Negociatat për normalizim janë ndërprerë, vendkalimet kufitare janë bllokuar. Që nga fillimi i javës, Kosova nuk i njeh më targat serbe. Si ndërmjetëse, BE-ja duket e pafuqishme. Kështu e nis raportimin për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung.
Pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë, e cila është e orientuar drejt Beogradit, kanë bllokuar pikëkalimet kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut me kamionë që nga e hëna. Qeveria në Prishtinë i ka dërguar njësitë speciale të policisë në atë rajon, shkruan NZZ.
Targat simbolike
Bllokada erdhi në shenjë proteste kundër vendimit të Kosovës për ta parandaluar hyrjen e automjeteve me targa serbe në Kosovë. Veturat e regjistruara në Serbi duhet të marrin targa të përkohshme në kufi për të qarkulluar në Kosovë.
Prapa mosmarrëveshjes së fundit qëndron çështja e pazgjidhur e njohjes së Serbisë të shtetësisë së Kosovës. Serbia e konsideron pavarësinë e Kosovës si të paligjshme dhe për këtë arsye nuk pranon emblemat kosovare, për shembull, në targat e automjeteve, shkruan NZZ.
Për të siguruar trafik të qetë kufitar, të dy shtetet, të ndërmjetësuara nga Brukseli, gjetën një zgjidhje kompromisi në një marrëveshje në vitin 2016. Pas kësaj, hyrja lejohej nëse emblemat kombëtare në targa ishin të mbuluara me afishe të bardha.
Përveç kësaj, ekzistonte mundësia e marrjes së targave neutrale në Kosovë, me të cilat ishte e mundur edhe hyrja në Serbi. Një zgjidhje e ngjashme ekziston në Moldavi, ku kohët e fundit ka pasur tension mbi targat nga Republika e shkëputur e Transnistrisë.
“Parimi i reciprocitetit”
Sidoqoftë, Serbia kurrë nuk e zbatoi marrëveshjen. Në Kosovë, nga ana tjetër, shumica dërrmuese e pronarëve të automjeteve refuzuan targat neutrale. Në praktikë, kjo nënkuptonte që automjetet serbe mund të hynin në Kosovë pa asnjë problem, por shumica e automjeteve nga Kosova kishin nevojë për targë të përkohshme në kufi.
Qeveria në Kosovë e arsyeton vendimin për të mos e zgjatur marrëveshjen e vitit 2016 me parimin e reciprocitetit. Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se sapo Serbia të njohë targat kosovare, vendi i tij do të ndjekë shembullin.
Ekziston një zhgënjim i madh nga trajtimi i pabarabartë në Kosovë. Tre vjet më parë, kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj vendosi tarifa ndëshkimore prej 100% për produktet serbe. Ekzistojnë pengesa të konsiderueshme jotarifore për eksportet kosovare në Serbi. Përveç targave, të gjitha dokumentet doganore gjithashtu duhet të rregullohen.
Shkas për veprimin e Haradinajt në atë kohë ishte fushata e Serbisë për t’i bindur vendet e treta në botë që ta tërhiqnin njohjen e shtetësisë së Kosovës.
Rritja e ndikimit të BE -së
Përfaqësuesi i jashtëm i BE-së Josep Borrell u bëri thirrje të dyja palëve ta shtensionojnë situatën të mërkurën në mbrëmje. Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi bëri një deklaratë të ngjashme. Konflikti, i cili u ekzagjerua nga Kosova dhe Serbia, tregon mbi të gjitha ndikimin në rënie të BE-së në Ballkanin Perëndimor, shkruan NZZ.
Mosmarrëveshja u përshkallëzua disa ditë pasi ndërmjetësi special i BE-së, Miroslav Lajçak ishte në Prishtinë dhe Beograd për të diskutuar rreth negociatave të reja.