-0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Jetëgjatësia e Qeverisë Hoti, analisti i njohur ka një parashikim – e zbulon se nga kush do të varet

Rekomandime

Me 10 vota nga deputetët e saj, Lista Serbe votoi Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Por, një ditë më pas, serbët votuan kundër programit qeverisës, ndërsa më pas votuan pro heqjes së reciprocitet ndaj Serbisë.

- Advertisement -

E derisa tani i ka në Qeveri, Avdullah Hoti dy vite më parë kishte deklaruar se një qeveri me 61 vota duke përfshirë votat e Listës Serbe, nuk është stabile dhe se LDK nuk do të lejojë që ajo të vendosë për fatin politik të Kosovës.

Lidhur me gjithë këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk është hata që serbët janë pjesë e qeverisë sepse ajo është e përkohshme, ndërsa Kosova është e përhershme.

“Mendoj se nuk ka ndodhë ndonjë hata. Asnjëherë qeveria e Kosovës nuk ka qenë pa serbë, të Listës ose jo Listës, ata serbë janë. Nuk është hata se çdo qeveri është e përkohshme, Kosova është e përhershme.

- Advertisement -

Ata që mallkojnë dhe gjuajnë me rrufe kundër qeverisë së re, duhet t’i ndalin lodrat. Pse nuk dolën shqiptarët të votonin qeverinë shqiptarë dhe të mos kishte nevojë për votat e serbëve.

Por si gjithmonë, shqiptarët e politikës dhe të karrigeve e luftojnë dhe e urrejnë njëri tjetrin më shumë se sa luftohen dhe urrehen me serbët.

- Advertisement -

Serbëve ua falim, shqiptarëve nuk ua falim.

Vetë nuk votojnë dhe vet pastaj mallkojnë pse votojnë serbët.

Pastaj të mos çuditemi sepse serbët kanë qenë dhe janë realitet në Kosovë.

Dikur ishin pushtetarë të Kosovës, sot janë argatë në pushtetin e shqiptarëve të Kosovës“, është shprehur ai.

Rexhep Shahu

Sipas tij, shqiptarët jashtë Kosovës e duan më shumë Kosovën dhe i japin më shumë mend.

Po shfaqet një fenomen jo i ndershëm.

Po duket se Kosovën e duam më shumë ne që nuk jetojmë në Kosovë se sa ata që jetojnë, luftojnë e punojnë më shumë se sa në përditë e përnatë për Kosovën.

Duket ne të jashtmit, nga Tirana, Zyrihu, Amerika, Roma, Berlini e duam dhe i japim mend më shumë Kosovës se sa e duan dhe i japin mend njerëzit e saj dinjitare që janë në Kosovë.

Ne të jashtmit ngatërrojmë shumë se ne flasim si tifozë të skuadrave të futbollit“, ka vlerësuar Shahu.

Sa i përket deklaratës së Hotit, ai thotë se serbët nuk mund ta vendosin fatin politik të Kosovës por vetëm do të kenë ministri.

Avdullah Hoti ka deklaruar dikur se nuk do lejojë LDK që serbët të vendosin fatin politik të Kosovës.

Po, nuk ka më shanse që serbët të vendosin fatin politik të Kosovës, nuk mund të qeveriset kurrë më shteti i Kosovës nga serbët, por do të ketë portofole ministrash për serbët siç ka pasur ministra e zyrtarë serbë gjithë këto dekada në liri, të mos bëjmë sikur po hyjnë serbët për herë të parë në qeveri.

Serbët në qeveri nuk vendosin fatin e Kosovës sepse Kosova me lehtësinë e qytetarinë më të madhe hyn dhe kryen zgjedhje të reja pasi zgjedhjet në Kosovë nuk përjetohen si tragjedi siç përjetohen në Tiranë“, ka shtuar tutje Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Se sa mund të jetë afatgjate qeveria, ai thotë se varet nga shqiptarët dhe përkrahjes që do t’ia dhurojnë ata.

Se sa afatgjate do të jetë qeveria Hoti nuk varet nga serbët por nga shqiptarët, sa mbështetje do t’i ofrojnë shqiptarët qeverisë së re.

Po të duan shqiptarët nuk rrëzohet kurrë prej serbëve qeveria e tyre shqiptare, pasi po të duan shqiptarët bëhen bashkë dhe duhen mes tyre më shumë se sa duhet të duhen apo se sa duhen shqiptarë me serbët.

Shqiptarët që janë shqetësuar prej pjesëmarrjes serbe, duhet ta dinë se nuk është hera e parë që serbët janë në qeveri të Kosovës, duhet ta dinë se nuk jemi në lufte si në 1998 – 1999 me serbët, duhet ta dinë se Kosovën e zotërojnë dhe e drejtojnë shqiptarët dhe serbët kanë fatin e pushtetin e pakicës.

Derisa shqiptarët urrehen e luftohen politikisht më shumë mes tyre se mes tyre e serbëve, derisa shqiptarët të mos kenë në plan të parë çështjen kombëtare e pushtetin kombëtar, derisa të mos mendojnë kombëtarisht por partiakisht, pra të dominojë mendimi partiak, serbët janë e do të jenë si një kolonë e vogël, si një shtyllë e vogël mbështetëse që do të shërbejë për të mbajtur Kosovën.“, ka vlerësuar ai.

Sipas Shahut, serbët janë të përfshirë në qeveri dhe kjo është e ditur, derisa shton se humbja e VV-së nuk është tragjike.

Ata që e mendojnë Kosovën pa këtë garniturë serbe në pjatën e mezës politike, le të shkojnë t’ia tregojnë dikujt tjetër përrallat por jo popullit të Kosovës.

Nëse në qeveri përfshihen serbe me duar të përgjakura, ky do të ishte atentat ndaj Kosovës, por nëse përfshihen serbe siç janë përfshirë gjithmonë, nëse bashkëpunohet me serbët si gjithmonë, siç bëri gjithë kohën qeveria Kurti, ky është normalitet.

Ata që mendojnë ndryshe, duhet të kapin pushkët dhe t’i dëbojnë serbët nga salla e Kuvendit të Kosovës dhe t’i dëbojnë edhe prej Kosove.

Por tashmë e dimë se kësaj çiftelie i janë këputur telat.

Humbja e pushtetit nga VV nuk duhet parë si tragjedi.

Duhet ta kuptojë ftohtë dhe esëll edhe VV se nuk ka pasur pushtetin e popullit, nuk ka pasur as çerekun e pushtetit të popullit që rri e thirret në pushtetin e popullit e të sovranit.

Pushtet i popullit e sovranit është kur ke mbi 60 deputetë.

As qeveria Hoti nuk e ka pushtetin e popullit jo pse LDK ka një deputet më pak se VV, por shpresojmë që qeveria Hoti të ndajë pushtet e jo të synojë ta albinizojë pushtetin në një dorë, në një parti, një grup e klan“, ka deklaruar ai.

Ai thotë se shqiptarët i njeh bota të bashkuar, pavarësisht partive dhe duhet të votojnë qeveritë shqiptare.

Shqiptaret bota i njeh e sheh bashkë si shqiptarë, pavarësisht se të cilave parti u përkasin.

Edhe politikanët e Kosovës që janë në parlament këtë leksion të vogël të botës duhet ta dinë, duhet ta dinë, nëse duan, se janë shqiptarë dhe nëse janë aq shumë patriotë sa shiten te gabi, të votojnë qeveritë e shqiptarëve që të mos lypet domosdo vota e serbëve të cilët do të jenë kurdo të pranishëm“, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit