Deputetja gjermane, Doris Pack ka qenë kritike ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi për dekorimin me Medalje Presidenciale të Meritave të dërguarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Pack e ka cilësuar një shfaqje të trishtuar të gjithë ngjarjen e natës së mbrëmshme.
Këtë e ka bërë përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ku Pack ka shkruar se kjo është përrallë që është duke e maskuar realitetin e trishtuar dhe për këtë aty është edhe presidenti, Hashim Thaçi.
“Shfaqje dhe përralla që e maskojnë realitetin e trishtuar ku presidenti i Kosovës është aty për to. Patetike, po dhe e trishtuar!”, ka shkruar Pack.
Presidenti Thaçi gjatë natës së mbrëmshme ka dekoruar Grenellin me dekorat presidenciale siç thotë ai për rolin e tij udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm të ShBA-së për zhvillimin e Kosovës.
“Richard Grenell e dekorova me Medaljen Presidenciale të Meritave. Shpreh mirënjohje të thellë për rolin udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së për liri e zhvillim ekonomik në Kosovë dhe paqe e stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Thaçi.