Në përvjetorin e vr*asjes së dy protestuesve më 10 shkurt 2007, Mon Balajt e Arben Xheladinit, Elvis Hoxha i Vetëvendosjes, thotë se kjo datë nënkupton se ‘flijimi për pavarësinë e Kosovës nuk kishte marrë fund’.
Ai thotë edhe se pavarësia e Kosovës u shpall më 10 shkurt 2007.
Shkrimi i plotë:
Në 10 shkurt 2007 shqiptarët e Kosovës e kuptuan që flijimi për pavarësinë nuk kishte marrë fund. Vendosmëria e mijëra protestuesve, kujtohuni, është e mrekullueshme. Policët rumunë shtinë mbi popullin autokton. Dikur kishin shtënë serbët ata që shtinin, tashmë ishin rumunët. Qeveritarët e Kosovës kishin nisur të ndanin pasuritë e saj pa ia siguruar pavarësinë.
Lëvizja Vetëvendosje e kishte nisur aktivitetin e vet që prej tre vjetësh. Ajo po kundërshtonte hap pas hapi të gjithë dëmet që i sillte Kosovës konspirimi mes organizmave ndërkombëtarë që nuk e njihnin si subjekt të pavarur dhe elitave servile e tashmë të korruptuara. Kosova ishte çliruar prej pushtimit, tanimë duhet të çlirohej prej kolonizimit.
Lëvizja Vetëvendosje atë ditë regjistroi dy dëshmorët e saj të parë. Kosova bëri një hap shumë të madh drejt Republikës. Qeveritarët e huaj e të brendshëm përpiqeshin që pavarësia të mbetej sidoqoftë e dëmtuar dhe servile.
Arben Xheladini dhe Mon Balaj dhanë jetën për Kosovën. 81 të tjerë u plagosën. Por ndyrësia e politikës së UNMIK-ut dhe uzurpatorëve vendorë të Kosovës doli në skenën publike. Kosovës i duhej dhënë pavarësia. Instancat ndërkombëtare e kuptuan që nuk mund ta shtynin më shumë sjelljen e tyre hibride. Ata e kuptuan se Kosova është masa njerëzore dhe territoriale shqiptare më militante dhe më e flijuar për të vërtetën integrale shqiptare. Ata e kuptuan se Kosova nuk tërhiqet kurrë nga fitorja dhe se bijtë e saj nuk bëjnë kompromis. Për ata që nuk e kanë kuptuar ende: pavarësia u deklarua në 10 shkurt 2007.