1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Isa Mustafa ia jep një këshillë Kurtit për dialogun me Serbinë

Rekomandime

Kanë kaluar më shumë se një muaj prej kur Albin Kurti u emërua si shef qeverie për herë të dytë. Ndonëse vazhdimisht ka pasur shprehje kritikash ndaj tij është ish kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, që thotë se nuk mund të japë vlerësim për punën e kësaj qeverie, sepse sipas tij koha është shumë e shkurtër prej kur është formuar.

Mustafa ka thënë se dialogu me Serbinë gjithmonë ka qenë i vështirë dhe Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet kundër disa “non-papers” që kanë qarkulluar kohëve të fundit.

- Advertisement -

“Dialogu ka qenë dhe do të jetë i vështirë. Sidomos për partinë në pushtet, e cila e ka kundërshtuar këtë proces e tani e ka radhën të bëhet pjesë e tij. Sa u përket “non papers” ato nuk duhet të neglizhohen. Duhet të përgatitet Qeveria kundër tyre, sepse mund t’u shtrohen si “papers” në tavolinë të bisedimeve ose në zyrat e ndonjë shteti të fuqishëm evropian”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për punën që po e bëjnë partitë opozitare, dallimin në mes qeverisjes së përbashkët në mes VV-LDK dhe Qeverisë Kurti 2 e deri tek situata me pandeminë COVID-19 dhe mos sigurimi i vaksinave nga shteti.

INTERVISTA E PLOTË:

- Advertisement -

Në pikëpamjen tuaj si po e shihni qeverisjen e Albin Kurtit në këtë mandat dhe a shihni dallim në të qeverisur me kohën kur VV dhe LDK (sa ishit kryetar) ishin në koalicion?

Isa Mustafa: Është periudhë e shkurtër kohore për të dhënë vlerësim meritor. Qeveria nuk ka program, ndërkaq ka votën më të madhe se çdo qeveri tjetër. Pritjet janë shumë të mëdha. Qeveria e përbashkët ka qenë më e fortë me ministra. Ministrat e LDK-së, gati të gjithë, kanë pasur përvojë qeverisëse dhe i kanë dhënë një dinamikë qeverisjes së përbashkët.

- Advertisement -

Ministrat e Qeverisë Kurti 2 duhet të sillen si ministra të krejt Kosovës jo të shprehin përbuzje dhe mosdurim ndaj opozitës, ashtu siç po veprojnë. Ata po harrojnë që janë Qeveri, po mendojnë se kanë licencë për të sharë dhe ofenduar jo për të punuar.

Si po e shihni situatën me pandeminë e COVID-19 dhe çfarë mendimi keni që Kosova ende nuk ka siguruar vaksinat përveç atyre të donacioneve?

Isa Mustafa: Absolutisht është e gabueshme që Kosova të mos kontraktojë vaksina por të bazohet në ndihma. Ecuria e Pandemisë po lëvizë në cikle, rënie dhe rritje, por si konstantë, rastet fatale vazhdojnë të jenë të larta. Njerëzit janë të pasigurt për vaksinat. Disa po i marrin në Shqipëri, por disa edhe në Serbi. Kjo flet për mungesë të përgjegjësisë të qeverisë së vendit.

Sa vlerësoni se opozita e tanishme po e bën mire punën e saj karshi një pushteti që ka mbi 50% të mandateve në Kuvend?

Isa Mustafa: Opozita, duket se është e parcializuar. Nuk ka orientim dhe qasje të përbashkët, lë përshtypje se është e hutuar si pasojë e humbjeve në zgjedhje. Prandaj deri tani nuk vërehet se ka opozitë. Më shumë vërehet vardisje e subjekteve opozitare ndaj partisë në pushtet. Kjo sjellje nuk i bënë mirë demokracisë dhe as partive opozitare.

Ç’mendim keni për LDK-në opozitare dhe për punën e strukturave të reja të saj?

Isa Mustafa: LDK është opozitë dhe ka nevojë të artikulohet fuqishëm si e tillë. LDK nuk do të hedhë gaz lotsjellës në Kuvend, siç bënte Vetëvendosja, por deputetët tanë kanë dije dhe ekspertizë për zë kritik ndaj pozitës dhe mund të ofrojnë zgjidhje të mira për vendin.

Dialogu me Serbinë është çështje me të cilën duhet të merret edhe qeveria e tanishme. A duhet t’i bashkohet opozita qeverisë në dialog dhe a e vështirëson situatën qarkullimi i disa “non papers” për lëvizjen e kufijve në Ballkan?

Isa Mustafa: Përgjegjësinë për dialogun e ka Qeveria, nuk e ka opozita. Opozita ka përgjegjësi që Kuvendi të mos miratojë me 2/3 ndonjë marrëveshje e cila nuk është në interes të vendit. Prandaj, opozita, sipas mendimit tim, duhet të jetë korrektuese e këtij procesi. Por, nëse opozita vlerëson se marrëveshja është ajo që duhet, atëherë edhe duhet ta përkrahë. Dialogu ka qenë dhe do të jetë i vështirë. Sidomos për partinë në pushtet, e cila e ka kundërshtuar këtë proces e tani e ka radhën të bëhet pjesë e tij. Sa u përket “non papers” ato nuk duhet të neglizhohen. Duhet të përgatitet Qeveria kundër tyre, sepse mund t’u shtrohen si “papers” në tavolinë të bisedimeve ose në zyrat e ndonjë shteti të fuqishëm evropian. Ato nuk kanë zbritur nga qielli, i ka porositur dikush./KlanKosova

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit