Qeveria e Spanjës do të lejojë që Kosova të luajë me flamurin dhe himnin e saj në ndeshjen kualifikuese të futbollit për Botëror.
Kosovarët prisnin ndeshjen me Spanjën plot entuziazëm, sepse për kombëtaren që nisi para pak vitesh ndeshjet ndërkombëtare, Spanja paraqet një prej mbretërive të futbollit në Evropë.
Mirëpo, Federata e Futbollit të Spanjës, përmes një postimi në Twitter tregoi se nuk do të ishte aq miqësore. Ata i referoheshin shtetit kosovar si “territor i Kosovës”.
E tash, mediumi spanjoll El Konfidencial shkruan se Spanja do ta presë Kosovën, duke ia respektuar të gjithë simbolet e shtetit të pavarur, transmeton Gazeta Express.
Mediumi shkruan se ky është një hap në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi Spanja, e cila bën pjesë në pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Ministria e Punëves të Jashtme të Spanjës, të cilën e citon mediumi, thotë se “politikisht kjo nuk e ndryshon pozicionin e Spanjës për Kosovën as edhe një centimetër”.
Në nëntor 2018, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi të përjashtonte Spanjën nga gara për vendosjen e pengesave në pjesëmarrjen e Kosovës, duke detyruar një përjashtim emergjent me garat Olimpike të mbuluara nga një dekret mbretëror i vitit 1982.
Mediumi spanjoll shkruan se tash janë FIFA dhe UEFA që e detyruan Spanjën të pranojë me vendosjen e të gjithë simboleve kosovare në Sevilje, ku do të luhet ndeshja.
Federata Spanjolle iu referohej Kosovës si “një territor” në rrjetet sociale, e kjo nxiti reagim të menjëhershëm nga rivali i saj i ardhshëm në fushë.
“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”, shkroi federata kosovare në një komunikatë, të cilën e citon mediumi spanjoll.
Kosova është në grupin B për kualifikime në botërorin e vitit 2022, bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.