1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kancelari austriak: Nëse Kosova dhe Serbia dakordohen për shkëmbim territoresh ne nuk do ti pengojmë

Rekomandime

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, shpreson që në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë, të mund të arrihen marrëveshje gjithëpërfshirëse, që po ashtu është një parakusht për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

- Advertisement -

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, kancelari Kurz, theksoi se roli i shtuar i SHBA-ve, si plotësim i angazhimeve shumëvjeçare të BE-së, sigurisht që është pozitiv.

Ai angazhimin e SHBA-ve në këtë proces e sheh si një kontribut pozitiv për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit, i cili po i mban peng të dy shtetet për kaq shumë kohë. Duke folur për liberalizimin e vizave, ai tha se meqë Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, ne gjithmonë ishim në favor të dhënies së liberalizimit të vizave, dhe për këtë qeveria austriake ka edhe më tej një përkushtim të qartë në programin e saj.

Sa i përket asaj se si i shpjegon bisedimet e disa udhëheqësve nga rajoni, lidhur me propozimin për ndryshim të kufijve në mes Kosovës e Serbisë, kancelari Kurz mes tjerash tha se “Qasja jonë ka qenë gjithnjë pragmatike”.

- Advertisement -

Sipas tij, nëse të dy shtetet mund të pajtohen, Austria nuk do t’i pengojë palët të ulen në një tryezë dhe të ngrisin të gjitha çështjet, të cilët ata i konsiderojnë të rëndësishme.

Në intervistë, kancelari Kurz ka folur edhe për bashkëpunimin me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti, pasi siç tha ai Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm për Austrinë dhe ne mbështesim perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

- Advertisement -

“Shpresoj që Kosova do të vazhdoj të zbatoj të gjitha reformat e nevojshme në të gjitha fushat, në veçanti në sundimin e ligjit, i cili është i një rëndësie të veçantë për një zhvillim të mëtejmë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Austrisë”, tha mes tjerash në intervistë kancelari Kurz.

Telegrafi: Z. Kurz, ju keni deklaruar në vazhdimësi se do të mbështesni Kosovën në rrugën e saj evropiane, por, edhe pse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, qytetarët e saj edhe më tej nuk gëzojnë lëvizjen e lirë, vonesa në çështjen e vizave pjesërisht është pasojë e mungesës së unifikimit brenda Bashkimit Evropian. Përse po i vonon Bashkimi Evropian proceset në raport me Kosovën?

 

Sebastian Kurz: Meqë Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, ne gjithmonë ishim në favor të dhënies së liberalizimit të vizave. Për këtë qeveria austriake ka edhe më tej një përkushtim të qartë në programin e saj. Ndërkohë, në nivel evropian po zhvillohen biseda edhe më tutje lidhur me këtë çështje.

 

Telegrafi: Më 27 qershor, përfaqësues të Republikës së Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Ëashington për të vazhduar dialogun në mes dy shteteve.  Ata ishin ftuar nga i emëruari i presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Cili është komenti i juaj lidhur me këtë takim, marrë parasysh se për shumë vite me radhë dialogu zhvillohej në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së?

 

Sebastian Kurz: Gjithmonë kam qenë i mendimit se kushdo që mund të ndihmoj të ndërtoj urën është i mirëpritur. Rroli i shtuar i SHBA-ve si plotësim i angazhimeve shumëvjeçare të BE-së sigurisht që është pozitiv. Shpresojmë që në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë të mund të arrihen marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ky po ashtu është një parakusht për anëtarësimin e të dy vendeve në BE.

 

Telegrafi: A mendoni se zhvendosja e dialogut nga Brukseli në Uashington e ka zbehur punën shumëvjeçare të Bashkësisë Evropiane?

 

Sebastian Kurz: Unë nuk do e përkufizoja ashtu, ndaj më shumë e shoh angazhimin e SHBA-ve si një kontribut pozitiv për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit, i cili po i mban peng të dy shtetet për kaq shumë kohë.

 

Telegrafi: A jeni optimist se mund të ketë një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë deri në fund të këtij viti?

 

Sebastian Kurz: Kjo plotësisht varet nga dy palët në fjalë. Shpresoj të arrihen përparime tjera në muajt në vijim.

 

Telegrafi: Përfaqësuesi special i BE-së për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka takuar zyrtar të lartë, me të cilët ka diskutuar mundësinë e vazhdimit të dialogut dhe njëkohësisht ka mirëpritur angazhimin e SHBA-ve në këtë proces. Si e komentoni ju këtë?

 

Sebastian Kurz: Siç mund ta shihni, të gjithë jemi të një mendimi. Përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, gëzon mbështetjen tonë të plotë. E njoh atë që nga koha e tij si Ministër për Punë të Jashtme dhe President i Këshillit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (KB). Miroslav Lajçak është një diplomat me përvojë të jashtëzakonshme.

 

Telegrafi: Si i shpjegoni bisedimet e disa udhëheqësve nga rajoni, lidhur me propozimin për ndryshim të kufijve në mes Kosovës e Serbisë?

 

Sebastian Kurz: Qasja jonë ka qenë gjithnjë pragmatike. Nëse të dy palët mund të pajtohen, nuk mund të jemi ne ata që i pengojmë palët të ulen në një tryezë dhe të ngrisin të gjitha çështjet, të cilët ata i konsiderojnë të rëndësishme. Ne duhet të bëjmë krejt çfarë është e mundur të lehtësojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të kishte një efekt pozitiv në rajonin si tërësi.

 

Telegrafi: Para disa javësh kishim një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti dhe si rezultat i votës së mosbesimit tani kemi një qeveri të re e udhëhequr nga Avdullah Hoti (LDK-EEP parti simotër). A mund të na thoni cilat janë pritjet e juaja nga qeveria e re e Kosovës dhe si e shihni atë në marrëdhëniet me

 

Austrinë, si një shtet i cili në vazhdimësi ka qenë mbështetës?

 

Sebastian Kurz: Mirëpres bashkëpunimin e ngushtë me Kryeministrin Hoti. Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm për Austrinë dhe ne mbështesim perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shpresoj që Kosova do të vazhdoj të zbatoj të gjitha reformat e nevojshme në të gjitha fushat, në veçanti në sundimin e ligjit, i cili është i një rëndësie të veçantë për një zhvillim të mëtejmë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Austrisë.

 

Telegrafi: Një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova është sundimi I ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar. Cili është mesazhi i juaj për politikanët tanë, për të arritur rezultate të prekshme në këto fusha?

 

Sebastian Kurz: Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është në interesin e juaj, nuk është diçka që duhet bërë vetëm për të kënaqur BE-në ose bashkësinë ndërkombëtare. Vetëm nëse e luftoni me sukses dhe në mënyre efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar, do të mund të përmbushni pritjet dhe shpresat e qytetarëve tuaj.

 

Telegrafi: Pandemia aktuale COVID-19 ka shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzish, por edhe në ekonomi në mbarë botën. Si e ka menaxhuar Austria këtë krizë?

 

Sebastian Kurz: Austria ka reaguar shumë herët dhe me masa më të ashpra se sa shumica e shteteve të Evropës, duke vendosur mbylljen e madhe (Lockdoën) në Mars. Kjo na ka ndihmuar të shpëtojmë mijëra jetëra dhe na ka mundësuar të rihapim ekonominë më herët se sa vendet tjera. Prioriteti ynë tani është të mbajmë në kontroll numrin e infeksioneve të reja dhe të shmangim valën e dytë.

 

Telegrafi: BE-ja ka mbështetur Kosovën në luftën kundër COVID-19 me pajisje dhe elemente mjekësore. Çfarë mbështetje i ka ofruar Austria Kosovës në luftimin e pandemisë gjatë kësaj kohe?

 

Sebastian Kurz: Austria ka dhënë ndihma edhe në nivel bilateral për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ministri për Punë të Jashtme z. Shallenberg dhe Ministrja për BE-në, znj. Edshtadler, kanë vizituar Prishtinën para tri javëve për të dorëzuar ndihma në vlerë prej 250,000 € për luftimin e COVID-19. Këto do shfrytëzohen për të financuar, përmes UNDP-s, 9,000 teste për COVID-19, të cilat nevojiten urgjentisht. /Telegrafi

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit