2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Evropa e Lirë: Presidenca çeke përfill kërkesën e Francës, vizat për Kosovën me ETIAS

Rekomandime

Në prag të diskutimit të dytë të grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së, Presidenca çeke ka dërguar një “dokument ndërinstitucional”, në të cilin tashmë është përfshirë edhe kërkesa e Francës e paraqitur në takimin e parë, më 13 tetor.

Franca kërkon që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

- Advertisement -

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument, i cili është bazë për diskutimet që do të zhvillohen më 9 apo 10 nëntor, në takimin e radhës të grupit punues për vizat të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi, të përmbyllë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla deri më tash, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.

Sistemi digjital, ETIAS, synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

- Advertisement -

Franca e ka nxjerrë këtë kusht qysh në takimin e një grupi punues të Këshillit të BE-së për vizat.

Ka pasur raporte se ai është mbështetur edhe prej së paku katër shteteve të tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

- Advertisement -

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Nga Republika Çeke, e cila mban presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre./REL/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit