4.5 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Dikush nga Kosova President i Shqipërisë? Megjithatë, është një pengesë e patejkalueshme

Rekomandime

Në Shqipëri po bëhen gati për të nisur procesin e negociatave ndërpartiake për emrin e presidentit të ri të vendit.

- Advertisement -

Zgjedhja e dikujt nga Kosova president në Tiranë është pothuajse e pamundur edhe pse kjo shpesh aktualizohet në shtypin e Tiranës.

Mentor Nazarko foli për pengesën e madhe që s’e lejon këtë dhe analizoi se çfarë e shkaktoi reagimin e vrazhdë të Ramush Haradinajt, kur dikush kishte shkruar se ai mund të ishte kandidat.

Çdokush në Prishtinë që mund të ëndërrojë të bëhet president i Shqipërisë, duhet të ketë lindur atje, përveçse të jetë shtetas shqiptar. Përndryshe, shkelet Kushtetuta. Për këtë ka folur Mentor Nazarko, analisti i çështjeve rajonale nga Shqipëria i cili sheh një dimension pozitiv në hipotezat që presidenti i ri të jetë nga Kosova. Ai i tha Gazetës Express se thashethemet që e mbajnë të aktualizuar këtë çështje mund të prodhojnë diçka të mirë.

- Advertisement -

“Në këtë që ju e quani aktualizim, ka një përmasë, ka një dimension pozitiv sepse gjithë ai animozitet që përpiqen do mendimtarë, do politikanë ta krijojnë midis dy pjesëve të opinionit publik kombëtar – animozitet fërkues, animozitet ndarës, animozitet përçarës – në njëfarë mënyre neutralizohet nga kjo, nga ky diskutim i përgjithshëm për atë se kush do të jetë president i Shqipërisë. Pra, shqiptarët ndjehen më afër me njëri-tjetrin dhe kjo është përmasa pozitive e këtij zhvillimi”, tha ai.

Nga ana tjetër, Nazarko thotë se kjo që po flitet merr shkas edhe në Shqipëri, ndonëse akti më i lartë juridik paraqitet si pengesë e pakalueshme.

- Advertisement -

“Sigurisht lidhet me faktin që Qeveria Rama ia ka lejuar vetes që të vendos dy ministra nga Kosova dhe në këtë kuptim, ideja e një presidenti të Shqipërisë që vjen nga Kosova duket gjithmonë e më reale”, tha ai. Por shton se “ka një pengesë, që është kushtetuese, sepse presidenti duhet të jetë shtetas shqiptar nga lindja”, Kështu, Nazarko tregon se “kjo dekurajon secilin prej atyre që ëndërrojnë, apo secilin prej atyre emrave që qarkullojnë”.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj reagoi ashpër të premten, pasi kishte parë se diku ishte shkruar se ai mund të bëhej president i Shqipërisë. Pasi tregoi se nuk është kandidat, Haradinaj shkroi për “gazetarë të shitur” e “mercenarë të mediave”, të cilët tha se kështu po bënin fushatë kundër tij.

“Kjo është një shpifje ordinere, e ulët, e pistë dhe për hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje”, tha ai përmes një postimi në Facebook pasi u kthye nga Shqipëria, duke siguruar se është dhe do të mbetet në Kosovë. Shqipëria – tha Haradinaj – i ka njerëzit e saj, që di t’i vendosë në krye të shtetit.

Raportimi i fabrikuar se kryetari i AAK-së mund të jetë president i Shqipërisë, Nazarko thotë se mund të shihet në dy mënyra.

“Një mënyrë, do të ishte që ta shihje si një shaka e bukur, e cila nuk e devalvon figurën politike dhe publike të Z. Haradinaj, përkundrazi, e lartëson. Të jesh president i Shqipërisë pas një karriere të gjatë apo historie personale si ajo e Z. Haradinaj, nuk është diçka devalvuese”, tha drejtuesi i Konica.al.

Por ka edhe një pjesë të dytë të leximit të kësaj, sipas Nazarkos, i cili tregon se si mund ta ketë parë Haradinaj këtë e se çfarë mund ta ketë provokuar reagimin e ashpër të tij.

“Sipas tij, ndoshta ky fabrikim i këtij lajmi synonte që ta paraqiste atë si një lloj ushtari eventual të ardhshëm të Z. Rama në Presidencën e Shqipërisë, apo si dikush i cili e kishte zhvendosur fokusin e vëmendjes së tij politike nga Kosova në Shqipëri”, tha ai.

Sipas Nazazrkos, “ky fakt e ka provokuar atë reagimin e ashpër” të Haradinajt.

“Me siguri e kupton që prapa fabrikimit të këtij lajmi qëndrojnë qendra politike të cilat janë të pakënaqura nga fakti që midis tij dhe Ramës tashmë nuk ka më ndarje, si ajo ndarje e egër që kishte në themel pikturimin e Ramës si dikush që fanatikisht kishte luftuar për ndarjen e Kosovës”, tha ai.

Nazarko kujtoi këtu se gjatë vizitës në Shqipëri javën e kaluar, Haradinaj nuk u takua me Sali Berishën, i cili – thotë ai – “ishte aleati i tij politik, por edhe miku i tij njerëzor”.

Përveç Ramës, gjatë vizitës në Tiranë, Haradinaj e kishte takuar edhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit