4.7 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

EKSKLUZIVE: Dikur visheshin kuqezi dhe ëndërronin Shqipërinë A, tani 4 “ushtarë” po luajnë për Greqinë në Botëror

Rekomandime

Disa vite më parë cilësoheshin ndër talentet e të ardhmes të futbollit shqiptar, vishnin fanellën kuqezi dhe ëndërronin që një ditë të ishin pjesë e përfaqësueses A. Por ndoshta as ata vetë nuk do ta kishin imagjinuar se përfaqësuesja madhore e parë për të cilën do të luanin dhe himnin që do të dëgjonin si të rritur do të ishte ai i Greqisë.

- Advertisement -

Katër futbollistë shqiptarë po përfaqësojnë Greqinë në Botërorin e Ushtrive që po zhvillohet në Kinë, ku pala greke u kualifikua edhe falë bëmave të “ushtarit” Fiorin Durmishaj gjatë periudhës kur ai po kryente shërbimin e detyrueshëm. Po ashtu si Durmishaj, edhe Klodian Gino, Vasil Vila, Gertin Hoxhalli dhe Fatjon Andoni, për të marrë shtetësinë greke janë të detyruar të kryejnë këtë shërbim ushtarak, duke bërë atë që dinë më mirë, të luajnë futboll dhe të përfaqësojnë ekipin grek në këtë aktivitet.

Tre prej tyre kanë qenë emra të spikatur me përfaqësueset e moshave të Shqipërisë. Vila provoi edhe të shpërthente në futbollin shqiptar me Kukësin por pa sukses duke u kthyer në Greqi. Gino arriti deri aty sa më e U21 mbajti edhe shiritin e kapitenit. Ndërsa rasti i Andonit është unik, pasi një vit më parë, kur kombëtaren e drejtonte Kristian Panuçi, ai ishte mes kandidatëve për të veshur fanellën kuqezi, gjë që nuk u konkretizua kurrë.

Të katër futbollistët janë veshur ushtarë dhe tani gjenden në Vuhan të Kinës, ku do të luajnë me përfaqësuesen greke, e cila ka përfituar nga fati se ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, edhe futbollistët të cilët luajnë për klube profesioniste greke, shpesh ëndërrojnë shtetësinë në një vend ku kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës. Sigurisht, kjo eksperiencë nuk i pengon që në të ardhmen të luajnë përsëri për ngjyrat kuqezi, pasi ndeshjet si ushtarë nuk ndikojnë te zgjedhja e përfaqësueses para FIFA-s. Por duke parë paraardhësin e tyre në ushtrinë greke, Fiorin Durmishajn, duket se me fanellën kuqezi do t’u mbeten vetëm fotot kujtim nga vitet me përfaqësueset e moshave. /E.Kuka/vipsport.al/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit