1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Deri në 10 vite burgim mund të dënoheni për zjarrvënie të qëllimshme

Rekomandime

Si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë rajone të ndryshme të Kosovës në javën e fundit, një qytetar i Malishevës ka humbur jetën.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dyshohet të jetë shkaktuar nga tymi i zjarrit.

- Advertisement -

Për zjarrvënie të qëllimshme, në dy ditët e fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar tri persona.

Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas nenit 322 të këtij kodi, kjo vepër penale është e dënueshme nga 6 muaj deri në 10 vjet burgim, varësisht formës së kryerjes së përcaktuar në kod.

- Advertisement -

“Nëse si rrjedhojë e zjarrvënies vije deri te humbja e jetës së ndonjë personi, Kodi Penal ka përcaktuar se kryerësi mund të dënohet edhe me burgim të përjetshëm”, thuhet në kod.

Medina Kadriu, hulumtuese ligjore në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), që monitoron punën e gjykatave në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dënime të kësaj natyre.

- Advertisement -

“Një dënueshmëri e kësaj natyre, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në fakt flet edhe për rrezikun që ka kjo vepër penale. Gjatë monitorimit të sistemit gjyqësor, ne kemi parë se nuk ka shumë raste që janë proceduar sipas kësaj vepre penale, aq më pak në drejtim të zjarrvënies ndaj pyjeve”, tha Kadriu.

Policia e Kosovës në raportin e saj ditor, të mërkurën, ka njoftuar edhe për incidente tjera të shkaktuara nga zjarret.

Berisha: Djegia e hamulloreve nuk i sjell dobi askujt

Bajram Berisha, profesor në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, tha për Radion Evropa e Lirë se shteti i Kosovës duhet t’ua bëjë me dije qytetarëve se djegia e hamulloreve të tyre rrezikon edhe jetën e qytetarëve.

Sipas tij, nëse zjarret e fundit që kanë përfshirë rajone të ndryshme të Kosovës, kanë ardhur si pasojë e djegies së hamulloreve, fajtorët duhet të dënohen.

“Dëmi është i madh, jashtëzakonisht i madh për faktin se po rrezikohet popullsia dhe natyrisht se dobia është zero sepse djegia e hamulloreve nuk është që i ndihmon ato. Të gjithë e dinë se kjo është e dënueshme që në një temperaturë të bëhen djegie të tilla, sepse nuk mund ta kontrollojë askush”, tha Berisha.

Djegia e hamulloreve, sipas profesorit Berisha, nuk duhet të ndodhë sepse nuk i ndihmon kulturës bujqësore.

“Njerëzit nuk janë të përgjegjshëm mjaftueshëm…që ta rrezikojnë tërë qytetin ose tërë shtetin me djegiet që i bëjnë, në njërën anë e rrezikojnë dhe në anën tjetër nuk përfitojnë asgjë. E dëmtojnë edhe pasurinë e vetë, edhe arat e veta dëmtohen shumë me djegien e hamulloreve”, tha Berisha.

Zjarret, ende aktive

Nehat Koqinaj, zëdhënës në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, tha për Radion Evropa e Lirë se zjarri në disa pjesë vazhdon të jetë aktiv dhe të kërcënojë me shtrirje të mëtutjeshme.

Ai tha se përgjegjës për këto zjarre janë vetë njerëzit.

“Zjarret të cilat kanë ndodhur në vise më të ulëta, janë kryesisht prej hamulloreve, prandaj arsyeja e këtyre zjarreve gati gjithandej, është prej faktorit njeri. Jo pa qëllim, por me qëllim”, tha Koqinaj.

Koqinaj tha se situata më e rënduar është në Bjeshkët e Nemuna dhe në fshatrat turistike në Rugovë të Pejës.

Dhjetëra hektarë sipërfaqe janë djegur nga zjarret në Zhiti dhe Pozheran të Vitisë dhe fshatrat Sopniq dhe Xërxë të Rahovecit.

Zjarret ka pasur edhe në një hapësirë pyjore në Bjeshkët e Moknës në Istog dhe në Shtupeq i Madh në Pejë si dhe në Bjeshkën e Baballoqit në Deçan.

Në Sfërk të Klinës, një shtëpi është përfshirë nga zjarri dhe përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur pasoja në njerëz.

Pse fermerët i djegin hamulloret?

Profesori i Lavërtarisë, Imer Rusinovci, shpjegon për Radion Evropa e Lirë arsyen se pse fermerët i djegin hamulloret pas korrjes së grurit.

Sipas tij, fermerët thonë se kanë më të lehtë të punojnë tokën nëse fillimisht i djegin mbetjet e kashtës pas korrje-shirjeve.

“Në bazë të shumë sondazheve në terren që i kemi bërë me njerëz, me fermerë të pandërgjegjshëm, logjika e tyre është që e djegin pasi kur të lëvrohet toka është më lehtë të lëvrohet, sepse nëse nuk digjet, kashta iu pengon gjatë lëvrimit sepse mbetet shumë kashtë pa korrur”, tha Rusinovci.

Ai tregoi se çfarë duhet të bëjnë fermerët në vend që të djegin hamulloret.

“Do të ishte mirë që pas korrje-shirjeve të përmbyset ose të bëhet një lavër e cekët, që kashta t’i nënshtrohet proceseve të mineralizimit, por jo të digjen, absolutisht”, tha profesori Rusinovci.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, të mos ndezin zjarre sepse përveç ndëshkimeve sipas legjislacionit në fuqi, po rrezikojnë edhe jetën dhe pronën e banorëve përreth./REL/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit