Plani franko-gjerman është amerikan, dhe është marrëveshja finale me Serbinë, aty është njohja e Kosovës. Kështu ka deklaruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në intervistën dhënë për transmetuesin publik.
Sipas liderit të AAK-së, dokumenti i cili është ofruar për marrëveshje, e ka njohjen e Kosovës në mënyrë eksplicite. Ai tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet këtë vit, derisa plani franko-gjerman është final dhe se nuk ka marrëveshje tjetër.
“Materiet që i ka Kosova dhe Serbia për normalizimin e plotë. Marrëveshja mund të mos quhet marrëveshje për njohje, mund të quhet marrëveshje për normalizim, por në përmbajtje e ka njohjen”, ka deklaruar Haradinaj, sipas të cilit, kjo është mënyra eksplicite e marrëdhënieve në mes dy shteteve.
Kjo, sipas tij, është krejtësisht e pastruar dhe se nuk ka asnjë ndërhyrje në këtë.
“Kjo është marrëveshja finale, nuk do të ketë marrëveshje tjetër, nuk të ketë më negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë për asgjë tjetër… kjo është finalja”, tha Haradinaj.
I pyetur nëse është optimist se këtë vit do të arrihet marrëveshja, Haradinaj tha se mundësitë janë . “Unë nuk nënshkruaj, nënshkruan Kurti. Në këtë rast unë do t’ia jepja përkrahjen në rast se merr obligimet bazuar në materien e kësaj marrëveshje”, tha ai.
Kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, foli edhe për targat. Ai foli edhe rreth deklarimit të kryeministrit Kurtit se nuk ka kthim mbrapa sa i përket vendimit për targat e automjeteve.
“Mendoj se kërkesa e zotit Escobar, por edhe e QUINT-it është që të kihet kujdes dhe të planifikohet mirë edhe kohëzgjatja e implementimit në mënyrë që mos të ketë tensione dhe incidente…që mund të shfrytëzoheshin ose prej palës serbe ose prej palëve tjera për të fajësuar Kosovën”, tha ai.
Haradinaj tha se çfarëdo përkeqësimi i situatës të rendit ligjorë dhe të sigurisë në cilëndo pjesë të Kosovës nuk i shkojnë përshtati Republikës dhe agjendës së saj.
“Ne i kemi disa tema që janë mjaft serioze. Në pritje kemi edhe situatën e liberalizimit të vizave, pra një proces për të cilin ne duhet të çojmë vetëm lajme të mira të një qetësie e rendi publik funksional, e njëkohësisht i vetmi që përfiton nga këto gabime është Vuçiq”, deklaroi lideri i AAK-së.
Ai tha se liberalizimi i vizave ka lidhje edhe me dialogun.“Kësaj here shihet se është shumë e ndërlidhur. Nga mënyra se si do të sillemi në dialog, ata do të sillen ndaj nesh.Kushtëzimin e tillë e kanë bërë për të na mbajt nën kontroll deri në përmbyllje të dialogut”, u shpreh Haradinaj.