1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Gjyqi për 1 milion euro kompensim për shpifje, Pal Lekaj fiton rastin edhe në Apel

Rekomandime

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila në rigjykim e kishte hudhur si të pasafatshme kërkesëpadinë për shpifje në rastin ku ish-përfaqësuesi i Komunës së Gjakovës, ish-noteri dhe tani avokati, Shaqir Vula, kishte ushtruar ndaj ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj dhe Komunës së Gjakovës, ku kishte kërkuar kompensim në vlerë prej 1 milion euro.

Në aktvendimin e Apelit, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka vendosur drejt kur e ka hudhur poshtë kërkesëpadinë e paditësit si të pasafatshme dhe se e njëjta e ka zbatuar drejt ligjin material.

- Advertisement -

“Gjykatës së Apelit i kanë rezultuar si të pabazuara pretendimet ankimore të paditësit se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vlerësuar afatshmërinë e padisë”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Sipas Apelit, nga koha kur është pretenduar shpifja dhe fyerja kanë kaluar më shumë se 7 muaj, ashtu që ka kaluar afati subjektiv prej 3 muajve.

“Nga koha kur është pretenduar shpifja dhe fyerja me datë 15.01.2009, gjë që paditësi nuk e ka vënë në dyshim se shpifja se është bërë në këtë datë e deri te parashtrimi i padisë kanë kaluar më shumë se 7 muaj nga dita kur paditësi pretendon se i është shkaktuar dëmi dhe dita kur ka hy në dijeni për personin që ka bërë shpifjen, ashtu që ka kaluar afati subjektiv prej 3 muajve për të parashtruar padi për kompensim”, thuhet ndër të tjera në aktvendim të Apelit.

- Advertisement -

Ndryshe, Gjykata në Gjakovë në vitin 2016, kishte marrë aktgjykim me anë të së cilit e kishte refuzuar në tërësi si të pabazuar padinë, mirëpo Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti e ka kthyer këtë rast në rigjykim dhe vendosje.

Në aktvendimin e Apelit që e kishte kthyer në rigjykim këtë rast thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se në këtë rast, gjykata fillimisht është dashur të lëshohet në lejueshmërinë e kërkesëpadisë para se të vendos në mënyrë meritore për këtë rast.

- Advertisement -

Në padinë që është ushtruar në vitin 2009, thuhet se përmes emisionit “Jeta në Kosovë – Debatet Komunale” i transmetuar në RTK, kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i ftuar si mysafir i emisionit ishte pyetur se “përse nuk i është vazhduar kontrata e punës Avokatit Publik të Komunës – Shaqir Vula?”.

“Shaqir Vula, si avokat i Komunës i ka humbur të gjitha rastet nëpër gjykata dhe se ai ka dështuar në punën e tij si Avokat Publik në mbrojtjen e interesave të komunës dhe se puna e tij është vlerësuar negativisht edhe në sesionet e mëparshme të Kuvendit, prandaj në vendin e tij të punës është shpallur konkurs”, thuhet të jetë përgjigjur Pal Lekaj.

Tutje, në padi thuhet se ky deklarim i Lekajt në mediumin kombëtar RTK, Vulës i ka shkaktuar dëm i madh material dhe moral dhe se deklarimi i Lekajt ishte i pasaktë dhe i paargumentuar.

Përmes kësaj padie, Vula kishte kërkuar nga Gjykata e atëhershme Komunale në Gjakovë, që të detyrohet Pal Lekaj që ta ndalë shpifjen, që shpifjet e tilla të mos përsëriten dhe të bëjë tërheqjen e këtij informacioni shpifës.

Vula përmes padisë kishte kërkuar nga Lekaj dhe Komuna e Gjakovës si përgjegjëse në kuptimin objektiv, që solidarisht t’i kompensojë paditësit dëmin material dhe moral të shkaktuar nga shpifja, në shumë prej 1 milion euro si dhe shpenzimet procedurale.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit