Sot janë bërë 21 vjet nga Beteja e Koshares, njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë u thye edhe kufiri shqiptar-shqiptar që i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.21 vjet pas, njëri ndër komandantët kryesor të kësaj beteje, Hisen Berisha, në një intervistë për KosovaPress, po vlerëson se amaneti i dëshmorëve që prehen në Memorialin e Koshares ende nuk ka shkuar në vend. Pavarësisht që në kuadër të masave qeveritare kundër koronavirusit, janë ndaluar edhe homazhet e organizuara te varret e dëshmorëve, Berisha thotë se nuk duroi dot pa shkuar në vendin ku 21 vjet më parë i ranë shumë bashkëluftëtarë.Por, thotë se aty u ndje shumë rënd, pasi që ashtu është edhe gjendja politike në vend pasi që Kosova po përball et me shumë probleme.
“Ndjenjat ishin të përziera, sepse ne pretendojmë që çdo vit atje të shkojmë me vlera të raportueshme mbi arritjet të caktuara, mbi avancim të shtetit, demokracisë, edhe zhvillimit ekonomik, arsimor, etj dhe të jemi sado kudo satisfaksionues për ndjenjat që kanë prindërit dhe familjarët e dëshmorëve, vet luftëtarët, invalidët dhe kategoritë tjera të luftës, por edhe për veten tonë. Mjerisht, personalisht u ndjeva i rënduar me situatën, jo vetëm këtë pandemike, sepse këtë po e përjeton tërë bota. Por më rënd e bënte situata politike në vendin tonë, konkretisht situata e konfliktit institucional, apo krizën institucionale që është krijuar në Kosovë. Aty e ndjeva edhe njëherë nevojën dhe e pashë që mbi lavdinë e atyre heronjve që prehen në Memorialin e Koshares ende qëndrojnë dhe kanë vend vargjet e himnit të flamurit kombëtar ‘prej luftës vetëm ai largohet që është lindë tradhtar’, sepse kemi ende borxh për ta përmbushur për çka ata janë sakrifikuar”, thotë ai.Berisha thotë se duke e parë Kosovën dhe situatën e saj politike, duke e parë cenimin e pavarësisë, sovranitetit, cenimin e integritetit territorial dhe kushtetues, është më se e nevojshme unifikimi i spektrit politik, në mënyrë që të tejkalohet edhe kjo situatë.
“Duke e parë Kosovën dhe situatën e saj politike, duke e parë cenimin e pavarësisë, sovranitetit, cenimin e integritetit territorial dhe kushtetues, më erdhi në mendje që të gjithë bashkëluftëtarëve të mi, të gjithë atyre vëllezërve tanë që janë edhe në për institucione dhe në jetën e përditshme të ju b ëj thirrje që ta ndjejnë në ndërgjegjen e tyre ende betimin e UÇK-së që e kemi bërë bashkërisht dhe të zotohemi që nën këtë betim veprën e këtyre dëshmorëve dhe ashtu Kosovën e paprekshme t’ua lemë trashëgim brezave amanet në të ardhmen. Një mesazh që iu drejtohem në këto rrethana tërë kombit është se edhe më tutje duhet të jenë të unifikuar dhe të përbashkuar rreth çlirimtarëve dhe ta kapërcejmë edhe këtë pjesë finale të shtegut për bërjen e shtetit të Kosovës shtet sovran dhe të pavarur”, thotë ai.
Ish-komandanti i Batalionit të Brigadës “Agim Ramadani”, Hisen Berisha, thotë se pavarësisht që 21 vjet më parë triumfuan kundër forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, ende po vazhdon ndërhyrja e Serbisë në Kosovë.
Ai përmendi edhe një rast ku vet ishte dëshmitar.
“Serbia në këto rrethana ka ndërhyrë në territorin e Kosovës me xhandarmëri. Unë kam vizituar vet këto ditë fshatrat për rreth komunës së Kamenicës, Karaqevën dhe fshatra të tjera. Ndërhyrje në sistemin dhe procesin politik, ndërhyrje në veri të Kosovës me orë policore, për gjoja trajtimin e të prekurve nga koronavirusi, që duhet konsideruar normale sikur të ishin respektuar disa standarde kushtetuese dhe të Kryqit të Kuq. Por jo në formën siç është vepruar. Pastaj thirrja për vëlla vrasje, që për mendimin tim vijnë vetëm nga ata që janë ende shërbëtorë të shërbimeve serbe në Kosovë”, thotë ai.Megjithatë Berisha thotë se Kosova ka bërë një rrugëtim të mirë që nga paslufta deri më sot, duke e sendërtuar mbi vlerat e luftës dhe gjakun e dëshmorëve dhe shumë djemve dhe vashave që luftuan pa ndal.Ai thotë se përkundër vështirësive në të cilat po kalon Koso va, të arriturat janë të theksuara dhe se vendi ynë është në rrugë të mbarë për të çuar proceset përpara.Berisha thotë se klasa politike duhet të kthehet pas dhe të marrë shembull nga Sali Çeku dhe Agim Ramadani, të cilët në momente kritike ia dolën të bëjnë unifikimin e popullit, por edhe nxorën strategji ushtarake për të fituar beteja.
“Ta kemi në konsideratë se burra të mëdhenj si Sali Çeku, që na edukoi se si ndërtohet fryma e unitetit dhe unifikimit, në kohë të luftës, pastaj rolin e Agim Ramadanit për të ndërtuar strategji ushtarake për të fituar beteja, në këtë frymë edhe ne sot të gjejmë forcë të tejkalojmë vetveten, inatet partiake dhe personale e të unifikohemi në çuarjen përpara të procesit politik për Kosovën dhe qytetarët e saj”, thotë ai.Triumfi i luftë tarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.