1.2 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Finalizohet i tëri Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës

Rekomandime

Parku i energjisë me erë, përbëhet nga 3 projekte, përkatësisht nga Selaci1, Selaci 2 dhe Selaci 3, me kapacitet veç e veç nga 34,47 megavatë, që bashkarisht kanë 27 turbina me gjithsej kapacitet 105 megavatësh.

Mehmet GJATA

- Advertisement -

Prishtinë, dhjetor – Pas licencimit nga ZRRE-ja edhe të projektit të tretë të prodhimit të energjisë elektrike nga era në Shalë të Bajgorës, të emërtuar Selaci 3 (më 17 dhjetor 2021), praktikisht është finalizuar i tërë projekti 105 megavatësh, ose Parku i energjisë me erë, i përbërë nga 27 turbina me fuqi secila nga 3,45 megavatë. Parku i energjisë me erë, siç dihet, përbëhet nga 3 projekte, përkatësisht nga Selaci, Selaci 2 dhe Selaci 3, me kapacitet veç e veç nga 34,47 megavatë, që bashkarisht kanë kapacitetin 105 megavatësh.

Në tetor të këtij viti, është licencuar projekti i pare-Selaci 1, ndërsa më 13 dhjetor ka marrë licencën e prodhimit Selaci 2. Projekti i energjisë elektrike në bazë të erës në Shalë të Bajgorës ka nisur të jetësohet nga Kompania gjermane ‘NOTUS ENERGY’, që është kontraktuesi kryesor, praktikisht, më 2016.

Kompania gjermane është kontraktuar t’i bëjë të gjitha punët, që do të thotë ta dorëzojë projektin me “çelsa në dorë”.

- Advertisement -

Sipas Atlasit të Erës të KFW-së, në Kosovë ka mundësi relativisht të mira për prodhimin e energjisë elektrike. Pos Shalës janë identifikuar me kohë si vende potencialisht të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike edhe 5 vende të tjera, e që janë Çyçavica, Zatriqi, Budakova, Kitka (është e aktivizuar me 9 turbina) dhe Kozhica, ku do të kishte mundësi reale të ndërtohen kapacitete prodhuese të energjisë elektrike me fuqi diku rreth 600 megavatë.

Sipas kritereve e standardeve botërore, mundësitë e prodhimit të energjisë elektrike me erë kategorizohen në tre kategori dhe atë në A,B dhe C. Projekti i Shalës së Bajgorës, në bazë të këtyrë standardeve, hynë në kategorinë C, kanë shpjeguar për Buletinin Ekonomik, inxhinierë të angazhuar që nga fillimi i këtij projekti. Shpejtësia e erës në Shalë të Bajgorës sillet nga 7,2 në 11,2 metra në sekondë. Kjo shpejtësi relativizohet paksa për shkak se në këtë rajon frynë nga të gjitha anët, e jo në një drejtim të caktuar.

- Advertisement -

Në bazë të të gjithë parametrave, vlerësohet se produktiviteti i turbinave të instaluara në Shalë të Bajgorës do të jetë diku rreth 40 për qind e fuqisë së instaluar. Produktiviteti, pra varet shumë nga sasia dhe koha që do të mbajë era. Kostoja e Projektit të Shalës së Bajgorës për ndërtimin dhe implementimin e projektit të energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës me “çelsa në dorë”, janë investuar gjithsej 189 milionë euro.

Nga investimet e tërësishme, 35 për qind e mjeteve financiare janë ekuitet privat, ose saktësisht këto mjete financiare i ka siguruar ‘ENLIGHT’, kompania izraelite që është prezente në Berzhën e Tel Avivit, ndërsa 65 për qind financim i projektit nëpërmes bankave. Më konkretisht, 65 përqindëshi i mjeteve financiare të siguruara nga bankat janë siguruar nag BERZH-I, ERSTE Bank e Austrisë dhe NLB-ja Sllovene, kryesisht kredi me kamata të buta, kanë saktësuar zyrtarë të Sowi Kosova. Projekti është ngritur në prona private, të cilat janë blerë nga investitorët, ose janë marrë me qera nga ta për 30 vjet. Po ashtu, 30 vjet e kanë afatin e punës edhe turbinat e instaluara në Shalë të Bajgorës. Këto stabilimente pas 30 vjetësh mund të riparohen tërësisht, ose në vend të tyre të instalohen turbina fare të reja, varësisht sipas marrëveshjes me autoritetet zyrtare të Kosovës.

Investitorët e këtij projekti e kanë të kontraktuar shitjen e energjisë në sistemin elektroenergjetik të Kosovës për 12 vjet. Në bazë të marrëveshjes paraprake energjia e prodhuar nga era do të shitet nga 85 euro për megavatë, ndërsa pas 12 vjetësh kur skadon afati i kontratës ndërmjet firmës gjermane NOTUS ENERGI dhe asaj kosovare SOWI ENERGI, dy partnerët ndërtues të parkut energjetik në Shalë, sistemi elektroenergjetik i Kosovës, përkatësisht KOSTT-i do ta blejë energjinë siç tregtohet ajo në tregun e lirë, përcjell Buletini Ekonomik.

Komandimi i punës së turbinave dhe të stabilimenteve të tjera bëhet në tërësi nga Zyra e NOTUS ENERGI nga Gjermania. Gjatë realizimit të projektit, në të shumtën e kohës kanë qenë të angazhuar rreth 400 punëtorë, qoftë të angazhuar drejtpërdrejt nga investitori, qoftë punëtorë të ndërmarrjeve kosovare nënkontraktuese për shumë punë në terren.

Teknologjia e instaluar në parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, në tërësi është shumë moderne dhe e sofistikuar. Është fjala e fundit teknologjike, ka thënë për Buletinin Ekonomik Ilir Grapci, drejtori menaxhues i Sowi Energi. Turbinat janë autorësi e prodhuesit të njohur amerikan GE, të prodhuara në Gjermani. Transportin e tyre nga Gjermania në vendin e instalimit e ka bërë Zagrebtrans, kompania e mirënjohur kroate dhe e vetmja që bën këtë lloj të transportit për shtetet e Evropës Juglindore.

Duhet thënë se projekti i parkut energjetik në Shalë të Bajgorës hynë në projektet goxha të vështira për t’u ndërtuar për shkak të lartësive të mëdha të terrenit dhe punëve të rënda dhe të kushtueshme rreth përgatitjes së terrenit. Lartësia mbidetare e sipërfaqeve ku janë instaluar turbinat në Shalë sillet nga 1740 në 1820 metra. Vetëm punët e nevojshme infrastrukturore për t’u kyqur në rrjetin elektroenergjetik të Kosovës kanë kushtuar rreth 28 milionë euro. Është investuar pra, në rrugë të nevojshme, në instalimin e kabllit nga Shala në Vushtrri, ku gjendet trafostacioni i KOSTT-it për kyqjen në sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Distanca nga Shala deri te trafostacioni i KOSTT-it në Vushtrri është 27 kilometra.

Kompania SoWi Energi e Kosovës ka bërë një përvojë të mirë dhe të vlerësuar nga partnerët në fushën e instalimit të turbinave me erë. Kjo kompani në partneritet me kompani të dëshmuara në këtë fushë nga bota, siç thotë drejtori menaxhues Ilir Grapci, është e gatshme për të vazhduar me projekte të reja në vendet e identifikuara si të mundshme për të ngritur turbina të reja. Mirëpo, skema mbështetëse për energji me erë nga institucionet hë për hë është 150 megavatë, që do të thotë se praktkisht kjo skemë ka përfunduar pasi që tashmë parku energjetik me erë në Shalë ka kapacitetin 105 megavatë, ndërsa 9 turbinat e ndërtuara para dy vjetësh në Kitkë të Gjilanit nga ndërmarrja ‘Gurish Holding’ nga Turqia, kanë kapacitet gjithsej 36 megavatë, ose bashkarisht që të 36 turbinat kanë kapacitetin 141 megavatë. Kanë mbetur nga skema mbështetëse vetëm 9 megavatë, që praktikisht e bën të pamundshme vazhdimin e invsetimit në kaq pak megavatë.

Sowi Energi ka kohë që ka shfaqur interesimin për të vazhduar ndërtimin e kapaciteteve të tjera të energjisë elektrike me erë në ndonjërin nga vendet e identifikuara si të mundshme, dhe për këtë ka paraqitur kërkesën në Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës dhe është në pritje të një përgjigjgjeje. Projektet eventuale të reja do të shtonin ndjeshëm pjesën e energjisë elektrike të gjeneruar nga energjia e erës në Kosovë, që ndryshe është kryesisht e varur nga gjenerimi i energjisë me thëngjill. Edhe një apo dy parqe eventuale të energjisë me erë do të krijonin mundësi të mira për të shtuar dhe zhvilluar burimet e ripërtëritshme të energjisë në Kosovë, do të shtonte efiçiencën energjetike dhe do të pastronte lakmueshëm gjenerimin ekzistues të energjisë nga qymyri. Në mbledhjen e ZRRE është thënë se me projektin e ri, fuqia e instaluar e burimeve të ripërtëritshme (hidroenergji, energji solare dhe energji nga era) në Kosovë ka arritur në 230 megavatë./Buletini Ekonomik/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit