Projekti “This is Kosovo” realizuar vitin e kaluar nga fotografi Ylber Kabashi rezultoi si shumë i suksesshëm duke marrë pëlqimin e publikut, e pikërisht kjo ishte arsyeja që e shtyri Kabashin për të sjellë pjesën e dytë të këtij projekti.
Përmes videos së shkurtër “This is Kosovo”, fotografi shpalos bukuritë natyrore të Kosovës, gjithmonë i magjepsur me to.
Video është realizuar me dron dhe përmes saj Ylberi synon t’i tregojë botës se Kosova është një vend shumë i bukur e i mbushur me vende mahnitëse që i ka krijuar nëna natyrë.
“Strategjia ime ndryshon gjatë kohës, por misioni im për vendin tim asnjëherë. Historia jonë më bën ta eksploroj këtë vend të bekuar e të kuptoj sakrificën. Duke ndjekur vizionin tim hap pas hapi”, thotë Kabashi për KultPlus.
Video nis me thënien e njohur të Hamëz Jasharit thënë me një intervistë para 23 viteve: Edhe Evropa t’i hap dyert për ne… ne nuk do ta lëshojmë!
Sipas Kabashit, kjo thënie është legjendare dhe ka mbetur në histori, ndërsa përmes këtij projekti ka dashur ta ripërtërijë.
Ai tutje tregon se këtë projekt e ka realizuar me shumë kënaqësi e njëkohësisht krenarë që këto bukuri po ju prezanton edhe të tjerëve.
“Edhe pse unë jam një eksplorues i bukurisë dhe sytë e mi janë mësuar të shohin pamje mahnitëse, natyra e Kosovës sime të dashur nuk pushon së më mahnituri. Shijoni pjesën e dytë të “This is Kosovo”. Shihni më shumë, ndjeni më shumë!”, thotë Kabashi.