1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Eksperti britanik: Serbia po e përgatit ‘recetën ruse’ për serbët në Kosovë

Rekomandime

Serbia është duke e përgatitur “recetën ruse”, ku minoritetin serb që jeton në Kosovë dëshiron ta paraqet si “popullatë e rrezikuar”, njëjtë sikurse Rusia që pretendon se po bën me popullsinë rusisht-folëse në Ukrainën lindore.

Kështu thekson analisti britanik Daniel Smith duke shtuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdimisht është duke i shërbyer interesave të Rusisë në Ballkan.

- Advertisement -

“Në raport me Kosovën, gjithnjë e më shumë po shohim një narrativë serbe të përshtatur sipas ‘recetës ruse’, ku minoriteti serb që jeton në Kosovë paraqitet si ‘popullatë e rrezikuar’ ose duke përsëritur nevojën për ‘mbrojtje’. Rusia pretendon se po bën të njëjtën gjë me popullsinë rusisht-folëse në Ukrainën lindore”, thekson Smith për Al Jazeera.

Sipas tij, politika e ashtuquajtur neutrale e Vuçiq-it është më pro-ruse se çdo gjë tjetër.

“Me politikën e tij pro-ruse, Vuçiq vazhdimisht u shërbeu interesave të Rusisë në Ballkan. Në shumë raste, ai u shërbeu më shumë interesave të Rusisë sesa dhe popullit serb. Politika e tij e ashtuquajtur neutrale është më pro-ruse se çdo gjë tjetër. Si mund ta quajmë ndryshe presidentin e një vendi kandidat për në BE, Vuçiq-in, veçse një ‘idiot i dobishëm” që lejon veten të shfrytëzohet nga një diktator dhe kriminel lufte si Vladimir Putin-i? Apo të dy kanë shumë gjëra të përbashkëta”, pyeti ai.

- Advertisement -

Smith shprehet se pengimi i ardhjes së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Serbi nga vendet fqinje ka ruajtur dinjitetin e popullit serb e që nuk është ruajtur nga vetë shteti i tyre. Ai shton se anulimi i kësaj vizite është një sinjal i mirë për rajonin.

“Anulimi i vizitës së Lavrov-it është një sinjal i mirë për rajonin, në radhë të parë për shkak se mohuesi i krimeve të luftës në Ukrainë, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, është penguar të rrisë më tej tensionet duke vizituar Beogradin. Së dyti, bllokimi i hapësirës ajrore, për fluturimin e Lavrov-it, dëshmon rëndësinë e anëtarësimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO për sigurinë e tyre dhe të rajonit në përgjithësi”, shprehet Smith.

- Advertisement -

“Gatishmëria e liderëve serbë për të pritur Lavrov-in në një kohë kur liderët evropianë dhe botërorë po presin liderët ukrainas është një provë shtesë se Serbia po mbështet në mënyrë aktive Rusinë dhe se është koha që BE-ja të shqyrtojë seriozisht statusin e Serbisë si vend kandidat. Në këtë rast shtetet fqinje e kanë ruajtur dinjitetin e qytetarëve të Serbisë, të cilin fatkeqësisht nuk e ka ruajtur vetë shteti i tyre”, shton ai.

Eksperti britanik pohon se me anë të propagandës dhe Kishës Ortodokse, Kremlini po përpiqet të rrisë tensionet ndëretnike në rajon.

“Duke e përhapur propagandën dhe narativa pro-ruse, Kremlini po përpiqet të rrisë tensionet ndëretnike në Ballkan dhe veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë. Me këtë, Rusia po përfiton nga ngritja e nacionalizmit serb dhe përkrahjes nga Kisha Ortodokse Serbe. Gjithashtu, disa kërkime nga medie dhe institute në Ballkan kanë treguar raste të ndërhyrjeve të inteligjencës ruse në cenimin e sigurisë kombëtare të vendeve ballkanike”, pohon ai.

Në fund, Smith thotë se fjalimi i ambasadorit rus në Kuvendin e Republika Serbe ishte një mesazh i keq për sigurinë e Ballkanit dhe se Igor Kalabuhov duhet të shpallet persona non-grata dhe të dëbohet nga vendi.

“Fjalimi i ambasadorit rus në Bosnje e Hercegovinë, Igor Kalabuhov në Kuvendin e Republikës Serbe, ishte një mesazh i keq për sigurinë dhe stabilitetin e vendit por edhe të Ballkanit, si në mënyrë simbolike ashtu edhe nga ana përmbajtjesore. Një ambasador që kërcënon hapur Bosnjën e Hercegovinën se, ‘vazhdimi i rrugës së saj evropiane përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare’, duhet të paktën të shpallet persona non grata dhe të dëbohet nga vendi”, përfundon Smith.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit