11 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Etem Arifi e Rexhep Selimi po marrin mbi 1500 euro në muaj duke qëndruar në burg

Rekomandime

Në rrethana të ndryshme, por megjithatë përfunduan prapa grilave. Dy të zgjedhurit e popullit, Etem Arifi e Rexhep Selimi po marrin paga edhe duke qëndruar në burg, e me gjasë nuk e kanë ndërmend të lirojnë detyrën.

- Advertisement -

Rrogat e majme do t’i gëzojnë edhe për një kohë, deri ku rregullorja ia heq automatikisht mandatin pas gjashtë muaj mungesë.

Në fund të gushtit të këtij viti ka përfunduar prapa grilave deputeti i Partisë së Ashkalinjëve, Etem Arifi. Deputeti që me gjasë me votën e tij ka hyrë në histori duke bërë një rrugë të gjatë edhe në Gjykatë Kushtetuese, po vazhdon që të paguhet nga buxheti i shtetit në një rrogë të majme, ashtu siç i gëzojnë të zgjedhurit e popullit.

Këtë benefit, deputeti i burgosur, që nuk e ka marrë mundin të ofrojë dorëheqje do ta gëzojë deri me datën 23 dhjetor të këtij viti.

- Advertisement -

Atë ditë, bëhen gjashtë muaj prej kur Arifi ka qenë prezent në seancën e fundit, e automatikisht të njëjtit i hiqet mundësia të ushtrojë pozitën që ka në legjislativ.

“Deri më tani në Kuvend nuk është proceduar ndonjë shkresë për dorëheqjen e deputetit Etem Arifi”, thonë në Kuvend të Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express, teksa konfirmojnë se deri ka fundi muajit Arifi do të mund ta mbajë pozitën sipas rregullores.

- Advertisement -

Deputeti Arifi nuk është i vetmi në mesin e 120 të zgjedhurve që është arrestuar gjatë kësaj legjislature. Muaj më vonë, Rexhep Selimi, shef i grupit parlamentar të LVV-së, e tash ish-deputeti i PDK-së, Kadri Veseli u arrestuan nga Specialja pas konfirmimit të aktakuzës për krime të luftës.

Deri më tani, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes nuk e ka lëshuar pozitën në Kuvend të Kosovës, derisa, dorëheqjen e ka ofruar Veseli, duke ia liruar kështu vendit të bëhet deputet Fadil Nurës.

“Seanca e fundit në të cilën ka marrë pjesë deputeti Rexhep Selimi është ajo e datës 03. 11. 2020. Deri më tani në Kuvend nuk është proceduar ndonjë shkresë për dorëheqjen e tij”, kanë bërë të ditur nga Kuvendi.

Në rast se Selimi nuk e ofron dorëheqjen ai do të marrë rrogë nga Kuvendi deri më datë 3 maj, atëherë edhe kur bëhen gjashtë muaj prej mungesës së tij në seanca e aktivitete tjera të Kuvendit.

Hera e fundit kur Selimi ka marrë pjesë në seancë ka qenë data 3 nëntor, kur edhe është diskutuar për të pagjeturit.

Dy ditë më vonë, Selimit së bashku me ish-kreun e PDK-së, Kadri Veselin, ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqin iu është konfirmuar aktakuza për krime të luftës nga Specialja.

Në rast se ndërkohë Selimi nuk jep dorëheqje, ai po edhe Arifi do të paguhen për një muaj nga buxheti i shtetit plot 1 mijë e 547 euro.

Monitoruesit e Kuvendit thonë për Gazetën Express se në këtë mënyrë është duke u rrezikuar integriteti i Kuvendit e po shpenzohen mjete nga buxheti i shtetit.

Eugen Cakolli nga KDI i ka thënë Expressit se deputetët duhet t’i lirojnë pozitat të paktën për arsye morale.

“Në parim, do të duhej që të paktën si kategori morale, deputetët të ofronin dorëheqje nga mandati i tyre, në mënyrë që të ruhet integriteti i Kuvendit, por edhe të mos shpenzohen mjete nga buxheti i shtetit për pagat e tyre, duke qenë se ata nuk janë duke kryer funksionet e tyre. Kjo madje, vlerësoj që paraqet në mënyrë indirekte edhe dëmtim të buxhetit dhe interesit publik”, thotë ai.

Cakolli shton se veç në këtë legjislaturë tre deputetë kanë pasur probleme me ligjin, e vetëm njëri nga ta e ka ofruar dorëheqjen.

“Deputetët që kanë problem me ligjin nuk paraqesin zhvillim të jashtëzakonshëm për punën e Kuvendit. Sidoqoftë, për shkak të një vendimi të Gjykatës Supreme në fund të vitit 2017, të njëjtëve u është mundësuar edhe garimi në zgjedhjet pasuese. Në legjislaturën aktuale, kemi të paktën tre deputetë që kanë pasur probleme, derisa një prej tyre veçse ka ofruar dorëheqjen dhe është zëvendësuar”, shton ai.

Nga KDI thonë për Gazetën se këta situata mund të evitohen duke dhënë dorëheqje, apo në rend të parë duke mos garuar fare.

“Në anën tjetër, për deputeti Etem Arifi që veçse është në vuajtje të dënimit, është çështje ditësh kur të njëjtit do t’i skadojë periudha 6 mujore për paraqitje në punimet e Kuvendit, duke humbur si rrjedhojë mandatin. Rasti tjetër, i ndryshëm për nga natyra, është i deputetit Rexhep Selimi, ndaj të cilit nuk ka vendim të formës së prerë, por ndodhet si i akuzuar në Dhomat e Specializuara në Hagë. Sidoqoftë, konsideroj që fakti që Gjykata Kushtetuese është duke trajtuar pikërisht çështjen e deputetit Arifi, është mundësi të krijohet një precedent dhe praktikë e mbarë lidhur me efektet juridike në rastet kur deputetët kanë probleme me ligjin. Por, kjo nuk e përjashton assesi nevojën që deputetët të jenë vetë ata që evitojnë situatat e tilla, qoftë duke ofruar dorëheqjen, apo duke mos garuar fare në radhë të pare”, thonë monitoruesit e Kuvendit.

Sapo të kryhet afati ligjor prej 6 muajsh çështja e deputetëve do të diskutohet edhe në komisionin përkatës.

Në Komisionin për Legjislacion, kryetari i Komisionit Shkëmb Manaj ka thënë për Gazetën Express se do ta trajtojnë këtë çështje në koordinim me kryetaren e Kuvendit.

“Në bazë të rregullores komisioni për legjislacion aktivizohet në rastet kur një deputet mungon radhazi për më shumë se gjashtë muaj. Në momentin kur bëhen gjashtë muaj në vuajtje të dënimit, besoj nga fundi i këtij viti, se di cilat janë datat, kryetarja e Kuvendit është e obliguar që fillimisht me pa arsyen e mungesës së deputetit në seanca, nëse ajo e vlerëson që nuk ka pas arsye për mospjesëmarrje kërkon nga komisioni që me trajtu këtë rast. Komisioni për legjislacion e trajton rastin e dhe është i obliguar me i rekomanduar kryetares edhe parlamentit që me ia marrë ose jo mandatit”, ka thënë Manaj.

Sipas ligjit, deputeti Arifi dhe Selimi duhet të zëvendësohen në Kuvend me kandidatët më të votuar të gjinisë së njëjtë, në kuadër të listës zgjedhore të subjekteve të tyre politike.

Kandidati që do ta zëvendësojë Etem Arifin është Qazim Rahmani ndërsa Rexhep Selimi do të zëvendësohet nga Taulant Kryeziu.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit