Nuk ka dyshim, se prishja e koalicionit midis LVV-je dhe LDK-së, do të ndodhte herët apo vonë, sepse dihet që bashkëqeverisja e tyre erdhi si një “martesë” e zorit, dhe atë për shumë shkaqe politike, që këto dy parti mbase u detyruan të hyjnë në partneritet qeverisës me vendin.
Kështu ka vlerësuar publicisti Rexhep Elezaj i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se koalicioni LVV – LDK është arritur (26 janar) me imponim nga rrethanat politike. Sipas tij, ky fakt ka qenë shumë evident, kur i kemi parasysh vështirësitë e shumta që i përcollën bisedimet gati dy muaj midis këtyre dy partive, e që shihej qartë se kanë dallime substanciale, konceptuale dhe politike për të bashkë qeverisur me vendin.
“Na kujtohen mirë akuzat dhe kundër akuzat që i bënin kundër njëra tjetrës, derisa në anën tjetër bisedonin për arritjen e marrëveshjes për bashkë qeverisje në një atmosferë tejet të acaruar politike, gjë që fliste qartë se ky koalicion edhe nëse ndodhë, nuk do ketë jetë të gjatë.
Pastaj, kur është fjala për vendimin e kryeministrit Kurti, për ta shkarkuar ministrin Agim Veliun, shikuar parimisht, e kishte të drejtën e diskrecionit që ta shkarkonte ministrin. Sepse si anëtar i kabinetit të qeverisë ai nuk ka pasur të drejt të jap deklarata publikisht rreth cilës do çështjeje politike pa qenë i koordinuar me shefin e tij, pra me kryeministrin, më së paku si ministër i punëve të brendshme, i cili fokus të angazhimeve të tij do duhej ta kishte sigurinë e vendit, e jo çështje që bien në domenin e kompetencave të Kuvendit, Presidencës, etj”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.
Ai ka shpjeguar se kur është fjala për reagimin dhe vendimin e LDK-së pas shkarkimit të Agim Veliut, e cila dje mori vendim që ta iniciojë prishjen e koalicionit përmes mocionit të mosbesimit ndaj partnerit qeverisës.
“Pra LVV-je, flet qartë se po të ishte formuar ky koalicion mbi baza të sinqerta si dhe për hir të interesave të shtetit, jam i sigurt se Isa Mustafa nuk do ta prishte koalicionin me LVV-je, vetëm për shkakun e shkarkimit të A. Veliut, sepse për një ministër nuk prishet qeveria e një shteti serioz, po qese vërtetë para interesave partiake qëndrojnë ato shtetërore! Sido që të jetë, unë dua të besoj se kryeministri Albin Kurti, e ka të gatshëm planin “B”, para si dhe pas rrëzimit të qeverisë së tij, ngase vendi ynë po kalon nëpër një situatë të vështirë të kanosjes dhe infektimit të popullatës nga Korona virusi, që në rrethana të këtilla ngelja e vendit pa qeveri, është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Kosovës në këto momente”, ka thënë publicisti Elezaj.
Ai shpreson se deputetët e Kuvendit të Kosovës do e kenë vetëdijen kombëtare dhe politike, që në këtë situatë mos ta votojnë mocionin e LDK-së, për t’i dhënë mundësi vendit që kjo qeveri të mbetet në pushtet edhe për 90 ditët e ardhshme, ashtu siç parashihet me Kushtetutë, duke besuar fortë se deri atëherë do ta mundim rrezikun nga Korona virusi.
“Më pas, mendoj se vendi mund të shkon pa asnjë problem në zgjedhje të reja, në mënyrë që të gjitha partitë ta matin edhe njëherë veten përmes votës së qytetarëve, që njëherë e mirë të hiqen dilemat dhe grindjet, se cila parti e ka shumicën e votave si dhe të spekulohet me përqindjen e votave, siç ka ndodhur pas zgjedhjeve të fundit.
Por, se vendi ynë po hynë në një krizë të rënd politike dhe ekonomike për shkak të mungesës së përgjegjësisë morale dhe politike të disa udhëheqësve tanë shtetërorë, në kohën më të pavolitshme për shtetin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, këtë fakt tani më e kanë të qartë të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.