Reperi i njohur shqiptar, Mozzik, po shijon suksesin e projektit të tij muzikor më të fundit në bashkëpunim me reperin Tayna.
Kënga e tyre “Edhe ti” ka arritur që brenda pak ditësh të kapë shifra të larta klikimesh në YouTube, duke u shndërruar në njërën ndër këngët më të pëlqyer të momentit.
Teksa i gëzohet këtij suksesi përmes rrjeteve sociale, Mozzik së fundmi ka vendosur që të tregojë një histori interesante nga e kaluara, më saktësisht nga shkolla fillore.
Kur ishte në klasë të tetë, ai kishte marrë notën minimale në muzikë, e cila është 1 sipas kritereve të vlerësimit të arsimit në Kosovë.
Në një ‘selfie’ të publikuar së fundmi në rrjetin social Instagram, reperi nga Ferizaj ka shkruar një falënderim pikërisht për mësimdhënësin që e kishte vlerësuar me këtë notë në lëndën e muzikës.
“Faleminderit arsimtarit të muzikës që ma pati lënë 1 në klasë të tetë, prej asaj dite krejt zar numër 1”, ka shkruar Mozzik ndër të tjerash, duke e krahasuar kështu 1-shin e shkollës fillore me renditjen në vend të parë që e gëzon në tabelat e top listave vendore në ditët e sotme.
Vet reperi nga Ferizaj ka treguar në intervistat e mëparshme se nga rezultati i tij i dobët në shkollë, ai nuk kishte arritur ta përfundonte as shkollën e mesme.