Një shtetas i Iranit, i armatosur me thika, është arrestuar të premten nga policia amerikane në Palm Beach, Florida.
Iraniani kishte me vete edhe një sasi kartëmonedhash amerikane, teksa u kap nga policia mbi urën Flagler, raportojnë mediat amerikane.
Autoritetet vendëse tashmë kanë nisur hetimet, ndërsa policia lokale po bashkëpunon me autoritetet federale.
Arrestimi ka ndodhur vetëm disa ditë pasi zyrtarët iranianë kanë ofruar një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për vrasjen e presidentit amerikan, Donald Trump, në hakmarrje ndaj vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, nga SHBA’ja.
Ura ku u arrestua iraniani ndodhet pak më shumë se 6 kilometra larg pushimores dhe klubit të Trumpit, Mar-a-Lago, por presidenti nuk ndodhet aty. Ai aktualisht gjendet në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.
Mediat amerikane po ashtu kanë raportuar për aktivitet policor në aeroportin ndërkombëtar të Palm Beach, ku burimet thonë se një njësit kundër bombave është thirrur për të kontrolluar veturën e iranianit në parkingun e aeroportit.
Pas kontrollit, policia ka dhënë dritën e gjelbër dhe operacionet i janë rikthyer normalitetit në aeroport.