1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

‘E kur vdiq baba, u theva, s’qajta, s’bëzana, s’flejta, veç pashë tek më shkatërrohej andrra’

Rekomandime

Poezi nga Fitim Majkovci

kur vdiq nana;
baba, u mshel
ditë për ditë
në cdo ditë zemër xehër
harroi të qante edhe drutë
po s’harroi të qante natën
se nanën s’kish,
jetën s’kish,
nuk kish kurën e sëmundjes t’tij
baba lëngonte nga lumturia
“sëmundje” që i rritej përditë pranë nanës
zemra e babës e vogël
s’duroi tan at’ lumtuni,
e nana iku.
baba u shua, si edhe lumtunia e tij,
bota e refuzoi, e rrahu, e leqiti
po jo edhe nana.
i kalova tan ato vjet,
tue pa babën mërzitun,
tu harru t’qeshmen e tij
harrova që kisht gojë,
se kur vdiq nana, baba s’bëzani ma
harroi vetën, harroi jetën, m’harroi mu,
bahçja u ba mal i pashkelun,
lulet me therra e shtëpia burg
se kur vdiq nana vdiq edhe shpresa.
i kalova tan ato vjet mërzitun
me mërzinë e babës, harrova vetën
botën e jetën, por jo babën,
thinjat ia kreha, këmishën ia drejtova
duhanin në llullë përditë ia lashë,
e dje, vdiq baba.
llullën e ngrehu për të fundit herë,
frymën e mori si ndër hundë,
edhe thirri nanën me za.
kur më vdiq nana, qajta,
u mërzita por jetova,
për babën, për bahçen, për kurajon
jeta vazhdoi, rrejshëm si lumtunia e babës
e kur vdiq baba, u theva,
s’qajta, s’bëzana, s’flejta,
veç pashë tek më shkatërrohej andrra
se kur më vdiq baba kuptova jetën?
që kurgja s’asht përgjithmonë,
as andrrat, as dashunia.
bota të refuzon, të rreh, të leqit
e prind’t nuk janë imun ndaj vdekjes.
e kur te dyt’ ikën,
i qajta drutë, por s’qava natën,
se kur më lanë dyt’
e kuptova jetën,
bota të refuzon, të rreh, të leqit
e prind’t nuk janë imun ndaj vdekjes. / KultPlus.com

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit