1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Gjermania zyrtarisht kundër projektit Vuçiç-Rama për ‘Ballkanin e Hapur’

Rekomandime

Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, Miguel Berger, në në intervistë me DW, ka këmbëngulur se e vetmja zgjidhje për Ballkanin Perëndimor është Procesi i Berlinit i iniciuar nga kancelarja Merkel në vitin 2014. I pyetur për projektin e “Ballkanit të Hapur”, ai deklaron se zgjidhjet e përkohshme që po propozohen nuk janë alternativa të vërteta dhe nuk kërkohen as nga qeveritë dhe as nga qytetarët e rajonit. Sipas tij për Berlinin zyrtarë është vendimtare të avancojmë punën për Tregun e Përbashkët Rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

- Advertisement -

Deutsche Welle: Është krijuar përshtypja se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë humbur besimin te BE-ja. Në fillim të gushtit ju ishit për vizitë në rajon. A është kjo edhe përshtypja juaj?

Miguel Berger: BE-ja po bën shumë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Për shembull me Planin e Ekonomisë dhe Investimeve, i cili kap shuma prej disa miliardë dollarësh dhe ka në fokus, ndër të tjera, transformimin ekologjik dhe dixhital dhe konektivitetin. BE-ja është dhe do të mbetet partnerja më e afërt dhe më e besueshme e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ka njëfarë zhgënjimi, por gjatë udhëtimit tim në rajon përjetova edhe një afri dhe një interes të madh për BE-në. Por ne, domethënë BE-ja, duhet ta bëjmë të qartë se e marrim seriozisht rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Kjo është arsyeja se përse është kaq e rëndësishme që negociatat e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Le të qëndrojmë shkurtimisht te vizita juaj në rajon me rastin e fillimit të detyrës së Christian Schmidt-it, si Përfaqësues i Lartë i OKB-së, në Bosnjë-Hercegovinë. Institucioni i tij nuk pranohet nga Republika Srpska. A nuk është ky një “mission impossible”.

- Advertisement -

Christian Schmidt është i legjitimuar duke u emëruar nga Komiteti Drejtues i Këshillit të Zbatimit të Paqes si Përfaqësues i Lartë në Bosnjë-Hercegovinë dhe gëzon mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Shpresojmë që të gjitha palët ta pranojnë, sepse është në interes të popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të stabilitetit të vendit, dhe të punojnë me të në mënyrë konstruktive. Vitet e fundit kanë treguar se kur ka vullnet politik, ka edhe përparim. Kujtoj këtu, për shembull, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në qytetin e Mostarit, në dhjetor 2020. Bosnja dhe Hercegovina duhet t`i kapërcejnë bllokadat ekzistuese, të zbatojnë reformat dhe të përparojnë në rrugëtimin për BE. Qytetarët e saj e meritojnë këtë dhe Christian Schmidt-i do të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim.

Gjermania e mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE përmes Procesit të Berlinit. Por vitet e fundit nuk u arritën përparime të mirëfillta në këtë drejtim. Çfarë sugjerimesh keni për qeverinë e re në mënyrë që ky afrim të ndodhë me të vërtetë.

- Advertisement -

Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të promovuar bashkëpunimin rajonal duhet parë si një mbështetës i procesit të zgjerimit të BE-së. Ritmi i integrimit të rajonit në BE është vërtet i pakënaqshëm. Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian e modifikoi procedurën e zgjerimit, në mënyrë që t’i japë më shumë dinamikë procesit të zgjerimit, por edhe reformave të nevojshme. BE-ja i mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor edhe financiarisht. Në përgjigje të situatës së vështirë që krijoi pandemia në rajon, në prill 2020, rajonit iu dha një paketë ndihmash emergjente, në shumën prej 3.3 miliardë euro. Në Tetor 2020, Komisioni Evropian prezantoi një Plan Ekonomie dhe Investimesh, me një vëllim të përgjithshëm deri në 9 miliardë euro, për rimëkëmbjen afatmesme ekonomike të Ballkanit Perëndimor. E gjitha kjo nënvizon se BE-ja vazhdon të jetë shumë e angazhuar dhe ofron stimuj të ndryshëm për të promovuar proceset e reformave në Ballkanin Perëndimor, si edhe për të promovuar integrimin e vendeve në BE.

Qarkullojnë disa ide për zgjidhje të ndërmjetme për Ballkanin Perëndimor, si për shembull, krijimi i një Hapësire të përbashkët Ekonomike të lidhur me BE-në. Sa e hapur është qeveria gjermane ndaj kësaj ideje?

Qeveria Federale e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE. Zgjidhjet e përkohshme që po propozohen nuk janë alternativa të vërteta dhe nuk kërkohen as nga qeveritë dhe as nga qytetarët e rajonit. Në të njëjtën kohë, ne shohim potencial të madh për rajonin, me anë të zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal. Përparimi në këtë fushë, siç është sidomos zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal deri në vitin 2024, e mbështet rrugën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kohët e fundit e riemërtuan nismën e tyre nga “Mini-Shengen” në “Ballkan të Hapur”. Çfarë mendoni ju për këtë nismë?

Ne duam forcim të qëndrueshëm të bashkëpunimit midis të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këtë qasje po ndjekim në Procesin e Berlinit. Në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, për shembull, janë bërë shumë përparime në gjashtëshe, edhe me mbështetjen e BE-së. Në parim, natyrisht, çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur. Por, nga ana tjetër, është e rëndësishme që bashkëpunimi rajonal të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë kam parasysh si zhvillimin e ideve dhe nismave të reja, ashtu edhe zbatimin e tyre. Kjo është një qasje, për të cilën janë zotuar pjesëmarrësit në “Procesin e Berlinit” dhe të cilën e promovon edhe BE -ja.

Pra, Open Ballkan bie ndesh me nismën e Tregut të Përbashkët Rajonal?

Për ne është vendimtare që në samitin e fundit të Procesit të Berlinit, më 5 korrik, krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të kancelares Merkel, riafirmuan përpjekjet e tyre për të jetësuar Tregun e Përbashkët Rajonal. Ky është një projekt vërtet historik, për të cilin u zotuan të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje, në nëntor 2020. Në këtë kontekst, me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal RÇ, janë duke u negociuar të katra marrëveshjet e reja, përfshi edhe një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti dhe një marrëveshje për njohjen e kualifikimeve akademike dhe profesionale. Këto janë marrëveshje që do të sjellin përmirësime reale për njerëzit në rajon, për shembull, nuk do të nevojiten më viza për udhëtimet midis Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi nuk i janë bashkuar nismës për Ballkanin e Hapur, sepse kanë frikë se Serbia do të jetë tepër e privilegjuar. A është e justifikuar kjo frikë?

Për ne është vendimtare të avancojmë punën për Tregun e Përbashkët Rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Tregu i Përbashkët Rajonal, i cili do të krijohet deri në vitin 2024, është parakushti kryesor për zbatimin me sukses të Planit Ekonomik dhe Investues të BE -së në rajon.

Dialogu Kosovë-Serbi nuk duket se po bën ndonjë përparim për momentin. Çfarë mund të bëhet për ta ringjallur atë?

Zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt. Mungesa e përparimeve po e dëmton zhvillimin dhe përparimin mungesa e përparimeve në zhvillimin dhe stabilitetin e tyre. Prandaj përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është shumë i rëndësishëm. I dërguari special i BE -së për dialog, Miroslav Lajčák dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, kanë mbështetjen tonë të plotë. Ata janë duke bërë pikërisht atë që tani për tani është e drejtë: T’i ulin të dyja palët në bisedime. Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t’u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar çështjen e trajtimit të së kaluarës me Serbinë si parakusht për bisedime të suksesshme. Çfarë do t’i propozonit ju Presidentit serb?

Një parakusht i rëndësishëm është që çdo palë të përballet me përgjegjësinë e vet. Vetëm mbi këtë bazë mund të bëhet pajtimi. Unë e theksova këtë edhe në diskutimet e mia në rajon. Sidoqoftë, përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakushti i dialogut, sepse kështu bisedimet do të jenë të pamundura. Në këndvështrimin tim është e anasjella: Një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë përballjen me të kaluarën.

Më 6 tetor do të ketë një tjetër samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Slloveni. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Ne presim një sinjal të qartë se rruga evropiane e rajonit do të vazhdojë. Prandaj ne shpresojmë shumë që do të arrijmë t’i shmangim pengesat aktuale në mënyrë që të fillojmë më në fund negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë që është miratuar qysh në Mars 2020. Zgjidhja është në tryezë – në qershor ajo u mbështet shprehimisht nga 26 shtete anëtare të BE-së.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit