-0.4 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Ka akoma kosovarë që nuk besojnë se ekziston koronavirusi

Rekomandime

Qytetarët në Kosovë ende e kanë të vështirë të besojnë ekzistencën e virusit SARS-COV-2.Disa prej tyre e mohojnë ekzistencën e tij, të tjerë ngrenë dyshime rreth masave të qeverisë, ndërsa ka edhe të tillë që apelojnë për masa më të ashpra.

- Advertisement -

Se virusi nuk ekziston një qytetar e ka bërë ndërlidhjen me shërimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i cili ishte infektuar me COVID-19 e më pas edhe është shëruar.


Gjobën që po merren për persona që nuk po vendosin maska ka bërë që Sevdaim Canolli të ketë vendosur atë. Ani pse e kishte vendosur maskën, Sevdaim Canolli nuk po beson se ekziston virusi. Krejt këtë ai po e bazon në shërimin e Isa Mustafa.

“Koronavirus për veti nuk besoj që ka. Kur lideri i LDK-së shërohet në Prapashticë pa shkuar në spital hiç dhe thotë kam qenë me koronavirus dhe njerëzit vdesin në spital edhe ndalet rryma, unë nuk po di, le t’i marrin njerëzit le t’i çojnë në tokë të Prapashticës dhe le t’i shërojnë njerëzit e jo t’i dërgojnë njerëzit në spital dhe të vdesin ose po i mbysin vetë”, është shprehur Canolli.

- Advertisement -

Agim Obrazhda shprehet se qeverisë nuk i intereson fare për qytetarët dhe ekonominë e vendit dhe masat i marrin vetëm sa për të përfituar të holla nga shtetet e jashtme.

“Nuk ju intereson për neve, për fukara dhe për pleq këtyre po ju konvenon sepse i marrin nga s’di sa mijë euro prej shteteve të jashtme. Kjo po bëhet vetëm sa për të na bllokuar neve e mos me na lënë të punojmë, këtu nuk ka tjetër masë, këtu vetëm për interes të vetin. Nuk është në pyetje këtu që po ju intereson për popull por vetëm hajni janë duke bërë”, është shprehur Obrazhda për KosovaPress.

- Advertisement -

Edhe Esat Hajrullahu thotë se masa që u ndërmorën nga institucionet shëndetësore janë duke e bërë vetëm për interesa individuale. Tutje, ai tha se virusi korona nuk është aq i rrezikshëm sa po paraqitet.

“Me mjekësi nuk merrem, mjek nuk jam, këto nuk i parashoh asnjë të vërtetë çka i bën qeveria këto i bëjnë për interesa të veta e për punë të veta, virus ndoshta ka, por jo kaq i keq”, tha Hajrullahu.

Ndryshe prej Obrazhdës dhe Hajrullahut, Hajrush Bishku tha se masat që janë vendosur për mbrojtje nga shpërndarja e COVID-19 duhet të ashpërsohen dhe të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

“Mua ma merr mendja se duhet të ashpërsohen këto masa, sepse siç po duket po shtohet çdo ditë e më shumë numri i rasteve. Duhet mu ashpërsu bile edhe me shpall gjendje te jashtëzakonshme”, tha Bishku.

Ilmi Beqiri një bashkëvendës i cili jeton në Suedi dhe ka ardhur për pushime mendon se duhet të merren masa sidomos për ata të cilët janë më të shtyrë në moshë, pasi që sipas tij, në vendet e tjera gjendja me e krijuar nga COVID-19 është alarmante.

“Nëse shkojnë kështu në rritje duhet të ashpërsohen gjithsesi, bile dy javë në ditë, duke filluar nga mosha 60-vjeç e më shumë duhen të merren masat strikte. Nuk e di çka po ndodhë kështu, por njerëzit po vdesin dhe nëse rritet kështu numri nuk ka kuptim që njerëzit të qëndrojnë jashtë”, deklaroi Beqiri.

Ndërsa Ramadan Pireva thotë se pa bashkëpunimin e qytetarëve dhe respektimin e masave nga ana e tyre është e kotë që të vendosen masa nga ana e qeverisë. Sipas tij, njerëzit duhet të mësojnë që të bashkëjetojnë me virusin për një kohë të gjatë dhe të jenë të vetëdijshëm për masat mbrojtëse.

“Qeveria duhet të punojë shumë me mend se pa popull s’ka asgjë prej qeverie, prandaj nëse populli nuk përmbahet edhe nuk e dëgjon qeverinë atëherë suksesi është shumë i dobët. Duhet ne të vetëdijesohemi që kjo është një periudhë e gjatë, nuk është e shkurtë, do të zgjasë dhe ku me ditë kur do të zbulohet një antivirus prandaj kjo është shumë serioze, si për ekonomi, si për popull, si për shëndet”, tha ai.

E qytetari tjetër Hasan Haxhiu, ka thënë se edhe përkundër se situata e krijuar nga COVID-19 do të ndikojë në ekonominë e vendit, institucionet duhet të marrin masa më të rrepta meqë jeta e njerëzve është më e rëndësishme. Haxhiu, ka kritikuar edhe ata persona që po e mohojnë ekzistencën e virusit.

“Besoj që duhen ashpërsuar masat pasi që virusi është duke u shpërndarë me të madhe, i kuptoj që populli është në krizë ekonomike, duhet të punohet, të mbijetojmë mirëpo më e vlefshme është një jetë e njeriut sesa kushtet ekonomike dhe për atë arsye mendoj që duhet të ashpërsohen edhe pak. Unë po çuditem me disa njerëz kur krejt bota është në alarm, disa njerëz e mohojnë virusin, thonë s’ka virus, virus ka pas dhe do të ketë”, tha Haxhiu.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar edhe 225 raste pozitive, me gjithsej 269 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 201 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 5.190 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.815.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit