2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Deputeti i VV’së: Serbia është destruktive, nuk mund të japim premtime për dialogun

Rekomandime

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, thotë se nuk mund të japin premtime për rezultatin final të dialogut, pasi Serbia nuk ka gatishmëri për marrëveshje dhe vazhdimisht është destruktive.

Ai thekson për KosovaPress se Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis për linjat vitale të shtetit. Ndërkohë, flet edhe për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në ShBA, anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe momentumin për liberalizim të vizave.

- Advertisement -

“Na vjen keq për këtë mosgatishmëri për të dialoguar dhe për të arritur marrëveshje konkrete nga ana e Serbisë. Serbia dukshëm ka një qasje destruktive, ndoshta kjo është si pasojë e politikës së gabuar të bartësve të pushteteve të kaluara në Kosovë. Tash kemi një qëndrim krejt tjetër, qeveria e re nuk e ka ndërmend të negociojë në dëm tonin për një marrëveshje e cila nuk do të vije kurrë me gjasë me këtë qasje. Andaj ne jemi aty për të zgjidhur problemet dhe jo për të bërë kompromise për linjat vitale të shtetit tonë, siç është sovraniteti, integriteti territorial dhe shumë e shumë kompromise të dëmshme që i kemi pasur të kaluarën. Jemi të interesuar për dialog dhe zgjidhje, por jo në dëm të tonin… Nuk mund të japim premtime për rezultatin final të këtyre bisedimeve. Ajo çka na takon neve është të kemi gatishmëri të bisedojmë, natyrisht edhe për marrëveshje, por gjithmonë duke marrë parasysh interesat tona”, thotë ai.

Kryeministri Kurti është duke qëndruar prej dy javësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shefi i ekzekutivit është vënë në qendër të kritikave që gjatë kësaj vizite ka pasur pak takime të nivelit politik.

Mirëpo Abrashi shton se opozita po mundohet të zhvlerësojë vizitën e kryeministrit Kurti në ShBA duke thënë se është e rëndësishme të krijohen partnerë ekonomikë.

- Advertisement -

“Kemi të bëjmë me vizita dhe lidhje me kompani që ndoshta kanë buxhet dhjetëfish më shumë se buxheti i Republikës së Kosovës. E kuptoj këtë cinizmin e opozitës që mundohen të degradojnë vizitën në diçka të parëndësishme në këto kompani, por duhet të keni parasysh se Kosova, aq sa ka nevojë për partnerë politikë, ka nevojë edhe për partnerë ekonomikë. Një nga pikat tona vitale të interesit është bindja e investitorëve të rëndësishme sikur vendet ku i vizitoi zotëri Kurti, kompania Uber, Microsoft edhe të tjera të cilat do të hapin një kapitull të ri për vendin tonë dhe uroj që rezultatet e këtyre vizitave t’i shohim shumë shpejtë. Natyrisht presim edhe takime me nivelin politikë në ShBA”, shton ai.

Duke folur për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, deputeti i mazhorancës thotë se shtetet anëtare të BE-së duhet të kenë parasysh nevojën e integrimit evropian të Kosovës.

- Advertisement -

“Duke marrë parasysh këtë momentum të ri, natyrisht është një situatë e favorshme, porse vendimet përsëri varen nga këto qarqe vendimmarrëse. Ne urojmë që shtetet anëtare të BE-së të kenë parasysh këtë, Kosova duhet të jetë pjesë e integrimeve evropiane duke pas parasysh rrethanat e reja në Evropë. Pasi kemi të bëjmë me një pozicionim mes demokracisë dhe autokracisë. Në anën tjetër e kemi një Serbi që nuk po këputë lidhjen e saj me shtete autokratike. Ka një pozicionim të gabuar duke refuzuar të aplikojë sanksione edhe ndaj shteteve agresore”, deklaron Abrashi.

Nga ana tjetër, Abrashi deklaron se tani është momentumi i duhur për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Republika e Kosovës tashmë ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Ndonëse faji nuk është tek ne, është si rezultat i mungesës së kompromisit tek vendet anëtare të BE-së. Ne urojmë që shumë shpejtë kjo të tejkalohet dhe qytetarëve tanë t’i mundësohet lëvizja e lirë, ashtu siç është zotuar dhe premtuar. Pas agresionit ushtarak në Ukrainë, është krijuar një momentum i ri në të gjithë Evropën. Po besoj se tash qarqet vendimmarrëse të BE-së dhe të tjerat e kanë parasysh se vetëm orientimi nga vlerat demokratike dhe perëndimore të cilat Republika jonë i ka bërë deri në thelb, duhet të na mundësojnë neve qasje në gjitha strukturat që tashmë i kemi proklamu se janë në interes tonin për inkuadrim”, përfundon Abrashi.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit