri Rakiq ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes e mosdurimit racor.

Për këtë, ai ka theksuar se edhe Prokuroria Speciale e Kosovës do të duhej të reagonte.

- Advertisement -

“Për bindjen time, unë mendoj edhe e vlerësoj se ai me këtë lloj krahasimi, ai ka bërë një lloj nxitje të urrejtjes, përçarjes, mosdurimit racor, veçmas kur kemi të bëjmë me situatat kur mosdurimi në mes të dy komuniteteve është i nivelit të tillë që me deklarime të tilla mund akoma më shumë ta thellojnë atë lloj mosdurimi. Për mua, për bindjen time sërish, Prokuroria Speciale duhej të vihej në lëvizje, ngase unë vlerësoj se ai me këto veprime, veçse ka konsumuar element të veprës penale dhe ata do të duhej të ndërmarrin veprime të caktuara për të pa se deri ku në aspektin penal ka qenë deklarimi i zotit Rakiq”, ka thënë Fejzullahu të premten për Reporteri.net.

- Advertisement -

Hasani ka thënë se kur deklarime të tilla bëhen publikisht, janë edhe më të rënda.

“Përhapja e mosdurimit etnik, racor, fetar, veçmas kur ato bëhen thirrje publike ose për deklarime të tilla publike, por akoma më e rëndë në aspektin penal kur kemi të bëjmë me një person zyrtar i nivelit të tillë, pozitën çfarë e mban zoti Rakiq”, ka potencuar ai.

Profesori i së drejtës penale theksoi edhe njëherë se deklarime të tilla nxitin akoma më shumë urrejtje mes dy komuniteteve.

“Gjithashtu që në aspektin penal konsideroj se ai veçse është fut në zonën penale dhe prokurori duhet që të ndërmarr veprime”, shtoi Hasani në bisedën për Gazetën Online Reporteri.net.

“Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, deri në sa vite parashihet dënimi me burg

Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, renditet tek Kapitulli XIV i KPRK-së, që përkufizon “Veprat penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikë së Kosovës” dhe është dënueshme deri në 10 vite burgim maksimumi.

Neni 141 i këtij kodi penal, thotë se veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” e konsumon “1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.

“2. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni ose shkakton trazira, dh.unë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”.

“3. Kushdo që kryen veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni përmes shtrëngimit, rrezikimit të sigurisë, përqeshjes së simboleve kombëtare, racore, etnike apo fetare, duke dëmtuar pasurinë e personit tjetër ose duke përdhosur monumentet apo varrezat, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”.

“4. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën penale nga paragrafi 3. i këtij neni ose shkakton trazira, dh.unë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet”.

Edhe Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se në çdo shtet normal, kur një ministër sikur Rakiqi vepron kundër rendit kushtetues dhe juridik të shtetit që ai përfaqëson, do të mund të kishte pasoja edhe në aspektin penal.

Miftaraj ka thënë se më e pakta që mund të pritet nga një kryeministër është që një ministër të tillë si Rakiq ta shkarkoj nga pozita e Ministrit.

“Shkarkimi do të ishte mesazh se nuk tolerohen sjellje dhe veprime ndaj askujt që cenon vlerat e mbrojtura me Kushtetutë. Përderisa sipas Kushtetutës së Kosovës dhe pritjeve të publikut në Kosovë, shkarkimi do të ishte vendimi më legjitim i mundshëm dhe që do të promovonte poashtu edhe ligjshmërinë në Kosovë, fatkeqësisht njëjtë nuk janë duke menduar edhe një pjesë ose disa zyrtarë të lartë të BE-së”, ka thënë Miftaraj për Gazetën Reporteri.net.

Opozita kërkon shkarkimin e për Kthim e Komuniteti – Kryeministri Kurti thotë se Rakiq “nuk është çështje”

Pos nga njohësit e ligjit, deklarata e Rakiqit, ka bërë që të kërkohet shkarkimi i tij edhe nga opozita në Kosovë. Një kërkesë e tillë është bërë nga AAK-ja dhe LDK-ja.

Krahas kërkesave për shkarkim të ministrit Rakiq, kryeministri i vendit Albin Kurti ka lënë të kuptohet dje se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Kurti ka thënë se Qeveria me veprimet e saj ka goditur nervin e çështjes, që është Iuftimi i KRlMlT të organizuar korrupsionit e kontrabandës, ndërsa theksoi se Rakiqi nuk është çështja, por nëse shkarkohet bëhet çështje.

“Më lejoni të them që Qeveria jonë me veprimet tona e ka godit nervin e çështjes e ky është Iuftimi i KRlMlT të organizuar korrupsionit e kontrabandës. Përveç se po kemi sukses me hetimet tona intensive në të njëjtën kohë po ndodh një demaskim gjigant i Serbisë sa i përket përpjekjes së saj destruktive me strukturat saj ilegale në Kosovë. Qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht për shkak se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vuçiqi nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të drejta e të ligjshme të qeverisë tonë. Ne kemi goditur nervin e çështjes”.

“Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje”, u ka thënë Kurti mediave dje në Prizren.

Nga ana tjetër, Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, deklaroi të enjten se gjatë mandatit të tij si kryeministër kishte shkarkuar dy ministra të qeverisë, të komunitetit serb. Njërin për shkak të deklaratave të tij për nënat gjakovare dhe tjetrin për shkak të qëndrimeve të kundërta dhe të dëmshme kundrejt politikave të qeverisë, ku ai bënte pjesë.

“Nuk i kam shkarkuar për shkaqe të mospunës apo se ishin serb”, shtoi ish-kreu i LDK-së.

E deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka kërkuar shkarkimin e Rakiqit duke e quajtur obligim kombëtar.

“Deri kur duhet të vazhdojmë t’i paguajmë me taksat e qytetarëve tanë ata që çdo dit punojnë kundër shtetit tonë që e arritëm me sakrifica ndër breza. Shkarkimi i z. Rakiç është obligim kombëtar”, kishte shkruar ai në Facebook.

Reagim për deklaratën e rrezikshme të Rakiq pati edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili e ka quajtur të papranueshëm një krahasim të tillë.

“Stop! Krahasimi i aksionit të sotëm policor me ‘Natën e kristaltë’ është i papranueshëm.

Krahasime të tilla kontribuojnë drejt narracionit të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. Mbroni faktet”, kishte shkruar ambasadori gjerman në Twitter, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Twittin e tij, në ditën kur u dha deklarimi nga ana e Ministrit serb të Qeverisë së Kosovës, e shpërndanë në profilin e tyre edhe ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.

“Nata e Kristaltë”

Më 9 nëntor 1938, nazistët gjermanë filluan terronin ndaj herbrenjve, atë që njihet si “Nata e kristaltë”.

Më 7 Nëntor 1938, një djalosh i ri hebre qëlloi për vdekje diplomatin gjerman Ernst von Rath në Ambasadën Gjermane në Paris. Akti erdhi si pasojë e revoltimit të të riut si pasojë e torturave që kishte filluar të shfaqte regjimi nazizt ndaj popullatës hebre. Familja e të riut ishte dëbuar dhunshëm për në Poloni me urdhër të autoriteteve naziste. Ngjarja bëri bujë në shtypin ndërkombëtar dhe bota që nga ajo natë ishte në panik. Dyqanet filluan të mbuloheshin me grafite antisemite. Ministri gjerman Joseph Goebbles urdhëroi që lajmi për vrasjen e Rathit të ishte në të gjitha gazetat ditore gjermane.

Ishte nata e 9 Nëntorit të vitit 1938, kur nazistët gjermanë filluan terrorin ndaj hebrejve në Gjermani dhe Austri, duke përdorur si pretekst pikërisht këtë ngjarje. Atë natë u dogjën më shumë se dyqind sinagoga, u përdhosën varrezat e hebrejve dhe u thyen gjithë dyqanet e tyre. Nga gjithë xhamat e thyer dhe të rënë nëpër tokë, që dukeshin si kristale në atë natë mizore 9 nëntori njihet në historinë moderne të njerëzimit si “Nata e Kristaltë” (Kristallnacht). /Reporteri.net/.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit