-0.5 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Gara për Prishtinën – Kush duhet të kanididojë prej LDK-së dhe VV-së, sipas analistëve?

Rekomandime

Dy rivalët, deri tash, kryesorë për garën e kryetarit të Prishtinës, LDK dhe Vetëvendosje, nuk i kanë treguar kandidatët e tyre për kryeqytetin.

Gara nis pas pak muajsh, e vazhdimisht janë përmendur si emra të mundshëm Arben Vitia i LVV-së dhe Lumir Abdixhiku, që kur u bë kryetar i LDK-së shoi shpresat për Prishtinë. Sipas analistit Astrit Gashi, LDK-ja mund të korr sukses veç me Abdixhikun kandidat. Visar Ymeri tregon se si do të ishte për të kryetari ideal i Prishtinës.

- Advertisement -

Daut Haradinaj nga AAK dhe Uran Ismajli nga PDK, janë dy kandidatët që do t’ia mësyjnë garës për të parin e Prishtinës. Ata ende nuk e dinë kush do të jenë kundërkandidatët e tyre nga LDK dhe Vetëvendosje. Ndërsa, kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se nuk mund të thotë definitivisht se nuk do të kandidojë edhe për një mandat të tretë, shkruan Gazeta Express

Në tetor të këtij viti bëhen tetë vjet prej kur Shpend Ahmeti udhëheq me Prishtinën. Ai ka marrë dy herë besimin e prishtinasve për të qeverisur me kryeqytetin.

Ani se kishte deklaruar se nuk do të kandidojë më, tash po thotë se politikës s’i dihet.

- Advertisement -

“Me më pyet sot kisha thënë jo. Por në politikë nuk mund të e dish kurrë sigurt. Nuk mund të them asgjë definitive. Dy mandate më duken të mjaftueshme. Në SHBA e kanë këtë koncept. Por nuk mund të them definitivisht jo pasi në politikë po i hajshe fjalët”, ka thënë ai të hënën në DPT.

Por, për analistin Astrit Gashi, Shpend Ahmeti për tetë vjet sa ka qenë në pushtet, i ka humbur kohë Prishtinës.

- Advertisement -

Shpend Ahmeti bën mirë të mos kandidojë fare

Ai ka deklaruar për Express se Ahmeti bën mirë të mos kandidojë për një mandat tjetër në kryeqytet.

“Shpend Ahmeti bën mirë të mos kandidojë fare- mjaft i ka humbur kohë Prishtinës qe 8 vite”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka thënë se gara për Prishtinën është me rëndësi të lartë, veçanërisht për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka përmendur edhe Arben Vitinë, për të cilin ishte folur se do të jetë kandidat i VV’së për kryeqytetin.

Nuk është e konfirmuar kandidatura e Arben Vitisë

“Përpos Dut Haradinajt dhe Uran Ismajlit s’ka asnjë kandidat deri më tani. Nuk është e sigurt momentalisht dhe as e konfirmuar as edhe kandidatura e Arben Vitisë. Pra ende s’kemi kandidat nga asnjëra parti, sepse gara për Prishtinën është garë me rëndësi të lartë veçanërisht për LDK dhe VV”, ka deklaruar Gashi.

Përveç VV’së, as LDK ende nuk ka dalë me një emër për kandidatin e saj për të parin e Prishtinës.

Lumir Abdixhiku pasi u zgjodh kryetar i LDK’së kishte deklaruar se nuk do të jetë kandidat për Prishtinën.

“Në momentin që kam vendos me qenë kryetar i LDK-së e kam kuptuar që s’do të jem kandidat për Prishtinë. Jam i përkushtuar vetëm për LDK dhe s’kam detyrë tjetër. Detyra ime është që të merrem me LDK-në. Kjo është detyra ime e vetme, misioni im i vetëm. S’mund të mirrem me qytet, do ta doja shumë, si dëshirë, por është e tejkaluar”, pati thënë Abdixhiku në Pressind.

Por, analisti Gashi thotë se Abdixhiku është i vetmi që mund t’i sjell rezultat të mirë LDK-së në Prishtinë.

Lumir Abdixhiku duhet t’i hyjë garës për Prishtinën, mos të fshihet pas pozitës së kryetarit

Gashi mendon se Abdixhiku duhet t’i futet garës për ta ndihmuar partinë.

“Lumir Abdixhiku është personi i vetëm që mund t’i sjellë rezultat të mirë LDK-së në Prishtinë, ai duhet të hyjë në garë dhe t’i ndihmojë partisë që e udhëheq dhe jo të fshehët prapa pozitës së kryetarit- edhe me kusht që garimi i tij nuk përfundon me fitore, por me rritje votash për partinë”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq për drejtorin e Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, kryetari i ri i Prishtinës duhet t’i ketë disa karakteristika.

Ai për Express ka deklaruar se kryetari potencial i Prishtinës duhet të ketë vizion afatgjatë për rritjen e hapësirave sociale, zgjerimin e mundësive për transportin publik e krijimin e hapësirave sociale të strehimit.

Prishtinës i duhet një vizion afatgjatë zhvillimi

”Më shumë se sa emrat e përveçëm të kandidatëve potencial, madje edhe më shumë se sa mundësia elektorale e kandidatëve, mua më interesojnë karakteristikat që mendoj se duhet t’i ketë një kandidat për kryetar/kryetar potencial i Prishtinës. Pikë së pari mendoj që Prishtinës i duhet një vizion afatgjatë zhvillimi që i bën bashkë vullnetin transformativ të qytetit, rritjen e hapësirave sociale e publike, shtimin e hapësirave për njeriun kundrejt automjetit, zgjerimin e mundësive të transportit publik, krijimin e hapësirave sociale të strehimit, si dhe shtimin e hapësirave kulturore e sportive të qasshme për të gjithë”, ka thënë Ymeri.

Ymeri shton se kandidatët për kryetar të Prishtinës duhet t’i kenë disa prioritete.

“Por veçanërisht një vizion i gjelbër për qytetin i cili krijon mundësi të jetesës cilësore si dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Pra Prishtina duhet të jetë një qytet social e i gjelbër, që krijon hapësirë të barabartë për shtresat e ndryshme shoqërore e përkatësitë e ndryshme gjinore. Mendoj që kandidatët duhet t’i kenë këto prioritete”, ka deklaruar Ymeri.

Nuk më duket se ekziston dallim ideologjik mes VV (që i thotë vetes e majtë) dhe LDK-së (që i thotë vetes e djathtë)

Ymeri ka deklaruar se nuk e di cila nga partitë do t’i propozonte këto veçori programore. Kjo sipas tij, për shkak të dallimeve ideologjike ndërmjet tyre.

“Cila prej partive dhe/ose emrave të përveçëm do t’i propozonin këto veçori programore këtë nuk mund ta di, për shkak të dallimeve ideologjike mes partive politike këtu, në këtë rast VV dhe LDK. Nuk më duket se ekziston dallim ideologjik mes VV (që i thotë vetes e majtë) dhe LDK-së (që i thotë vetes e djathtë)”, ka thënë Ymeri.

E për mundësinë e kandidimit të Shpend Ahmetit edhe për një mandat, si dhe qeverisjen e deritanishme të tij me kryeqytetin, Ymeri thotë se ka vend edhe për kritika e për përmirësime.

“Shpendi e ka dëshmuar gjatë këtyre dy mandateve që ka një qasje komplet ndryshe ndaj qeverisjes, dhe dy mandatet e tij i kanë sjellë disa gjëra të mira kryeqytetit. Natyrisht që ka hapësirë edhe për kritika e për përmirësime. Nëse do të duhej ose jo të kandidojë prapë dhe në çfarë forme kjo është pyetje për të sepse unë nuk mund ta di. Nga perspektiva ime e qytetarit të Prishtinës unë pres nga cilido kandidat t’i plotësojë kriteret e lartpërmendura programore”, ka deklaruar Ymeri.

Ndryshe, zgjedhjet komunale në Kosovë do të mbahen në tetor të këtij viti. Zgjedhjet e kaluara janë mbajtur më 22 tetor të vitit 2017./GazetaExpress/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit