Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i nominuari për zv.kryeministër, Haki Abazi, ia ka shuar shpresat Lidhjes Demokratike, se kjo parti mund ta merr postin e kryetarit të Kuvendit, ashtu siç është raportuar.
Abazi, ka thënë se nuk mund të kthehen para datës 26 dhjetor, atëherë kur Glauk Konjufca, u zgjodh kryetar i Kuvendit.
Abazi, thotë se arsyeja pse Konjufca është zgjedhur si kryeparlamentar, është fakti që VV nuk ka dashur të krijojë vakum institucional dhe këtë sipas tij, duhet ta kuptojë Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Ne nuk mund të kthehemi në asnjë mënyrë para 26 dhjetorit, sepse tani jemi në janar të 2020-ës. Arsyeja pse është zgjedhur Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, është fakti që Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka dashur vakum institucional dhe Lidhja Demokratike, si parti institucionaliste, duhet ta kuptojë këtë gjë”, ka thënë Abazi për Gazeta Blic.
Ai ka folur edhe për takimin eventual, që mund të ndodhë sot mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, duke thënë se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë gjë.“Nuk kam informata se as do të takohen dhe as që në ora sa”, ka shtuar Haki Abazi.Por, pavarësisht që tashmë kanë ndodhur dhjetë takime mes Kurtit dhe Mustafës, pa asnjë rezultat, Abazi thotë se është optimist se mund të ketë marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike.
“Unë jam optimist që do të ketë koalicion. Dhe shpresoj që do të ndodhë shpejt”, shtoi Abazi.Takimi i fundit mes krerëve të dy partive, ndodhi gjatë ditës së djeshme, por që as ky takim nuk prodhoi asnjë rezultat.Me të përfunduar takimi, Kurti dhe Mustafa, iu shmangën deklarimeve për media, teksa nëpër media u raportua se LDK ka shkuar me një kusht tjetër, e që është shkarkimi i Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit dhe ky post t’i takojë partisë së Isa Mustafës.
Gjithçka pritet të bëhet e qartë gjatë këtyre ditëve, gjersa deputeti i LDK-së, Arben Gashi, e bëri të qartë dje, se a do të ketë koalicion apo jo, përfundimisht do të mësohen gjatë këtyre dy ditëve.