2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Kjo është qeveria e Grenellit për një pazar të shpejtë

Rekomandime

Gazeta konservatore gjermane shkruan në numrin e së enjtes se sipas një ankete qeveria Kurti në qeverisjen e saj të shkurtër kishte përkrahje rekorde nga qytetarët.

Në rast të zgjedhjeve Vetëvendosje do të ishte dukshëm më e fuqishme në parlament se deri më tani. Qeveria e re me kryeministrin Avdullah Hoti pritet t’u shërbejë planeve të Grenellit, i cili dëshiron t’ia prezantojë sa më shpejt një marrëveshje “zotërisë në Washington”.

- Advertisement -

Marrëveshjet e deritanishme që ka arritur Grenell për fluturimet dhe vijën hekurudhore mes Beogradit dhe Prishtinës kanë mbetur vetëm pikëpyetje.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung“ (FAZ) ka botuar një shkrim lidhur me zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës.

Ajo njofton se kjo qeveri i detyrohet ekzistencës së saj falë një njeriu, i cili fare nuk ishte në garë për zgjedhje: Richard Grenellit, i cili deri së fundi ishte ambasador i SHBA-ve në Gjermani dhe konsiderohet si njeri i besueshëm i Donald Trumpit.

- Advertisement -

Vitin e kaluar Trump e emëroi Grenellin emisar të posaçëm për “negociatat paqësore” mes Serbisë dhe Kosovës.

Detyrë e Grenellit me gjasë që në emër të shefit të tij të negociojë një “deal” të shpejtë mes Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që Trump së paku në Ballkan, ku ndikimi amerikan është i madh sidomos në Kosovë, të korrë një sukses në politikën e jashtme.

- Advertisement -

Sipas FAZ ambasadori Grenell pak javë pas emërimit emisar prezantoi disa gjoja suksese si fillimin e lidhjes ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, për herë të parë pas luftës së vitit 1999.

E njëjta marrëveshje u arrit për hekurudhat. U tha se do të ketë edhe një lidhje të pandërprerë të autostradës Beograd-Prishtinë.

Memorandumet e vagullta lidhur me këto çështje nga Trumpi dhe Grenelli u lavdëruan në Twitter sipas tabiatit të tyre, duke u quajtur suksese sensacionale, ndonëse pas tyre qëndronin shumë pikëpyetje.

Ndërkohë nga këto marrëveshje kanë mbetur vetëm pikëpyetjet.

Në Kosovë Grenelli u përballë me kundërshtim.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh kundër planeve të Grenellit dhe sidomos kundër përpjekjes që ato plane t’u grahet me shpejtësi.

Partia e Kurtit Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e tetorit 2019, por nuk fitoi shumicën e mandateve.

Pas negociatave disajavore u arrit krijimi i një qeverie me forcën e dytë politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kurti u zgjodh para së gjithash për shkak se konsiderohet i pakorruptuar dhe sidomos për shkak se ngjalli besimin sidomos te elektorati i moshës së re se do të luftojë korrupsionin pa marrë parasysh reputacionin dhe pozitën e keqbërësve të mundshëm.

Kurti vërtet e filloi këtë punë, shkruan FAZ, por atij i doli në rrugë Grenelli.

Ai kërkoi që Kosova t’i heq tarifat ndëshkuese prej 100 për qind ndaj prodhimeve serbe, ndryshe nuk do të mund të realizoheshin marrëveshjet për fluturimet dhe për lidhjen me trena.

Tarifat ishin miratuar më 2018 si reagim kundër Serbisë, e cila pengoi anëtarësimin e Kosovës në Unesco dhe Interpol.

Kurti deklaroi se afrimi me Serbinë mund të ndodhë vetëm në baza të barabarta dhe kërkesave të Grenellit ia kundërvuri konceptin e “reciprocitetit”: Kosova do ta trajtojë Serbinë ashtu siç e trajton Serbia Kosovën.

Kurti e humbi luftën për pushtet me Grenellin. Kur Grenell e pa se Kurti ia zinte rrugën zbatimit të shpejtë të planeve të tij, ai nisi të ndikojë në rrëzimin e saj.

Partneri i Kurtit në qeverisje, Lidhja Demokratike, u vu nën presion të madh.

Me ndihmën e disa mediave në Kosovë u krijua përshtypja se Kurti po e dëmton dashamirësinë e fuqisë më të rëndësishme mbrojtëse të Kosovës.

Kjo shkoi deri aty, saqë u tha se mund të mbyllet edhe kampi Bondsteel – një përfytyrim që i frikësoi shqiptarët e Kosovës.

Në fund LDK e rrëzoi kryeministrin dhe e prishi koalicionin. Grenelli arriti qëllimin.

Të mërkurën suksesi i tij u bë zyrtar: me shumicën më të ngushtë të mundshme (61 vota prej 120) parlamenti në Prishtinë zgjodhi qeverinë e cila gëzon bekimin e Grenellit.

Kryeministër në të ardhmen do të jetë Avdullah Hoti nga LDK.

Ai qe i shtyrë të lidhë një koalicion me një duzinë partish dhe përfaqësuesish të pakicave për të arritur mini-shumicën e tij.

Hoti ka paralajmëruar se do t’i heq tarifat dhe barrierat e tjera tregtare bash ashtu siç kërkon Grenelli.

Duke e ditur se politika e reciprocitetit është e popullarizuar te shumë kosovarë, Kurti në ditët e fundit në pushtet mori edhe vendime të tjera.

Qeveria e tij dha urdhër që në letrat e transportit për mallra bujqësore dhe industriale, të cilat vijnë nga Serbia, në të ardhmen të shkruhet shprehimisht “Republika e Kosovës”.

Nëse kryeministri i ri e heq ketë vendim, ai do të fitonte dashamirësinë e Grenellit, por jo të shumicës së elektoratit në Kosovë.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se për Kurtin e shmangur nga pushteti punon koha.

Këtë e sinjalizon një anketë e UNDP-së e publikuar ditë më parë.

Sipas anketës qeveria Kurti në qeverisjen e saj të shkurtër kishte përkrahje rekorde.

Në rast të zgjedhjeve Vetëvendosje do të ishte dukshëm më e fuqishme në parlament se deri më tani.

Nga rrethi i kryeministrit hëpërhë të dështuar mund të dëgjohet se Grenelli tani do ta urdhërojë qeverinë e nënshtruar ndaj tij që mundësisht shpejt të negociojë një “pazar” me Serbinë, në mënyrë që t’i prezantojë diçka zotërisë në Washington.

Një marrëveshje e tillë mund të përmbajë madje edhe bashkimin e veriut të Kosovës të banuar nga serbët me Serbinë.

Dëshmi të qarta për këtë natyrisht nuk ka, dhe meqë në Serbi në qershor zgjidhet një parlament i ri, para këtyre zgjedhjeve nuk do të ndodhë shumëçka.

“Nëse Kurti nuk bën tani gabime, ai herët apo vonë do të jetë sërish kryeministër.

Koha punon për të”, thotë një diplomat në Prishtinë që i njeh rrethanat. Tani, shton ai, virtyti më i rëndësishëm është durimi, përfundon “Frankfurter Allgemeine Zeitung“.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit