0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Dritan Abazoviç: Brenda vitit ngrihet shtatorja e Skënderbeut në Ulqin

Rekomandime

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një intervistë të dhënë për analistin Mentor Nazarko, ka shpalosur vizionin e tij për të ardhmen e rajonit, si dhe ka folur mbi marrëdhëniet e tij me kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti.

- Advertisement -

Abazoviç kërkon që Shqipëria të jetë më e pranishme dhe të interesohet më shumë për çështjet e shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo është kritika që ai ka për vendin tonë, por shton se së fundmi ka parë një ndryshim të situatës për mirë.

Ndër të tjera Abazoviç ka bërë të ditur se brenda vitit në hyrje të qytetit të Ulqinit do ngrihet shtatorja e heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut.

Pjesë nga intervista

- Advertisement -

“Shqipëria është e pranishme, por ekziston një mundësi për të qenë shumë më e pranishme se është. Në kohën e kaluar nuk pata mundësi për ta dhënë mendimin tim personal si politikan. Kam qene i frustruar me mosinteresimin e Shqipërisë për çështjet në Mal të Zi, ose ai interesim ka qenë shumë i vogël. Dua me konstatu se në vitet e fundit ka fillu me ndrru ajo çështje dhe e shoh se ekziston një interesim më i madh,” shprehet zv/kryeministri i Malit të Zi ndërsa thekson se së shpejti do të vizitojë edhe Tiranën.”

Ndërsa thotë se dy vendet duhet të jenë më mirë të lidhura me infrastrukturë, Abazoviç shpjegon se nëse krijohen kushtet në Ulqin, atëherë edhe vizitorët do të shtohen.

- Advertisement -

“Ne duhet të lidhemi më mirë, me infrastrukturë. Sidomos Ulqini me Shkodrën. Ne duam që të të krijojmë kushte, dhe jam i sigurt që njerëzit që kanë para dhe janë nga Shqipëria kanë me ardh në Ulqin.”

Abazoviç në intervistën e dhënë për analistin Mentor Nazarko u shpreh se dialogun Kosovë-Serbi e përkrah maksimalisht. Sipas tij, pa njohje të ndërsjellë mes dy shteteve, nuk mund të ketë një zgjidhje të ngërçit.

“E përkrahamin maksimalisht dialogun, ne mendojmë që jashtë asaj nuk mund të gjendet zgjidhje. Dihet si ka me përfundu. Pa njohjen e dy shteteve, ky problem nuk mundet me u zgjidh. Maksimalisht, qeveria e Malit të Zi, unë personalisht, dhe të gjithë anëtarët e qeverisë, jemi që të dyja palët ta zgjidhin në mënyrë sa më demokratike…dhe të kemi një ardhmëri shumë më paqësore…”

Ndërsa, i pyetur për të përbashkëtat dhe ndryshimet që politikat e tij kanë me ato të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Abazoviç tregoi se diferencat lindin kryesisht nga rrethanat e ndryshme të dy shteteve.

Siç shpjegon vetë, politikat e tij kanë një frymë më evropiane krahasuar me ato të liderit të Kosovës.

“Kam një repsekt të jashtëzakonshëm për Kurtin. Ndoshta i kena pak politikat ndryshe. Politika ime është ma shumë e frymëzume në mënyrë evropiane. Nuk them se politika e Kurtit nuk është frymëzuar në atë drejtim. Por besoj se çështjet në Kosovë nuk janë njësoj si nga Mali i Zi dhe besoj se kjo ka ndikuar shumë në percepsionin e politikës. Mund të them që raportet me qeverinë e Kosovës, tani për tani i kemi shumë të mira. Pres shumë shpejt që të vizitoj Prishtinën. Shpresoj që edhe ata do ta japin një frymë të re atje.”

Kurse, për Edi Ramën, Dritan Abazoviç tha se nuk e shqetëson fakti që ai përkrahu kolegun e tij Milo Gjukanoviç në zgjedhje. Ai beson që kreu i qeverisë në Shqipëri do të bëjë zgjedhjet e duhura në zgjedhjen e ministrave këtë mandat të tretë.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi theksoi se qeveria e tij është e gatshme për raporte të mira me vendin tonë dhe se pavarësisht diferencave, çështjet madhore si ato të rajonit, i shohin njëlloj.

“Nuk kam problem që ai (Edi Rama) ka vendosur që të përkrahë kolegun e tij në Malin e Zi. I uroj sukses, shpresoj se qeveria e re do të jetë më e suksesshme se më herët. Besoj se Rama do të bëjë zgjedhjen e mirë të ministrav, të bëë me siguri një fresik. Sa na përket ne, ne jemi të gatshëm të për raporte të mira, për bashkëpunim… pa marrë parasysh që ndoshta ndonjë gjë nuk e shohim njëlloj, gjërat strategjike për rajonin i shohim fare njëjtë.”

Kurse, për kryebashkiakun e Tiranës, Abazoviç shprehet: “Veliaj më duket shumë energjik dhe ka sjellë shumë gjëra të mira në Tiranë, edhe në sektorin civil edhe atje ka qenë me një energji të mirë. Besoj se edhe ai ka me pas vullnet me na ndihmu në proceset në Ulqin.”

Por cilin nga modelet e sugjeruara për mini-shengenin ballkanik mbështet Dritan Abazoviç?

“Unë jam për çdo model që tregon se bashkëpunimi mund të jetë më aktiv se ç’është tani. Të gjitha modalitetet e kanë një gjë të përbashkët, që si shtetet ballkanike të funksionojnë më mirë,” thotë ai.

Numri dy i qeverisë në Malin e Zi theksoi se i duket jashtë logjike që disa liderë bëjnë kritika për minishengenin, sipas tij, çdo gje që ndihmon bashkëpunimin mes shteteve është gjë e mirë.

“Nuk kam qejf kur dikush jep kritika që janë pak jashtë logjike, kur thonë që nuk është i mirë mini-shengeni…çdo gjë që shkon në bashkëpunim është e mirë, çdo gjë që con në shkatërrim të marrëdhënieve është e dobët…Institucionalizimi, ajo kishte qenë ëndrra ime, këto shtete ta rrisin nivelin, të thyen barrierat dhe ta shohin situatën ku nuk shihen kufijtë. Unë jam kundër ndryshimeve të kufijve por jam që kufijtë të jetë të padukshëm. Edhe mobiliteti të jetë pa limit.”

Analisti Mentor Nazarko e pyeti kreun e URA-s edhe për pretendimet e familjeve shkodrane apo ulqinake të Durrësit për prona në Ulqin e Tivar.

A do t’i ndihmoni ata qoftë edhe më parimin e reciprocitetit me Shqipërinë?

“Dakord jam dhe, duhet me e aktivizu më shumë si çështje. Problemi qëndron te sistemi gjyqësor në Mal të Zi që është shumë jo produktiv, por pas zgjedhjeve të Valdanosit, absolutisht do të merremi edhe më këtë. Unë jam për eliminimin e çdo padrejtësie. Besoj se me disa rifreskime që do të vinë në gjyqin e Malit të Zi, këto ëështje që u takojnë shkodranëve do të fitojnë një epilog pozitiv.”

– A ka ardhur koha që në Ulqin të ketë një monument të Skënderbeut?

“Ka shumë kohë që ne jemi në vonesë me vendimin për të bërë një bust për Skënderbeun. Por me qeverinë e re ajo gjë ka për tu përfunduar dhe busti do të vendoset në hyrje të Ulqinit. Që të gjithë ata që vijnë të jenë të qartë që lidhja jonë me Skënderbeu dhe me historinë kombëtare është e rëndësishme. Në fund të vitit jam i sigurt që projekti do përfundojë. Kërkoj falje për vonesën por ka qenë zvarritje. Kërkoj falje që nuk ka ndodhur me herët.” ka thënë zv. Kryeministri i Malit të ZiPolitikani shqiptar në Malin e Zi ka thënë se familja e tij është nga Ulqini por thuhet se rrënjët i ka nga një fshat i Krujës që ka pikërisht edhe mbiemrin e tij, fshati Abazaj. Ai madje ka theksuar se mban lidhje me familjen shqiptare nga Kruja.

-Çfarë ju lidh me Krujën?

“Me Krujën kemi lidhje se aty gjendet fshati Abazaj. Kur kemi pasur një gëzim familjar, vetë na kanë kontaktuar kushërinj nga ai fshat dhe kanë marrë pjesë dhe ne jemi prej andej. Kemi mbet me kontakte dhe vizitohemi shpesh.” ka shtuar më tej Abazoviç.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit