Policia e Kosovës në Skenderaj ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Policia ka njoftuar se në orët e mbrëmjes të së martës kishte pranuar informata se në një zonë të Skenderajt organizoheshin lojëra të fatit. U identifikua vendi, ku në një lokal me mbishkrimin “Gjellëtore” u hasën tre të dyshuar dhe u gjetën katër televizorë, një shtëpizë kompjuteri dhe një printer, që dyshohet se ishte përdorur për bastore sportive.
“Të gjitha pajisjet në fjalë janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Personat e dyshuar F.A., 20-vjeçar, N.F. 37-vjeçar dhe A. Rr. 33-vjeçar, janë arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor Skenderaj dhe pas procedurës se intervistimit me udhëzim të prokurorit janë liruar në procedure të rregullt, ndërsa ndaj tyre është iniciuar rasti ”Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm””, thuhet nga Policia e Kosovës.