1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Fundi i Perandorisë së LDK-së në Llap, si e humbi Lidhja Demokratike bastionin kryesor

Rekomandime

Podujeva me krenari quhej bastion i LDK-së. Në këtë komunë të Kosovës, partia e Isa Mustafës ishte e bindur se do të korrte fitore, kurdoherë që të garonte në zgjedhje komunale. Dorëheqja e Agim Veliut nga posti i kryetarit, rënia e Qeverisë Kurti, e debatet e fundit për të pagjeturit ku u përfshi edhe deputetja Saranda Bogujevci me gjasë i turbulluan pak ujërat. Pas 20 vitesh, LDK-ja ia dorëzoi LVV-së, bastionin më të madh të saj.

Zgjedhjet komunale me gjasë si kësaj here, asnjëherë nuk kanë pasur vëmendje kaq të madhe nga mediat e opinioni.

- Advertisement -

Krejt kjo pasi që beteja për Llapin më shumë se sa për kryetar komune, ishte beteja e parë politike e LVV-së e LDK-së, që patën pas prishjes në Qeveri dy partitë e “koalicionit të shpresës”.

Fitues doli LVV-ja, e partia e Albin Kurtit arriti që për herë të parë pas 20 vitesh t’ia marrë LDK-së bastionin kryesor të saj, Podujevën.

Por, pse Podujeva konsiderohej bastion i LDK-së dhe kur nisi rënia e këtij subjekti në këtë komunë?

- Advertisement -

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka një histori të gjatë fitoresh në Komunën e Podujevës.

Në vitin 2000 Veliu ishte bërë Kryetar i Kuvendit të komunës së Podujevës deri në vitin 2002. Sërish në vitin 2002, Veliu bëhet Kryetar i Kuvendit të komunës së Podujevës, post të cilin e mban deri në vitin 2004.

- Advertisement -

Mirëpo, në vitin 2004 kur mbahen zgjedhjet parlamentare, në qeverinë e krijuar mes LDK-së e AAK-së, Agim Veliu, nga niveli lokal avancohet në nivel qendror, duke marrë post ministror.

Agim Veliu, në atë qeveri ishte bërë Ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, post të cilin e ka mbajtur nga viti 2004 deri në vitin 2007.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2007, kur LDK-ja humbi zgjedhjet, Agim Veliu, bëhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si përfaqësues i qytetarëve në organin me të lartë ligjvënës, Veliu qëndron për dy vjet, 2008 –2009.

Ai në zgjedhjet lokale të vitit 2009, vendos t’i kthehet sërish nivelit lokal duke kandiduar për kryetar të Podujevës, zgjedhje këto të cilat i fitoj dhe merr mandatin e kryetarit të Podujevës.

Historia e fitoreve të LDK-së në Podujevë

Në zgjedhjet për kryetar të komunave në vitin 2007-të, LDK-ja kishte dalë e para me 49.10% të votave, derisa, pas saj ishte radhitur PDK-ja.

Në raundin e dytë ndërkaq në Podujevë, LDK-ja kishte fituar 54% të votave, derisa, kandidat për kryetar të komunës ishte Ilaz Pireva.

Nga PDK-ja kishin marrë 46% të votave me kandidat Muhamet Latifin.

Agim Veliu kishte kandiduar në zgjedhjet e vitit 2009 për kryetar komune, derisa ishte radhitur i pari me 49.93% të votave, i pasuar nga kandidati i PDK-së.

Veliu megjithatë kishte fituar në raund të dytë, duke e mposhtur kandidatin e PDK-së me 66.18% të votave.

Nënkryetari i LDK-së kishte arritur që ta merrte besimin e Llapjanëve edhe për një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit 2013-të.

Atëherë, Veliu kishte dalë i pari nga kandidatët me 50.2% të votave.

Besimi për Veliun kishte rënë vite më vonë, kur në zgjedhjet e vitit 2017-të Veliu dështoi ta fitonte Podujevë në raund të parë.

Atë vit, Veliu mori 48.1% të votave, derisa, pas tij radhitej kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera 29.8%.

LDK-ja arriti të sigurojë një mandat në Llap në balotazh, kur e mposhtën Vetëvendosjen me 63.8 % të votave.

Megjithatë, Agim Veliu nuk e çoi deri në fund mandatin në krye të komunës, pasi që dha dorëheqje për t’u emëruar Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, e të njëjtën pozitë është duke e mbajtur edhe në Qeverinë Hoti.

Që nga atëherë si u.d i kryetarit ka qenë Nexhmi Rudari, që pësoi humbje mbrëmë nga kandidati i LDK-së, Shpejtim Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi fitoi mbrëmë me 51.64% të votave në Podujevë, derisa, kandidati i LDK-së mori 35.97% të votave.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit