Në komunat veriore të Kosovës janë vendosur grafite pro ruse me shkronjën “Z”, e cila është simbol i forcave ruse në agresionin ushtarak në Ukrainë.
Fotografi të postuara nga KP, shihet se shkronja “Z” është shkruar nëpër mure, dyqane, tabela orientimi e objekte të tjera.
Shkronja “Z”, fillimisht tërhoqi vëmendjen e botës kur u pa në automjete ushtarake të grumbulluara përgjatë kufirit rus me Ukrainën në ditët përpara pushtimit, i cili filloi më 24 shkurt.
Por që atëherë ajo është shfaqur në të gjithë Rusinë, e lyer në ndërtesa, e printuar në bluza, e shkruar mbi tanke e automjete të tjera ushtarake.. Ekspertët thonë se është bërë shpejt një simbol i veçantë i mbështetjes për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Sipas burimeve të KP këto grafite janë shënuar nga aktivistë të Listës “Srpska”, teksa Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, nuk e ka ndalur transmetimin e mediave shtetërore ruse, e madje janë mbajtur edhe protesta në Beograd si shenjë mbështetje të agresionit rus.